Kryetarja Caka – Nimani priti në takim Ambasadoren për Politikën e Jashtme Feministe të Gjermanisë

16.04.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim znj. Gesa Bräutigam, Ambasadore për Politikën e Jashtme Feministe dhe Drejtoreshë për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë.

Puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë në vendimet përkitazi me mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i Konventës së Stambollit në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, ishin disa ndër çështjet për të cilat kryetarja Caka – Nimani e njoftoi ambasadoren Bräutigam në takimin e përbashkët.

Në vazhdim kryetarja Caka – Nimani diskutoi edhe për respektimin e të drejtave të grave në nivel vendi dhe për përfshirjen e tyre në institucione, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe në procese vendimmarrëse, për kornizën aktuale ligjore për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe mekanizmat ligjor në dispozicion për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale.

Ambasadorja Bräutigam vuri theksin nga ana e saj, në rëndësinë e respektimit të konventave ndërkombëtare përkitazi me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe kundër dhunës seksuale.