Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 29 korrik 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 121/19; 2. KI 214/19; 3. KI 233/19; 4. KI 42/20 dhe 5. KI 43/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Aktvendim
Lënda: KI 121/19
Parashtrues: Ipko Telecomunications
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ERev.nr.14/2019], të datës 30 prill 2019, me të cilin pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.
2. Aktgjykim
Lënda: KI 214/19
Parashtrues: Murteza Koka
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 195/2019], të datës 23 korrik 2019, me të cilin pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, njëzëri:
VENDOS
I. TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
III. TË KONSTATOJË se nuk është e nevojshme të shqyrtohet nëse ka pasur shkelje të nenit 24 dhe nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
IV. TË KONSTATOJË se Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.195/2019 i 23 korrikut 2019 dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit Ac.nr. 3860/18 i 12 marsit 2019, shfuqizohen;
V. TË KONSTATOJË se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, AC.nr.3332/2013 i 26 prillit 2018 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, C.nr.38/2012 i 30 prillit 2013, janë përfundimtarë dhe të detyrueshëm, dhe si të tillë res judicata;
VI. TË REFUZOJË kërkesën për moszbulim të identitetit;
VII. TË URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta informojë Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt që është e mundur, por jo më vonë se më 23 dhjetor 2020, lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykate, në pajtim me rregullin 66 (4) të Rregullores së punës;
VIII. TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pritje të respektimit të këtij urdhri;
3. Aktvendim
Lënda: KI 233/19
Parashtrues: Qaush Mulliqi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-18-0162], të datës 15 gusht 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se, me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.
4. Aktvendim
Lënda: KI 42/20
Parashtrues: Armend Hamiti
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së dy vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës: [KPK nr. 699/2019], të datës 12 nëntor 2019 dhe [KPK nr. 797/2019], të datës 23 dhjetor 2019, në lidhje me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se, me këto vendime i janë cenuar të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike ] dhe 110.3 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.
5. Aktvendim
Lënda: KI 43/20
Parashtrues: Fitore Sadikaj
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetushmërisë së vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës [KPK nr. 697/2019], të datës 12 nëntor 2019 dhe vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës [KPK nr. 796/2019], të datës 23 dhjetor 2019, përkitazi me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me këto vendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 110.3 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Përpunimi i parashtresave] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.