Njoftim për medie

01.02.2013

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, nga data 2 shkurt 2013, do të qëndrojë për vizitë pune disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë qëndrimit në SHBA, përveç takimeve me zyrtarë të lartë të sistemit gjyqësor amerikan, Kryetari Hasani do të mbajë ligjëratë në fakultetin “Harvard Law School” të Universitetit Harvard, një nga universitetet amerikane më me renome në botë, në temën: “Vetëvendosja evropiane dhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës”. 

Një takim të veçantë, ai pritet ta ketë edhe me Zëvendëskryetarin e Gjykatës Supreme të shtetit federal Masaçusets, me seli në Boston, gjyqtarin Robert Cordy, si dhe me gjyqtarë të tjerë amerikanë me prejardhje shqiptare dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në këtë qytet. 

Gjatë vizitës në Boston, Kryetari Hasani do të nderohet edhe me çmimin Anëtar Nderi i Institutit “The Mentor Group”, një organizatë kjo prestigjioze ndërlidhëse ndërmjet judikaturës amerikane dhe asaj të Bashkimit Evropian.

(Më shumë informata përkitazi me ligjëratën në Harvard Law School mund të gjenden në linkun: http://www.law.harvard.edu/news/spotlight/ils/events/index.html)