Njoftim për medie

14.06.2015

Me rastin e përfundimit të mandatit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, prof. dr. Enver Hasanit, të martën, më 16 qershor 2015, në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia lamtumirëse e organizuar nën përkujdesjen e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Në këtë ceremoni, e cila fillon në orën 18:00, do të marrin pjesë zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit, përfaqësuesit e misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.

Me fjalë rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni, do t’i drejtohen kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, prof. dr. Dimitar Tokushev, si dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, znj. Elena Gosheva.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, përfundon më 26 qershor 2015. Ai u zgjodh në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për dy mandate radhazi.