Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 182/20

23.03.2022

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 182/20, të parashtruar nga: Sedat Kovaçi, Servet Ergin, Ilirjana Kovaçi dhe Sabrije Zhubi, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. 54/2020], të 6 korrikut 2020.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me procedurën kontestimore të iniciuar nga parashtruesit e kërkesës, fillimisht në Gjykatën Komunale në Prizren, kundër Komunës së Prizrenit, përmes të cilës kërkuan që të konstatohet se ata janë bashkëpronarë të një prone. Të gjithë parashtruesit e kërkesës, me autorizime individuale, autorizuan avokatin S.R., nga Prizreni, që t’i përfaqësojë ata në procedurën kontestimore, duke autorizuar të njëjtin po ashtu që të mund t’i transferoj autorizimin një avokati tjetër. Gjykata Komunale nxori Aktgjykimin përmes të cilit aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, vendim ky i cili më pas ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Qarkut në Prizren. Megjithatë, çështja ishte kthyer në rivendosje pas vendimit të Gjykatës Supreme, të nxjerrë sipas revizionit të Komunës së Prizrenit. Në procedurën e përsëritur, Gjykata Themelore në Prizren e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, vendim ky që u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit. Pas nxjerrjes së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, avokati S.R., në bazë të klauzolës së autorizimit i kishte transferuar të drejtën e përfaqësimit të parashtruesve të kërkesës avokatit E.G. Si përfaqësues i ri i parashtruesve, avokati E.G., parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit, e hodhi poshtë revizionin, duke deklaruar se në shkresat e lëndës nuk ekziston autorizimi me të cilën parashtruesit e kërkesës autorizuan avokatin E.G., për t’i përfaqësuar në Gjykatën Supreme.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan se, Aktvendimi i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ata pretenduan se duke hedhur poshtë si të palejuar revizionin e tyre, edhe me supozimin se nuk kishte autorizim në shkresat e lëndës për avokatin E.G., Gjykata Supreme ka vepruar në kundërshtim me garancitë procedurale për qasje në gjykatë të përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, parashtruesit e kërkesës theksuan se bazuar paragrafin 2 të nenit 93 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, gjykata mund të lejoj që veprimet në procedurë për palën përkohësisht t’i kryej personi që nuk e ka paraqitur prokurën, por njëkohësisht do ta urdhëroj atë që brenda afatit të caktuar ta paraqesë prokurën ose aprovimin e palës për veprimet procedurale të kryera. Përkundër garancie kushtetuese dhe ligjore, Gjykata Supreme, thjeshtë kishte hedhur poshtë revizionin e tyre, pa u kërkuar parashtruesve sqarimin/dorëzimin e autorizimit brenda një afati të caktuar dhe pa u dhënë mundësinë që të deklarohen lidhur me statusin juridik të avokatit E.G., i cili parashtroi kërkesën për revizion në emër të tyre.

Duke shqyrtuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkeljen e të drejtave të tyre, në kuadrin e të drejtës së “qasjes në gjykatë”, si një nga parimet kryesore për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas zbatoi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtyre parimeve, e drejta e “qasjes në gjykatë” nuk nënkupton vetëm të drejtën për të filluar procedurat pranë një gjykate, por, me qëllim që e drejta e qasjes në gjykatë të jetë efektive, individi duhet të ketë gjithashtu një mundësi “të qartë dhe reale” për të kontestuar vendimin që shkel të drejtat e tij/saj dhe që rasti i tij/saj të trajtohet në merita.

Pas vlerësimit të të gjitha rrethanave në këtë rast, Gjykata theksoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkeljen e së drejtës së “qasjes në gjykatë” ishin të bazuara, për shkak se Gjykata Supreme, bazuar në garancitë kushtetuese por edhe vet Ligjin për Procedurën Kontestimore, para hedhjes poshtë të revizionit në mënyrë krejtësisht formale, duhet t’u kishte dhënë mundësi parashtruesve të kërkesës që të sqarohen lidhur me çështjen e përfaqësimit të tyre nga avokati E.G., ose të jepej mundësia që avokati E.G. të sjellë brenda një afati të caktuar dëshminë e përfaqësimit të parashtruesve të kërkesës.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i Gjykatës Supreme ishte nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht e shpalli të njëjtin të pavlefshëm, duke e kthyer atë për rivendosje në Gjykatën Supreme.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.