Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO 139/21

16.06.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KO 139/21, të parashtruar nga Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-040 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 21 korrikut 2021, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim meritor; (ii) Vendimi [nr. 08-V-040] i 21 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës është në pajtueshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; si dhe (iii) të refuzojë kërkesën për masën e përkohshme.

Thelbi që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, ka të bëj me faktin se Komisioni i Kuvendit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, përmes Rekomandimit [nr. 08/383/Do-2499], i rekomandoi Kuvendit të bëjë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, me arsyetimin që anëtarët e Bordit të lartcekur kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të përcaktuara me Ligjin nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës. Për pasojë, më 21 korrik 2021, në seancën plenare të Kuvendit, u votua lidhur me rekomandimin e lartcekur të Komisionit përkatës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, me votim të veçantë për secilin anëtar.

Parashtruesit e kërkesës pretenduan para Gjykatës se vendimi i kontestuar, si në aspektin përmbajtjesor dhe në atë procedural, është në kundërshtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, si dhe shkel të drejtat kushtetuese të anëtarëve të shkarkuar të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të përcaktuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] i Kushtetutës, përkatësisht nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, ndër të tjera, sepse (i) Kuvendi ka tejkaluar kompetencën e tij mbikëqyrëse të përcaktuar me Kushtetutë në ndërlidhje me Ligjin nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës, që përcakton rolin e Kuvendit në raport me Bordin e Hekurudhave të Kosovës; (ii) Vendimi i kontestuar nuk ishte i arsyetuar; dhe (iii) anëtarët e shkarkuar të Bordit nuk kishin mjet juridik për të kontestuar vendimin e kontestuar.

Në vlerësimin e argumenteve përkatëse dhe rrethanave që ngërthen rasti, Gjykata fillimisht (i) vlerësoi pranueshmërinë përkitazi me pretendimet e parashtruesve të kërkesës; (ii) elaboroi parimet e përgjithshme të përcaktuara me Kushtetutë, përfshirë edhe kompetencën e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes së Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës; dhe (iii) parimet e përgjithshme për aplikimin e nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës; si dhe në lidhje me (iv) nenin 31, nenin 32 dhe nenin 54 të Kushtetutës; dhe në fund (v) aplikoi këto parime në vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Kuvendit.
Përkitazi me pretendimin e parashtrueseve për shkelje të nenit 142 të Kushtetutës, Gjykata fillimisht theksoi se, si parashtruesi i kërkesës ashtu edhe Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, përkundër kërkesës së Gjykatës për sqarime, nuk kanë ofruar argumentet e nevojshme për të sqaruar nëse Autoriteti Rregullativ të Hekurudhave bie apo jo në kuadër të fushëveprimit të nenit 142 të Kushtetutës, përkatësisht nëse i njëjti mund të kualifikohet si Agjenci e Pavarur për qëllime të nenit të lartcekur. Për pasojë, Gjykata në vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar u kufizua në rolin mbikëqyrës të Kuvendit të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës.

Në kontekst të kompetencës së Kuvendit të përcaktuar përmes paragrafit 9 të nenit 65 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesës ndërlidhet me kompetencën e Kuvendit për të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve i raportojnë Kuvendit. Lidhur me këtë, Gjykata, ndër të tjera, sqaroi se sipas paragrafit 6.8 të nenit 38 (Funksionimi i Autoriteti Rregullativ të Hekurudhave) të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës, përcaktohet se Kuvendi mund të shkarkojë një apo më shumë anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, nëse vlerësohet se të njëjtit kanë dështuar për t’i përmbushur çështjet e parashtruara, të cilat i kanë obligim në bazë të këtij ligji, duke vlerësuar se në rastin konkret ky ishte rasti, për arsye se Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, përmes Rekomandimit [nr. 08/383/Do-2499], kishte argumentuar mospërmbushjen e detyrave të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të përcaktuara me Ligjin nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës. Andaj, si rrjedhojë, Gjykata gjeti se Kuvendi me rastin e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Hekurudhave përmes vendimit të kontestuar, ka vepruar në rolin mbikëqyrës ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës dhe ka ushtruar funksionin e përcaktuar në nenin 38 të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës.

Në këtë drejtim, Gjykata vuri theks në faktin që përderisa Kuvendi në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës ka kompetencë mbikëqyrëse, një kompetencë e tillë i nënshtrohet përcaktimit dhe kufizimit të specifikuar me ligjin përkatës. Në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh specifikat e Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës, Gjykata vlerësoi që Kuvendi në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës nuk kishte tejkaluar kufijtë e përcaktuar në vet ligjin e miratuar nga Kuvendi, përkatësisht Ligjin nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës.

Në fund, përkitazi me pretendimet e parashtrueseve për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ishte e pabazuar për shkak se (i) Vendimi i kontestuar ishte bazuar në Rekomandimin e Komisionit përkatës i cili përmbante arsyet sipas së cilave propozohej shkarkimi i anëtarëve të Bordit; dhe se (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dëshmuar se legjislacioni në fuqi e përjashton këtë kategori funksionarësh publik nga detyrimi për të kërkuar mbrojtje juridike në gjykatat e rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org