Kryetarja Caka – Nimani për vizitë pune në Romë

25.09.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë pune në kryeqytetin italian Romë, më 22-24 shtator 2022.

Ajo u ftua për të marrë pjesë në seminarin gjyqësor me temë: “Kushtetutshmëria dhe Sundimi i Ligjit”, organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit Notre Dame në Romë, në bashkëpunim me Institutin Kellog për Studime Ndërkombëtare me seli në SHBA.

Gjykimi kushtetues, metodat e interpretimit kushtetues, të drejtat themelore dhe kompetencat e pushtetit ekzekutiv në rrethana të jashtëzakonshme, ishin vetëm disa prej temave të trajtuara në diskutimin e përbashkët të zhvilluar ndërmjet gjyqtarëve të gjykatave kushtetuese evropiane dhe gjyqtarëve nga Gjykata Supreme e SHBA, si dhe akademikëve e ekspertëve ndërkombëtar në lëmin e drejtësisë.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryetarja Caka – Nimani u takua me gjyqtarin e Gjykatës Supreme të SHBA, z. Brett Kavanaugh, si dhe me gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Italisë, z. Nicolo Zanon.