Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 2 shtator 2020

02.09.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 2 shtator 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 01/19; 2. KI 119/19; 3. KI 137/19 dhe 4. KI 226/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 01/19
Parashtrues: Fatos Rizvanolli

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML. Nr. 242/2017], të datës 30 prill 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR. Nr. 100/2017], të datës 23 maj 2017 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj [PKR-65/16], të datës 18 janar 2017. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këto vendime i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33.1 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 36 [E Drejta e Privatësisë] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt), 7 (Nuk ka dënim pa ligj) dhe 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në pikat 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale], të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 119/19
Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [APP-UPP.nr.1/2018], të datës 26 shkurt 2019, me të cilin pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 dhe në paragrafët 1 e 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 137/19
Parashtrues: Arlind Morina

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë [K.nr.6-1022/18], të datës 18 korrik 2019. Në kërkesën e tij, parashtruesi po ashtu kontestoi edhe veprimet e Policisë Regjionale në Pejë dhe të Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilat, sipas tij, nuk kanë iniciuar procedurë penale ndaj personit të tretë. Parashtruesi pretendonte se me vendimin e kontestuar dhe me veprimet e Policisë Regjionale dhe të Prokurorisë Themelore në Pejë i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale], të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(a) dhe (b) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

4. Aktvendim
Lënda: KI 226/19
Parashtrues: Hysri Peçani

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren [P.nr.1191/19], të datës 8 nëntor 2019, i Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren [Ppr. Nr.487/2018], të datës 8 gusht 2019 dhe i Urdhrit të Gjykatës Themelore në Prizren për ndalim afatgjatë të pasurisë [Ppr. nr. 487/2018], të datës 14 gusht 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me aktet e kontestuara i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] e 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (1)(b) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.