Njoftim për medie

20.10.2015

Me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të prirë nga kryetarja Arta Rama-Hajrizi, dhe gjashtë gjyqtarë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të prirë nga kryetari, prof. dr. Fejzullah Hasani, kanë udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë, të hënën, më 19 tetor 2015.

Gjatë qëndrimit në qytetin Karlsruhe të Gjermanisë, ku edhe ndodhet selia e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës, do të zhvillojnë takime të përbashkëta me homologët e tyre gjermanë edhe në Gjykatën Supreme Federale të Gjermanisë.

Qëllimi i kësaj vizite është që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës të njihen më për së afërmi me metodat e punës, të vendimmarrjes dhe me raportin ekzistues ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme Federale të Gjermanisë.