Studentët e Fakultetit Juridik të UP u informuan me veçoritë hulumtuese të ueb-faqes së Gjykatës

08.11.2019

Me mbështetjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP), Gjykata Kushtetuese prezantoi për studentët e nivelit bachelor të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, veçoritë kryesore hulumtuese të ueb-faqes së saj të re.

Gjatë prezantimit të mbajtur në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, studentët patën rastin që të informohen më për së afërmi me karakteristikat dhe me mundësitë e kërkimit të avancuar të vendimeve të Gjykatës, duke shfrytëzuar filtrimin e bazuar në llojin e kërkesës, numrin e lëndës, emrin e parashtruesit, datën e parashtrimit apo fjalët kyçe të përmbajtjes së vendimeve.

Mundësia e abonimit të drejtpërdrejtë në vendimet e fundit të publikuara, si dhe në buletinët e praktikës gjyqësore dhe buletinët informativë periodikë të Gjykatës, ishin një veçori tjetër e ueb-faqes me të cilën u njohën më në detaje studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Prezantimi i ueb-faqes së Gjykatës Kushtetuese u bë nga Drejtori i Zyrës për Informim dhe Komunikim të Gjykatës, z. Veton Dula, si dhe këshilltari i lartë kushtetues – juridik i Gjykatës, z. Jeton Bytyqi.