Njoftim për medie

31.03.2017

Këshilltarët juridikë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe homologët e tyre nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, morën pjesë në punëtorinë e përbashkët me temë: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së”, e cila u mbajt në hotelin “Royal” në Prishtinë, të enjten dhe të premten, më 30 dhe 31 mars 2017.

E organizuar me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), punëtoria për qëllim pati trajnimin e këshilltarëve të të dyja gjykatave përkitazi me teorinë dhe kategoritë e të drejtave të njeriut, mbrojtjen gjyqësore të të drejtave të njeriut sipas standardeve evropiane, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Moderator i punëtorisë ishte gjyqtari kryesues në Gjykatën e Lartë Administrative të Landit Baden-Württemberg në Gjermani, Prof. dr. Jan Bergmann, i cili gjatë prezantimit të tij, si shembuj me rëndësi paraqiti edhe disa aktgjykime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.