Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim Avokatin e Popullit të Shqipërisë

06.06.2019

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë, znj. Erinda Ballanca, të shoqëruar nga homologu i saj në Kosovë, z. Hilmi Jashari.

Pasi që i shprehu mirëseardhjen, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi znj. Ballanca me të arriturat e fundit që ka shënuar Kosova në fushën e gjyqësisë kushtetuese, si dhe me sfidat e përballura në punën e Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit të kaluar, pas largimit të njëkohshëm të katër gjyqtarëve, dy prej tyre ndërkombëtarë.

Ajo vuri theksin në raportet e shkëlqyera me institucionet homologe në rajon, e veçanërisht me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe në përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për konsolidimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës, duke u bazuar në standardet e përfaqësuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në takim u theksua edhe nevoja e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për plotësimet e nevojshme të kuadrit ligjor, me qëllim të thellimit të reformave të mëtutjeshme në sistemin gjyqësor të të dyjave vendeve dhe për përvetësimin e praktikave evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Të dyja palët gjithashtu nënvizuan rëndësinë e respektimit të ndarjes së pushteteve dhe ruajtjen e pavarësisë funksionale të gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, si parakusht thelbësor për funksionimin e demokracisë kushtetuese në çdo vend.