Njoftim për medie

08.04.2016

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim kryetarin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, z. Xhezair Zaganjori, i shoqëruar nga gjyqtari i kësaj gjykate, z. Tom Ndrecaj, të premten, më 8 prill 2016.

Gjatë bashkëbisedimit, të dyja palët shkëmbyen idetë dhe pikëpamjet e tyre për avancimin e mëtejmë të punës në të dy gjykatat, duke vënë theksin në standardizimin e gjykimit dhe në konsistencën e jurisprudencës.

Të dy kryetarët konfirmuan rolin me rëndësi që ka kontrolli incidental për unifikimin e legjislacionit vendor, në funksion të rritjes së standardeve të gjykimit dhe të cilësisë së vendimeve drejt progresit të mëtejshëm në sistemet e drejtësisë të dy shteteve. 

Kryetarja Rama-Hajrizi në vijim prezantoj idetë e saj edhe për mundësitë e bashkëpunimit reciprok ndërmjet gjykatave homologe të të dyja vendeve, dhe në këtë drejtim shprehu falënderimin e saj të veçantë për donatorët ndërkombëtarë që në vazhdimësi kanë ofruar përkrahjen e tyre për realizimin e projekteve të përbashkëta.

Kryetari Zaganjori u zotua për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy gjykatave, duke e vlerësuar lart punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në takim mori pjesë edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, si dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Hasani.