Njoftim për publikimin e aktgjykimeve KI 133/20 dhe KI 78/21

20.05.2022

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimet në rastet KI 133/20 dhe KI 78/21, të parashtruara nga Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C., në të cilat u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së pikës II të Aktgjykimit [Rev. nr. 12/2020] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 19 shkurtit 2020 dhe pikës II të Aktgjykimit [Rev. Nr. 257/2019] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 2 qershorit 2020.

Gjykata, në dy rastet KI 133/20 dhe KI 78/21, të parashtruara nga Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C., në cilësinë e punëdhënësit, vendosi që Aktgjykimet e nxjerra nga Gjykata Supreme, në dy procedura të ndara, përbëjnë shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, e që ndërlidhet me aplikimin dhe interpretimin e Ligjit për Marrëdhënien e Punës së KSAK-ut nr. 12/89 dhe Ligjit Themelor të Punës, përkatësisht Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27.

Rrethanat e rastit KI 133/20 ndërlidhen me Njoftimin e Bankës për shkëputjen e kontratës së punës së F.S.-së për shkak të shkeljeve të detyrave të punës të kësaj të fundit lidhur me autorizimin e një transaksioni të palejuar, sipas konstatimit të auditimit të brendshëm të Bankës. Për pasojë, F.S kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prizren përmes së cilës kishte kërkuar anulimin e Njoftimit të lartcekur të Bankës dhe kishte kërkuar kthimin në vendin e saj të punës. Gjykata Themelore në Prizren kishte aprovuar kërkesëpadinë e F.S.-së dhe kishte anuluar si të kundërligjshëm Njoftimin e Bankës, duke arsyetuar, në esencë, se Njoftimi përkatës nuk ishte nxjerrë bazuar në procedurën disiplinore të përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili është i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr.2001/27, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, respektivisht, kishin konfirmuar qëndrimin juridik të Gjykatës Themelore.

Ndërsa, rrethanat e rastit KI 78/21 ndërlidhen me Njoftimin e Bankës për shkëputjen e kontratës së punës, të një punëtori tjetër, përkatësisht B.K.-së për shkak të shkeljeve të detyrave të punës të këtij të fundit lidhur me aprovimin e kredisë të një klienti bazuar në dokumentacion të falsifikuar, sipas konstatimit të auditimit të brendshëm të Bankës. Për pasojë, B.K kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes së cilës kishte kërkuar anulimin e Njoftimit të lartcekur të Bankës dhe kishte kërkuar kthimin në vendin e tij të punës. Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e B.K.-së dhe kishte anuluar si të kundërligjshëm Njoftimin e Bankës, duke arsyetuar, në esencë, se Njoftimi përkatës nuk ishte nxjerrë bazuar në procedurën disiplinore të përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili është i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr.2001/27, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, respektivisht, kishin konfirmuar qëndrimin juridik të Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës në të dy rastet, ndër tjerash, pretendoi shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të cenimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse apo divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë edhe gjashtë (6) Aktgjykime tjera të Gjykatës Supreme, në të cilat kishte interpretuar dhe aplikuar ndryshe dispozitat e ligjeve të aplikueshme të punës, përkatësisht përkitazi me vlerësimin e ligjshmërisë së Njoftimeve për shkëputje të marrëdhënies së punës dhe zhvillimit ose jo të procedurave disiplinore, kishte aplikuar vetëm Rregulloren e UNMIK-ut nr.27/2001 dhe jo edhe Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989.

Gjykata, në të dy rastet shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me cenimin e parimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse të Gjykatës Supreme në aplikimin dhe interpretimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me shkëputjen e marrëdhënies së punës. Për këtë qëllim, ajo fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rasteve konkrete, (i) parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës; si dhe (ii) kriteret përkatëse bazuar në të cilat këto të fundit vlerësojnë nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjenca në praktikën gjyqësore, përbën shkelje të parimit të sigurisë juridike, përkatësisht shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejta e Njeriut, përfshirë nëse: (a) divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (b) ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (c) ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti.

Në këtë kuptim, Gjykata, pasi analizoi edhe përgjigjen e Gjykatës Supreme në pyetjet e parashtruara nga Gjykata përkitazi me qëndrimin juridik të saj në interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe Rregullores së UNMIK-ut nr.27/2001 në kontestet përkatëse të punës, fillimisht theksoi se, bazuar në të gjitha rastet në shqyrtim para Gjykatës, rezulton që Gjykata Supreme, në vlerësimin e ligjshmërisë së ndërprerjes së marrëdhënieve të punës si rezultat ose jo i zhvillimit të procedurave disiplinore, nuk kishte aplikuar në mënyrë konsistente Ligjin për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe Rregulloren e UNMIK-ut nr.27/2001, duke i interpretuar me raste së bashku dhe me raste në izolim prej njëra tjetrës, duke rezultuar kështu në vendime dhe qëndrime të ndryshme nëse një marrëdhënie e punës mund të ndërpritet pa zhvillimin e procedurës disiplinore ose jo. Për pasojë, Gjykata konstatoi se në kontekst të kësaj praktike gjyqësore të Gjykatës Supreme: (i) ka “dallime të thella dhe afatgjata” në interpretimin dhe aplikimin e dispozitave të Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe atyre të Ligjit Themelor të Punës, përkatësisht Rregullores së UNMIK-ut nr. 27/2001; (ii) se ekzistojnë mekanizma të Gjykatës Supreme për harmonizimin e kësaj praktike; dhe se (iii) ky mekanizëm ekzistues, ashtu siç është deklaruar edhe nga vet Gjykata Supreme, nuk është përdorur.

Si rrjedhojë e këtij konstatimi, Gjykata theksoi se “dallimet e thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës. Gjykata gjithashtu vuri në pah se ky konstatim ndërlidhet vetëm me mospërdorimin efektiv të mekanizmave të Gjykatës Supreme me qëllim të sigurimit të konsistencës së nevojshme të praktikës gjyqësore në shërbim të sigurisë juridike dhe parimit të sundimit të ligjit, përderisa nuk e paragjykon rezultatin e meritave të rastit apo edhe qëndrimin juridik që Gjykata Supreme e vendos dhe e aplikon përkitazi me çështjet ku divergjenca gjyqësore është identifikuar.

Përfundimisht, mbështetur në rrethanat e dy rasteve konkrete dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimet e publikuara, Gjykata, njëzëri, shpalli kërkesat e pranueshme dhe konstatoi se (i) në rastin KI 133/20, pika II e dispozitivit të Aktgjykimit [Rev. nr. 12/2020] të 19 shkurtit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës; dhe (ii) në rastin KI 78/21, pika II e dispozitivit të Aktgjykimit [Rev. Nr. 257/2019] të 2 qershorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk janë në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.