Tryezë diskutimi ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe organizatave të shoqërisë civile/mediave

06.10.2023

Gjykata Kushtetuese mori pjesë në tryezën e diskutimit së bashku me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave vendore, organizuar me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, e cila u mbajt në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë.

Pas fjalëve hyrëse të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani dhe drejtorit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, z. Noel Bauer, tryeza e diskutimit u pasua nga transmetimi i një video-prezantimi përkitazi me procesin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, të realizuar me përkrahjen e USAID.

Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave paraqiten pikëpamjet e tyre përkitazi me bashkëpunimin e deritanishëm me Gjykatën Kushtetuese në aspektin e komunikimit, trajtimit të kërkesave të parashtruara për qasje në informata zyrtare, si dhe interpretimit të drejtë, por edhe keqinterpretimit të përmbajtjes së vendimeve të Gjykatës në opinion.

Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht përkushtimin e Gjykatës për kthimin e përgjigjeve në pyetjet dhe kërkesat e organizatave të shoqërisë civile/mediave brenda ditës apo në afatin prej më së largu 24 orësh, si dhe faktin që Gjykata Kushtetuese deri më tani ka miratuar çdo kërkesë të palëve për qasje në dosjen përkatëse të lëndës pas publikimit të aktgjykimit.

Në fund të diskutimeve, të gjitha palët nënvizuan rëndësinë e organizimit dhe shprehën gatishmërinë e pjesëmarrjes në takime të ngjashme edhe në të ardhmen.