Njoftim për medie

05.10.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Mr. sc. Arta Rama–Hajrizi, priti në takim një delegacion nga Gjykata e Kontesteve të Juridiksioneve të Republikës së Turqisë, me në krye kryetarin e kësaj gjykate, z. Serdar Ozguldur, të hënën, më 5 tetor 2015.

Pasi uruan kryetaren Rama–Hajrizi për emërimin në detyrën e re, kryetari Ozguldur dhe delegacioni turk shfaqën interesim të informohen më hollësisht përkitazi me trajtimin e kërkesave të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, me procesin e shqyrtimit të lëndëve, si dhe me kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve, të kërkuar nga gjykatat vendore.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që Turqia i ka ofruar Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese në faza të ndryshme të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë të të dyja vendeve, veçanërisht në lëmin e drejtësisë.

Kryetari Ozguldur vlerësoi lart nivelin profesional dhe të arriturat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe në vazhdim bëri një prezantim të shkurtër përkitazi me procesin e punës dhe me vendimmarrjen në Gjykatën e Kontesteve të Juridiksioneve të Turqisë.

Në takim u diskutuan edhe mundësitë e tjera për bashkëpunim në të ardhmen, përkitazi me shkëmbimin e përvojave në sistemet përkatëse gjyqësore dhe përvetësimin më të shpejtë të praktikave evropiane në gjyqësi.