Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 129/22

17.08.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 129/22, të parashtruar nga Saša Milosavljević, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj [2022:19820], të 12 gushtit 2022 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Pn1. nr. 1109/2022], të 5 shtatorit 2022.

Rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me vazhdimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës para ngritjes së aktakuzës në procedurë penale. Në rrethanat e rastit konkret, masa fillestare e paraburgimit, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj në dhjetor të vitit 2021. Kjo masë ishte vendosur duke marrë parasysh që, si rezultat i zhvillimit të hetimeve që ndërlidheshin me kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, ndaj parashtruesit të kërkesës ekzistonte dyshimi i bazuar se kishte kryer veprën penale (i) siç është përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 422 (Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar siç është përcaktuar) në lidhje me nenin 31 (Bashkëkryerja); (ii) siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 428 (marrja e ryshfetit); Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës nga 12 prilli 2012, dhe (iii) mbajtja në pronësi, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të neni 366 (Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve)të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës nga 14 janari 2019. Me kërkesë të Prokurorisë, masa e paraburgimit në rastin e parashtruesit të kërkesës ishte vazhduar disa herë nga Gjykata Themelore. Parashtruesi i kërkesës, në ankesën e dorëzuar në Gjykatën e Apelit, specifikisht kishte pretenduar që duke marrë parasysh se në rastin e tij ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprat e lartcekura penale për të cilat parashihet dënimi me burgim prej më shumë se 5 (pesë) vjet, bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 (Afatet kohore të paraburgimit) të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovë, paraburgimi i tij nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8)muaj para ngritjes së aktakuzës dhe për pasojë, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij ishte në kundërshtim me ligjin dhe me të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë. Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1. nr. 1109/2022] të 5 shtatorit 2022, kishte konfirmuar vazhdimin e paraburgimit.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi këtë Aktvendim para Gjykatës duke pretenduar që vazhdimi i paraburgimit të tij pas kalimit të periudhës tetë (8) mujore, siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, cenon të drejtat e tij të garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me caktimin e paraburgimit në kuptim të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi që caktimi i paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës është i bazuar në nenin 29.1.2 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5.1 (c) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku përcaktohet se paraburgimi mund të caktohet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj. Megjithatë, lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit në kontekst të veprës penale për kryerjen e së cilës dyshohet parashtruesi i kërkesës dhe para ngritjes së aktakuzës, në aspektin e garancive kushtetuese, Gjykata vazhdoi me vlerësimin nëse mungesa e trajtimit të pretendimeve konkrete lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të masës së paraburgimit nga ana e Gjykatës së Apelit, ka mundur të rezultojë në përfundime arbitrare dhe, rrjedhimisht, në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Në këtë kontekst, pas vlerësimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së vendimit të kontestuar, Gjykata vlerësoi se në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, por nuk kishte adresuar pretendimin specifik dhe thelbësor të ngritur në ankesën e tij para kësaj gjykate, përkatësisht nuk kishte dhënë përgjigje nëse vazhdimi i paraburgimit të tij për më tepër se 8 (tetë) muaj para ngritjes së aktakuzës për një vepër penale të dënueshme më shumë se 5 (pesë) vjet, ishte në kundërshtim me nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale dhe rrjedhimisht garancive që burojnë nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata theksoi se, mos adresimi i një pretendimi kaq thelbësor, që ndërlidhet me garancitë kushtetuese për liri dhe siguri të parashtruesit të kërkesës nga Gjykata e Apelit me rastin e vlerësimit të ligjshmërisë së vazhdimit të paraburgimit në procedurën para ngritjes së aktakuzës, nuk është në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me parimet dhe standardet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përfundimisht, në bazë të sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se (i) Aktvendimi [Pn1 nr. 1109/2022] i 5 shtatorit 2022 i Gjykatës së Apelit nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) refuzoi kërkesën përkatëse për masë të përkohshme. Në vijim, Gjykata duke marrë për bazë faktin se rasti i parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar në procedurë penale, theksoi se efekti i këtij Aktgjykimi shtrihet vetëm sa i përket kohëzgjatjes së vazhdimit të paraburgimit ndaj tij në procedurën para ngritjes së aktakuzës dhe se si i tillë, nuk prodhon efekte juridike ndaj vendimeve tjera që ndërlidhen me masën e paraburgimit të nxjerra pas ngritjes së aktakuzës. Përveç kësaj dhe me sqarimin që Gjykata nuk ka autorizime ligjore për përcaktimin e çfarëdo lloji dhe mënyre të kompensimit për rastet kur konstatohet shkelja e dispozitave përkatëse kushtetuese, e njëjta megjithatë sqaroi që parashtruesi i kërkesës gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit kundër tij pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022 e deri në ngritjen e aktakuzës ndaj tij, të kërkojë dëmshpërblim nga autoritetet publike bazuar në dispozitat ligjore në fuqi. Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendim konkurrues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org