Njoftim për vendim në rastin KO 79/23

26.12.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO 79/23, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit (1) të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që: (i) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (v) paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (vi) paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit; (vii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; (viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar është publikuar në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, ndërsa ka hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023. I njëjti është miratuar pasi ligji paraprak, përkatësisht Ligji nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, pas kërkesës së Avokatit të Popullit, ishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO219/19. Aktgjykimi, më tej, sqaron që Ligji i kontestuar, me qëllim të krijimit të një “sistemi të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik”, shfuqizon (i) Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë; (ii) dispozita të caktuara të ligjeve të veçanta ndërlidhur me institucione dhe agjenci të pavarura; si dhe (iii) çdo ligj dhe akt tjetër nënligjor që është në kundërshtim me përcaktimet e tij. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, i njëjti përmes Shtojcave përkatëse, kategorizon të gjithë funksionarët/zyrtarët dhe nëpunësit publikë që bien në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar, në pozita, grupe, klasa dhe koeficientë. Efekti i këtij kategorizimi në ndërlidhje me vlerën e koeficientit të përcaktuar përmes Ligjit nr.08/L-213 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, ka rezultuar në ngritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese të zyrtarëve të sektorit publik dhe zbritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese tjetër. Kategoritë e afektuara nga zbritja e nivelit të pagave, përfitojnë nga një periudhë tranzitore dy (2) vjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit, përkatësisht (i) gjatë vitit të parë, njëqind përqind (100%) të shtesës tranzitore dhe rrjedhimisht, përgjatë këtij viti nuk afektohen nga zbritja e nivelit të pagës; ndërsa, (ii) gjatë vitit të dytë, pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që nga të drejtat e periudhës tranzitore, janë përjashtuar (i) anëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilët për pasojë janë afektuar me zbritje të menjëhershme pagash përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) të gjithë personat që janë punësuar në sektorin publik pas hyrjes së tij në fuqi. Më tej, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar gjithashtu (i) delegon përcaktimin e vlerës së koeficientit në një ligj tjetër, përkatësisht Ligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës; (ii) saktëson që zbritja e nivelit të pagës në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm në rast të dy rrethanave përjashtimore, përkatësisht një “tronditje makroekonomike” apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme; (iii) saktëson rregullat e përcaktimit të kategorive të shtesave dhe kompensimeve, përfshirë tavanet/kufijtë përkatës buxhetor, duke saktësuar gjithashtu që këto çështje rregullohen ekskluzivisht me këtë ligj dhe mund të rregullohen më tej vetëm me akte të tjera nënligjore; dhe (iv) përcakton kompetencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), për të miratuar, ndër tjerash, çështjet që ndërlidhen me strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve në institucionet publike të Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, Ligji i kontestuar tashmë ka prodhuar efektet e tij tek kategoritë të cilave u është ngritur niveli i pagës, si dhe tek kategoritë që u është zbritur niveli i pagës e që nuk i janë nënshtruar mbrojtjes përmes periudhës tranzitore, përkatësisht (i) për të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës, sepse lartësia e shtesës për përvojën e punës është përgjysmuar me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili është përjashtuar nga e drejta në shtesë tranzitore. Me përfundimin e afatit një (1) vjeçar të periudhës/shtesës tranzitore, përkatësisht nga 5 shkurti 2024, me zbritje prej pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore, do të afektohen të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që hyjnë në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar dhe të cilëve u është zbritur niveli i pagës sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar.

Avokati i Popullit, duke u mbështetur edhe në njëqind e katër (104) ankesa të dorëzuara pranë Institucionit të tij nga funksionarë/zyrtarë/nëpunës, organizata e asociacione, me pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i zbritjes së nivelit të pagave në sektorin publik, në esencë, para Gjykatës pretendon që Ligji i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me (i) të drejtat dhe liritë themelore, përfshirë të drejtën për barazi para ligjit dhe të drejtën për gëzim paqësor të pronës; dhe (ii) ndarjen dhe balancimin e pushteteve në Republikën e Kosovës, në cenim të garancive kushtetuese për pavarësinë e institucioneve të pavarura. Avokati i Popullit, më saktësisht, pretendon që Ligji i kontestuar është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë, ndër tjerash, sepse delegon përcaktimin e vlerës së koeficientit në Ligjin për Ndarjet Buxhetore, ligj i cili është miratuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, duke rezultuar në zbritjen selektive dhe arbitrare të nivelit të pagave të një pjese të konsiderueshme të sektorit publik, në kundërshtim me përcaktimet e vet Ligjit të kontestuar, sipas të cilit, zbritja e pagave mund të jetë pasojë vetëm e një tronditjeje makroekonomike ose shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Për më tepër, Avokati i Popullit pretendon që (i) zbritja joproporcionale e nivelit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, ligjet e aplikueshme, standardet ndërkombëtare dhe Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese; (ii) zbritja arbitrare e nivelit të pagave të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, si e vetmja kategori e sektorit publik të cilën Ligji i kontestuar e përjashton nga periudha dy (2) vjeçare tranzitore, është në kundërshtim me parimet e barazisë para ligjit; (iii) të gjithë të punësuarit në sektorin publik pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, trajtohen në mënyrë të pabarabartë përgjatë periudhës tranzitore, sepse nuk përfitojnë “pagë të njëjtë për punë të njëjtë”, në kundërshtim me vet garancitë e Ligjit të kontestuar; (iv) e drejta në gëzim paqësor të pronës të të gjithë funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve publikë deri në pesëmbëdhjetë (15) vite përvojë pune, është cenuar si rezultat i zbritjes së nivelit të shtesës për përvojë pune, pa ndjekur asnjë qëllim legjitim; (v) pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e pushtetit gjyqësor dhe e institucioneve të pavarura kushtetuese, është cenuar në kundërshtim të plotë me garancitë kushtetuese dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese; dhe (vi) Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO219/19, përmes të cilit, Ligji paraprak për Pagat në Sektorin Publik, është shpallur në kundërshtim me Kushtetutën dhe përmes të cilit, janë përcaktuar parimet që duhet të respektohen lidhur me pagat në sektorin publik, nuk është zbatuar nga Qeveria dhe Kuvendi. Më tej, Avokati i Popullit kërkon nga Gjykata që vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar t’i nënshtrohet vetëm pjesa me efekt në zbritje të pagave dhe jo ajo në ndërlidhje me kategorinë që u janë ngritur pagat, sepse të drejtat e këtyre të fundit, nuk janë cenuar përmes Ligjit të kontestuar.

Pretendimet e Avokatit të Popullit u kundërshtuan nga Qeveria, përmes MPB-së. Kjo e fundit, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, thekson që qëllimi i Ligjit të kontestuar është “harmonizimi i pagave në sektorin publik” dhe për më tepër, që i njëjti nuk ka prodhuar efektin e zbritjes së nivelit të pagave në sektorin publik. Kjo, sipas Ministrisë, ndër tjerash, sepse (i) vlera e koeficientit nuk është përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, por përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore, i cili nuk është kontestuar para Gjykatës; (ii) Ligji i kontestuar është i parashikueshëm sepse përcakton rrethanat në të cilat zbritja e pagës mund të bëhet në të ardhmen, ndërsa përcakton periudhë tranzicioni dy (2) vjeçare, përgjatë së cilës niveli i pagave të zbritura do të ruhet sipas përshkallëzimit të përcaktuar në të njëjtin; (iii) pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk është cenuar sepse pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk janë zbritur, por janë ngritur, duke marrë parasysh që Vendimi [nr.20/14] i Qeverisë i 20 dhjetorit 2017 dhe i cili kishte rezultuar në ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ishte nxjerrë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm dhe për pasojë, i njëjti është shfuqizuar nga Qeveria aktuale përmes Vendimit [nr.03/109] të 23 nëntorit 2022. Për më tepër, sipas MPB-së dhe ndër tjerash, (i) bazuar në Kushtetutë, është Qeveria ajo që propozon dhe Kuvendi që miraton buxhetin e Republikës së Kosovës; (ii) Ligji i kontestuar është në përputhje me ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe nuk cenon pavarësinë e institucioneve të pavarura; dhe (iii) përshkallëzimi i vlerës së shtesës së përvojës së punës është në përputhje me qëllimin e ligjvënësit për të “mbështetur dhe stimuluar kontributin si shërbim ndaj shtetit dhe shoqërisë”.

Në kontekst të fushëveprimit të vlerësimit, Aktgjykimi, fillimisht dhe ndër tjerash, thekson që (i) Kuvendi ka kompetencën e plotë kushtetuese për miratimin e ligjeve dhe përzgjedhjen e politikave që ngërthejnë të njëjtat, për aq sa ligjet e miratuara të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe vlerat e parimet e proklamuara aty; dhe (ii) sipas praktikës së saj të konsoliduar gjyqësore, në vlerësimin e kushtetutshmërisë së akteve të kontestuara, Gjykata fokusohet vetëm në interpretimin dhe mbrojtjen e normave kushtetuese dhe jo në vlerësimin e përzgjedhjes së politikës publike që ka dërguar deri tek miratimi i një ligji të caktuar.

Në kontekstin e lartcekur dhe në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi, ndër tjerash, fillimisht shtjellon (i) parimet e përgjithshme lidhur me ndarjen dhe ndërveprimin e pushteteve në Republikën e Kosovës, përfshirë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, sistemit prokurorial dhe institucioneve të pavarura kushtetuese; (ii) parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore relevante e Gjykatës Kushtetuese, me theks në Aktgjykimet që, ndër vite, kanë shtjelluar në mënyrë specifike çështjet që ndërlidhen me pavarësinë funksionale, organizative dhe buxhetore të institucioneve të pavarura kushtetuese, përfshirë në kontekst të organizimit të tyre të brendshëm dhe rregullimit të specifikave lidhur me personelin e tyre; dhe (iii) parimet që janë përcaktuar përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO219/19 lidhur me pagat në sektorin publik, përfshirë në kontekst të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe të drejtave dhe lirive themelore. Për më tepër, Aktgjykimi gjithashtu shtjellon parimet e përgjithshme që burojnë nga praktikat relevante ndërkombëtare, përfshirë (i) Opinionet e Komisionit të Venecias; (ii) praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDBE), përmes të cilave janë shqyrtuar pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore si pasojë e zbritjes së pagave/beneficioneve në sektorin publik; dhe (iii) praktikën gjyqësore të Gjykatave tjera Kushtetuese në shqyrtimin e ligjeve që ndërlidhen me pagat në sektorin publik, përfshirë por duke mos u kufizuar në Gjykatat Kushtetuese/Supreme të Bosnje dhe Hercegovinës, Kanadasë, Letonisë, Polonisë, Portugalisë, Qipros, Sllovenisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Aktgjykimi gjithashtu rikujton faktin që përmes Aktgjykimit KO219/19, Gjykata, specifikisht, kishte tërhequr vërejtjen që bazuar në parimet kushtetuese, ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe parimet relevante ndërkombëtare (i) pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të zbriten përgjatë ushtrimit të funksionit të tyre, përveç nëse zbritja përkatëse është bërë në mënyrë proporcionale dhe në kontekst të krizave ekonomike të njohura zyrtarisht; (ii) pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese duhet të respektohet; (iii) barra e zbritjes së pagave, nëse veç konsiderohet si e domosdoshme për shkak të krizës ekonomike, duhet të jetë proporcionale, ashtu që asnjë sektor i veçantë të mos e marrë përsipër barrën kryesore; dhe (iv) Qeveria, si propozuese e ligjeve dhe Kuvendi, si ligjvënës, gjatë hartimit të legjislacionit që ka të bëjë me pagat në sektorin publik, qoftë përmes një ligji të përgjithshëm ose përmes disa ligjeve të veçanta apo edhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese, duhet të kenë parasysh shkallën e parashikueshmërisë, si pjesë e parimit të sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit, përfshirë të drejtat kushtetuese për barazinë para ligjit dhe gëzimin paqësor të pronës, të të gjithë personave që mund të preken nga zbritja e mundshme e nivelit të pagave.

Marrë parasysh parimet e lartcekura dhe të shtjelluara detajisht në Aktgjykim dhe ndërlidhjen e pretendimeve dhe dispozitave të kontestuara me njëra tjetrën, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit të lartcekur, në parim, rezulton në konstatime të Gjykatës që ndërlidhen me dy kategori çështjesh, përkatësisht (i) sistemin e pagave dhe shpërblimeve dhe procedurave përkatëse, për aq sa afekton pavarësinë funksionale, organizative dhe buxhetore të institucioneve të pavarura kushtetuese; dhe (ii) të drejtat dhe liritë themelore në raport me zbritjen e nivelit të pagave të funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve publikë.

(i) rregullat dhe kushtet për përcaktimin e nivelit të pagave që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura kushtetuese

Aktgjykimi thekson që Ligji i kontestuar, ndër tjerash, saktëson edhe rregullat për përcaktimin e shtesave, kompensimeve dhe ekuivalencave, përfshirë krijimin e funksioneve, pozitave apo emërtesave të reja në institucionet publike. I njëjti, në kontekst të nëpunësve në (i) Presidencën e Republikës së Kosovës; (ii) Gjykatën Kushtetuese; (iii) Sistemin e Drejtësisë; (iv) Kuvendin e Republikës së Kosovës; dhe (v) institucionet e pavarura kushtetuese, saktëson që “zbatohet për aq sa nuk cenon pavarësinë e tyre funksionale dhe organizative të garantuar me Kushtetutë”. Megjithatë, përkundër një formulimi të tillë, Ligji i kontestuar gjithashtu (i) specifikon që rregullat dhe kushtet për përcaktimin e pagës, shtesave e kompenzimeve të të punësuarve në sektorin publik, janë ekskluzivisht objekt i rregullimit nga ky ligj dhe mund të rregullohen edhe me akte të tjera nënligjore, vetëm kur parashihet shprehimisht nga ky ligj; ndërsa (ii) shfuqizon çdo dispozitë të ligjit apo aktit tjetër nënligjor, përfshirë dispozitat përkatëse të ligjeve të veçanta të institucioneve të pavarura dhe aktet e tyre nënligjore, që rregullojnë çështjen e pagës, kompensimeve, shtesave, shpërblimeve apo një kategorie tjetër në fushën e pagave, e që nuk është autorizuar shprehimisht sipas dispozitave të këtij ligji. Rrjedhimisht dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përmbushja e pavarësisë funksionale, organizative dhe të administrimit të pavarur buxhetor të institucioneve të pavarura kushtetuese, është kushtëzuar vetëm në nxjerrjen e akteve nënligjore nën kufizimet specifike të Ligjit të kontestuar. Një qasje e tillë nuk është ndjekur në kontekst të institucioneve të pavarura përmes Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i cili i është nënshtruar kontrollit të kushtetutshmërisë përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO216/22_dhe KO220/22, ligj ky që institucioneve të lartcekura, u njeh të drejtën e ushtrimit të funksioneve përkatëse edhe me ligje të veçanta. Sipas sqarimeve të dhëna, një përcaktim i tillë i Ligjit të kontestuar, kushtëzon dhe cenon pavarësinë e institucioneve të pavarura, me theks në dy kategori çështjesh, përkatësisht lidhur me (i) përcaktimin e nivelit të shtesave mbi pagën bazë; dhe (ii) përcaktimin e ekuivalencave.
Në kontekst të çështjes së parë, përkatësisht kushteve dhe tavaneve buxhetore për përcaktimin e shtesave, Aktgjykimi sqaron që sipas Ligjit të kontestuar, lartësia e shtesave, në parim, përcaktohet në vlerën prej zero pikë një përqind (0.1%) deri në zero pikë pesë përqind (0.5%) të fondeve totale të përdorura për pagën bazë të zyrtarëve publikë të organizatës përkatëse buxhetore në të njëjtin vit fiskal, ndërsa për këtë qëllim, Qeveria trajtohet si një (1) organizatë e vetme buxhetore. Përtej konstatimit që, kushtëzimi i institucioneve të pavarura që të përmbushin pavarësinë e tyre kushtetuese vetëm përmes nxjerrjes së akteve nënligjore nën rrethanat e kushtëzuara përmes Ligjit të kontestuar, cenon pavarësinë e tyre organizative dhe buxhetore, Aktgjykimi, ndër tjerash, vë theks edhe në tri çështje, përkatësisht (i) që përmbushja e qëllimit të normave që përcaktojnë tavane buxhetore në shtesa, ndërlidhet me tërësinë e fondeve për pagën bazë me të cilat disponon institucioni përkatës dhe në kontekst të përcaktimit që Qeveria do të trajtohet si një (1) organizatë e vetme buxhetore dhe marrë parasysh që fondet e tërësishme që e njëjta i disponon janë pakrahasimisht më të larta sesa ato të institucioneve të pavarura kushtetuese, Qeveria vihet në pozitë më të favorshme krahasuar me institucionet tjera; (ii) për më tepër, më pak se dy (2) muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, përmes Ligjit nr.08/L-213 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.08/L-193 për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, i është mundësuar Qeverisë që të tejkalojë tavanet buxhetore të shtesave të përcaktuara përmes Ligjit të kontestuar, me vendim të Ministrit, duke përjashtuar rrjedhimisht, të paktën Qeverinë nga kufizimet e Ligjit të kontestuar; dhe (iii) për deputetët e Kuvendit dhe/ose anëtarët e kuvendeve komunale, përmes Ligjit të kontestuar, është përcaktuar vlera prej tridhjetë përqind (30%) të shtesave mbi pagën përkatëse bazë. Një qasje e tillë, përmes të cilës, në esencë, pushtetet dhe institucionet e pavarura kushtetuese janë të vetmet që i nënshtrohen kufizimeve, përkatësisht tavaneve buxhetore në kontekst të shtesave, nuk është në përputhje me garancinë kushtetuese për pavarësinë institucionale të tyre dhe me ekuilibrin e ndërveprimit ndër-pushtetesh.

Ndërsa, në kontekst të çështjes së dytë, përkatësisht përcaktimit të ekuivalencave, Aktgjykimi sqaron që Ligji i kontestuar ndalon çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficientëve të pagave dhe çdo krijim të funksioneve, pozitave apo emërtesave të reja e kushtëzon me miratimin e Qeverisë, përkatësisht MPB-së. Një përcaktim i tillë ligjor, përmes të cilit, çështjet që ndërlidhen me pavarësinë funksionale dhe të organizimit të brendshëm të institucioneve të pavarura kushtetuese, duhet t’i nënshtrohet miratimit të Qeverisë, tashmë është shpallur në kundërshtim me Kushtetutën, në një numër aktgjykimesh të Gjykatës, përfshirë (i) KO73/16 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Qarkores Administrative nr.01/2016 të nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike; (ii) KO171/18 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; (iii) KO203/19 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë; (iv) KO219/19 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik; dhe së fundi, (v) KO216/22 dhe KO220/22 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë.

Aktgjykimi, më tej, sqaron që (i) të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës i nënshtrohen detyrimit të zbatimit të ligjeve relevante përkitazi me menaxhimin e financave publike, procedurave të auditimit të brendshëm sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 06/L-021 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike dhe kontrollit të Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës bazuar në përcaktimet e neneve 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; dhe (ii) rikujton që Gjykata në mënyrë të vazhdueshme ka theksuar që pavarësia kushtetuese e institucioneve të pavarura kushtetuese nuk duhet të nënkuptohet si autorizim kushtetues për të vepruar në izolim nga pushtetet e tjera të përcaktuara me Kushtetutë. Aktgjykimi, megjithatë thekson që në ushtrimin e këtyre detyrave publike, përfshihet edhe obligimi i secilit pushtet që të përkujdeset për respektim të pavarësisë së pushtetit, tek i cili po krijon një “ndërhyrje” në dëm të ekuilibrit kushtetues. Në mbrojtje të këtij parimi, Gjykata ka theksuar në vazhdimësi që, Qeveria dhe Kuvendi, në ushtrimin e kompetencës për të propozuar dhe votuar ligje, duhet të sigurohen që të ruajnë pavarësinë kushtetuese të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve tjera shtetërore të cilat Kushtetuta i ka mveshur me garanci kushtetuese të pavarësisë “funksionale, organizative dhe buxhetore”. Ligji i kontestuar, në kundërshtim me pavarësinë kushtetuese të institucioneve të pavarura dhe praktikën gjyqësore konsistente të Gjykatës Kushtetuese, nuk respekton këtë parim. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

(ii) të drejtat dhe liritë themelore në raport me zbritjen e nivelit të pagës të funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve publikë

Në vlerësimin nëse zbritja e nivelit të pagave në sektorin publik, ka cenuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, Aktgjykimi, fillimisht shtjellon praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në kontekst të vlerësimit të cenimit të të drejtave si rezultat i zbritjes së pagave/beneficioneve sociale përgjatë krizave ekonomike dhe sipas të cilës, rezulton që pagat/beneficionet sociale që burojnë, ndër tjerash, nga një e drejtë konkrete në ligjet e aplikueshme, përbëjnë një “pasuri” të ndërlidhur me “pritje legjitime” dhe rrjedhimisht, konsiderohet që gjenerojnë një interes pronësor që bie në fushëveprimin e nenit 1 (Mbrojta e pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së. Për pasojë dhe më tej, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika e lartcekur gjyqësore, Aktgjykimi sqaron që nuk është kontestuese që zbritja e nivelit të pagave në sektorin publik ka rezultuar në “ndërhyrje/kufizim” të së drejtës në gëzim paqësor të pronës dhe që një “ndërhyrje/kufizim” i tillë, është i “përcaktuar me ligj” dhe ndjek “një qëllim legjitim”, përkatësisht atë të “njëtrajtshmërisë” së pagave në sektorin publik. Megjithatë, Aktgjykimi sqaron që në rastet që ka shqyrtuar GJEDNJ në lidhje me zbritjen e pagave/beneficioneve sociale, zbritja përkatëse nuk ishte rezultat i një qëllimi të tillë legjitim, por pasojë e krizave ekonomike dhe/ose masave të ndërmarra për të adresuar deficitet buxhetore. Thënë këtë, Aktgjykimi më tej fokusohet në vlerësimin nëse “ndërhyrja/kufizimi” në të drejtat dhe liritë themelore është “proporcional” me qëllimin e ndjekur, dhe nëse ka një “ekuilibër të drejtë” në mes të interesit të përgjithshëm dhe detyrimit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të subjekteve të afektuara, të cilët nuk duhet të bartin barrë proporcionalisht më të madhe në realizimin e këtij qëllimi. Në këtë vlerësim, Aktgjykimi fokusohet në pesë (5) kategori funksionarësh/zyrtarësh/nëpunësish që janë afektuar përmes Ligjit të kontestuar, përkatësisht (a) gjyqtarët dhe prokurorët; (b) funksionarët/zyrtarët/nëpunësit tjerë të cilët janë afektuar nga zbritja e nivelit të pagës; (c) shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës; (d) funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (e) të gjithë të punësuarit në sektorin publik për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës në kontekst të përgjysmimit të lartësisë së shtesës për përvojën e punës përmes Ligjit të kontestuar.

(a) gjyqtarët dhe prokurorët

Aktgjykimi, ndër tjerash, thekson që standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare në kontekst të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, tashmë janë shtjelluar, ndër vite, përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës. Aktgjykimi, më tej, sqaron që (i) përkitazi me nivelin e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka garanci që burojnë nga instrumente ndërkombëtare dhe kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës; (ii) ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ligji për Gjykatat dhe Ligji për Prokurorin e Shtetit, garantojnë mbajtjen e nivelit të njëjtë të pagës gjatë mandatit të një gjyqtari dhe/ose prokurori, dispozita këto të cilat Ligji i kontestuar i shfuqizon; (iii) gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës, janë kategoria e cila është afektuar më së shumti përmes Ligjit të kontestuar, përkatësisht deri në pesëdhjetë përqind (50%) zbritje në vlerës së pagës; dhe (iv) bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, GJDBE-së dhe Aktgjykimeve të Gjykatave tjera Kushtetuese, të vetmet raste kur gjykatat e lartcekura nuk kanë konstatuar shkelje në kontekst të zbritjes së nivelit të pagave të pushtetit gjyqësor, janë rrethanat e krizave ekonomike/financiare, përgjatë të cilave janë ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse për stabilizimin e ekonomisë, duke rezultuar në zbritje të përkohshme dhe të përshkallëzuar të pagave të të gjithë zyrtarëve publikë, duke vendosur mbi gjyqtarët dhe prokurorët barrë të barabartë sikurse mbi zyrtarët e tjerë. Në rrethanat e Ligjit të kontestuar, ky dukshëm nuk është rasti. Për më tepër, sipas shtjellimeve në Aktgjykim, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes Vendimit [nr.20/14] të 20 dhjetorit 2017 të Qeverisë, është shqyrtuar përmes Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KO12/18, i cili ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur. Sipas sqarimeve të dhëna, zbritja joproporcionale e nivelit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës, nuk ngërthen vetëm çështje që ndërlidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe çështje serioze të cenimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe ekuilibrit kushtetues e vlerave të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

(b) kategoritë tjera të funksionarëve, zyrtarëve dhe nëpunësve që afektohen me zbritje të nivelit të pagave përmes Ligjit të kontestuar

Aktgjykimi rikujton që në Aktgjykimin e saj paraprak që ndërlidhet me pagat në sektorin publik, përkatësisht Aktgjykimin KO219/19, veçanërisht kishte theksuar që (i) përderisa qëndrueshmëria e financave publike është me interes për të gjithë, arritja e këtij qëllimi duhet të aplikohet në mënyrë universale, përkatësisht barra duhet shpërndarë në mënyrë të barabartë midis të gjithë zyrtarëve; dhe (ii) barra e uljes së pagave, nëse veç konsiderohet si e domosdoshme për shkak të krizës ekonomike, duhet të jetë proporcionale dhe të përfshijë të gjithë në mënyrë të barabartë, ashtu që asnjë sektor i veçantë të mos e marrë përsipër barrën kryesore. Një qëndrim i tillë është i mbështetur edhe nga standardet ndërkombëtare, përfshirë praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së. Kjo e fundit, reflekton disa karakteristika të përbashkëta, përkatësisht që (i) zbritjet e pagave/beneficioneve dhe/ose përcaktimet/ngritjet e taksave ndërlidheshin me vendosjen e masave gjithëpërfshirëse për të adresuar krizat ekonomike dhe/ose deficitet buxhetore në shtetet përkatëse; (ii) zbritjet ishin gjithnjë të përkohshme, me raste duke përfshirë edhe mekanizma përmes të cilave nivelet e pagave gradualisht ktheheshin në nivelin paraprak; dhe (iii) ishin aplikuar në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë administratës shtetërore. Aktgjykimi sqaron që Ligji i kontestuar, dallon në mënyrë thelbësore nga rrethanat e lartcekura, ndër tjerash, sepse zbritja selektive e nivelit të pagave në sektorin publik (i) nuk ndërlidhet në asnjë rrethanë me krizë ekonomike, deficit buxhetor ose rrethana të jashtëzakonshme; (ii) nuk është e përkohshme e as e njëtrajtshme; (iii) ka ngritur nivelin e pagave të një kategorie të funksionarëve/zyrtarëve dhe nëpunësve në mënyrë substanciale, ndërsa ka afektuar me zbritje po aq substanciale disa nga kategoritë tjera, përfshirë duke përjashtuar kategori të tëra nga të drejtat e periudhës tranzitore. Sipas sqarimeve të dhëna, mekanizmi i zgjedhur nga ligjvënësi për të realizuar qëllimin e Ligjit të kontestuar, nuk përmbushë detyrimet që burojnë nga neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] i Kushtetutës, sipas të cilit, në kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore, institucionet publike janë të detyruara të vlerësojnë raportin midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël. Duke vënë barrë joproporcionale vetëm në disa kategori të sektorit publik, nuk është arritur një “ekuilibër i drejtë” në mes interesit të përgjithshëm dhe detyrimit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, me pasojën e cenimit të të drejtave për gëzim paqësor të pronës në mënyrë plotësisht joproporcionale. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafët 2 dhe 3 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së.

(c) shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës

Aktgjykimi, në vijim, sqaron që shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës është proporcionalisht ndër më të afektuarit nga zbritja e nivelit të pagës, së bashku me kategorinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por për dallim nga këta të fundit, gjithashtu është përjashtuar edhe nga e drejta në shtesën tranzitore dhe rrjedhimisht është afektuar me zbritje të menjëhershme të nivelit të pagës përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar. Për pasojë, dhe sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, përtej cenimit joproporcional të së drejtës në gëzim paqësor të pronës, kategoria e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, ngritë edhe çështje që ndërlidhen me barazinë para ligjit. Në kontekst të kësaj të fundit, Aktgjykimi shtjellon parimet që burojnë nga neni 24 [Barazia para Ligjit] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të KEDNJ-së dhe në aplikimin e kritereve përkatëse për të konstatuar nëse “dallimi në trajtim” rezulton në shkelje të dispozitave të lartcekura, Gjykata ka konstatuar që ky është rasti përkitazi me kategorinë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së dhe me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.

(d) kategoria e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që punësohen pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar

Aktgjykimi, gjithashtu sqaron që sipas Ligjit të kontestuar, çdo person që punësohet pas miratimit të tij, përfiton pagën sipas Shtojcave përkatëse të Ligjit dhe nuk gëzon të drejtën e shtesës tranzitore. Për pasojë, një pjesë e kësaj kategorie, kompensohet me pagë më të ulët dhe të ndryshme për punë të barabartë në kontekst të pozitave ekuivalente, për një periudhë dy (2) vjeçare, përkatësisht për aq sa zgjatë periudha tranzitore. Aktgjykimi tutje sqaron, që kjo kategori e cila është punësuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, nuk i nënshtrohet garancive që ndërlidhen me të drejtën në gëzim paqësor të pronës në kontekst të fushëveprimit të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së. Thënë këtë, e njëjta ngritë çështje që ndërlidhen me parimet e barazisë para ligjit të garantuara përmes nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, sepse një pjesë e funksionarëve/zyrtarve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e këtij ligji, por që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të të njëjtit, nuk do të kenë pagë të njëjtë dhe/ose të barabartë me kolegët e tyre që janë punësuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, në kundërshtim edhe me vet garancitë që ngërthen Ligji i kontestuar. Sipas shtjellimeve të dhëna në Aktgjykim, dhe në aplikimin e kritereve përkatëse që ndërlidhen me të drejtat për barazi para ligjit, Gjykata ka konstatuar që “dallimi në trajtim” në mes këtyre dy kategorive, nuk është proporcional me qëllimin e ndjekur dhe rrjedhimisht, rezulton në cenimin e të drejtave për barazi para ligjit të kësaj kategorie funksionarësh/zyrtarësh dhe nëpunësish. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të KEDNJ-së.

(e) përgjysmimi i lartësisë së shtesës për përvojën e punës përgjatë pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës

Aktgjykimi gjithashtu sqaron që Ligji i kontestuar e përgjysmon lartësinë e shtesës për përvojën e punës, nga zero pikë pesë përqind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë përqind (0.25%), për çdo vit të plotë pune përgjatë pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës, duke afektuar lartësinë e pagës për të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që hyjnë në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar. Sipas shtjellimeve në Aktgjykim, nuk është kontestuese që e drejta e shtesës në pagën bazë prej zero pikë pesë përqind (0.5%) për çdo vit të përvojës së punës buron nga neni 18 (Shtesa mbi pagën për përvojën e punës) i ligjit paraprak, përkatësisht, Ligjit nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë dhe rrjedhimisht, “ndërhyrja” në këtë të drejtë përmes Ligjit të kontestuar, i nënshtrohet kontrollit të garancive të përcaktuara përmes nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së. Aktgjykimi, duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së sqaron që, përderisa nuk është kontestuese që “ndërhyrja” përkatëse në të drejtën për gëzim paqësor të pronës është “e përcaktuar” përmes Ligjit të kontestuar, e njëjta nuk ndjek asnjë “qëllim legjitim”. Kjo, ndër tjerash, sepse përgjysmimi i nivelit të lartësisë së shtesës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës, (i) nuk është bërë as për qëllime të krizës ekonomike apo të një situate të jashtëzakonshme, dhe (ii) as për qëllime të “njëtrajtshmërisë së sistemit të pagave në sektorin publik” që reflekton qëllimin e Ligjit të kontestuar, por (iii) sipas MPB-së, është bërë për të “mbështetur dhe stimuluar kontributin si shërbim ndaj shtetit dhe shoqërisë”. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, një qëllim i tillë, nuk reflekton detyrimet që burojnë nga neni 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] i Kushtetutës, sipas të cilit, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore, nuk mund të bëhen për qëllime të tjera, përveç atyre për të cilat janë përcaktuar, për më tepër që, nuk reflekton as detyrimin e autoritetit publik që të balancojë kufizimin dhe qëllimin që synohet të arrihet, duke shqyrtuar mundësinë e realizimit të qëllimit me kufizim më të vogël. Për pasojë, Gjykata ka konstatuar që paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të KEDNJ-së.

(iii) efektet e konstatimeve të Gjykatës

Në fund dhe në kontekst të efekteve të Aktgjykimit që ndërlidhen me konstatimet e Gjykatës përkitazi me mospërputhshmërinë me Kushtetutën të dispozitave të lartcekura të Ligjit të kontestuar, duke u bazuar në parimet që burojnë nga Opinionet relevante të Komisionit të Venecias, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, me theks në balancimin në mes të parimit të sigurisë juridike dhe të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, Aktgjykimi sqaron katër (4) kategoritë kryesore të efekteve të tij, si në vijim:

Së pari, konstatimet e Aktgjykimit, nuk afektojnë në asnjë mënyrë kategorinë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit të kontestuar.

Së dyti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë shfuqizimi i paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ka pasojën e ruajtjes së nivelit ekzistues të pagave në sektorin publik derisa paga e re, përkatësisht ajo e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, të bëhet e barasvlershme me pagën ekzistuese. Një përcaktim i tillë buron nga paragrafi 1 i nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, sipas të cilit, nëse një zyrtar publik apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë. Rritja e vlerës së koeficientit për çdo vit fiskal në raport me zvogëlimin proporcional të shtesës tranzitore, duke e ruajtur nivelin e pagës ekzistuese për kategoritë që kanë pësuar zbritje pagash, gradualisht rezulton në “harmonizimi
n/nivelizimin” e plotë me nivelin e pagës së re, të cilën e saktëson Ligji i kontestuar përmes Shtojcave përkatëse. Për më tepër, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe shfuqizimi i paragrafit 3 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, në kontekst të kategorisë së shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, ngërthen detyrimin e trajtimit të kësaj kategorie sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar.

Së treti, shpallja në kundërshtim me Kushtetutën dhe për pasojë, shfuqizimi i paragrafit 4 të nenit 41 (Shtesat tranzitore) të Ligjit të kontestuar, ngërthen detyrimin e nivelizimit të pagave, nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të kategorisë të të punësuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit të lartcekur, bazuar në vet nenin 4 (Parimet e sistemit të pagave) të tij, sipas të cilit, ndër tjerash, “secili, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të barabartë të marrë pagë të barabartë”.

Së katërti, përkundër faktit që (i) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar e që ndërlidhet me lartësinë e shtesës për përvojë të punës; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) i Ligjit të kontestuar ndërlidhur me dispozitat e saktësuara në dispozitivin e Aktgjykimit, janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën, Gjykata nuk ka shfuqizuar të njëjtat, sepse (i) shfuqizimi i të parës ndërlidhur me faktin që Ligji i kontestuar gjithashtu shfuqizon Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civil, do të rezultonte në zbrazëti ligjore përkitazi me të drejtën për shtesa mbi pagën për përvojën e punës; ndërsa (ii) shfuqizimi i të dytës, do të afektonte zbatimin e Ligjit të kontestuar në tërësinë e tij. Për pasojë, bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, të ndryshojë dhe/ose plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës, me sqarimin që në kontekst të (i) paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, të drejtat që ndërlidhen me shtesën në përvojën e punës duhet të saktësohen përmes ndryshimit/plotësimit të Ligjit të kontestuar nga Kuvendi, por me efekt nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi; ndërsa (ii) paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese, interpretohet dhe zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës. Kjo e fundit, marrë parasysh përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij Aktgjykimi, ka përcaktuar që Aktgjykimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2024.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org