Prof.dr. Ivan Çukaloviq

Zëvëndëskryetar

Prof.dr. Ivan Çukaloviq është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Krahas kësaj detyre, ai është gjithashtu profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Kragujevc, në të cilin ai udhëheqë Departamentin për të Drejtë Ndërkombëtare Publike dhe Qendrën për të Drejtën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Gjyqtari Çukaloviq ka shërbyer si bashkë-përfaqësues në të gjitha rastet në lidhje me ish-Jugosllavinë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjatë viteve 1999 – 2001, ai punoi si zëvendës-udhëheqës i këshilltarëve juridikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe ishte profesor në Akademinë Diplomatike të udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme e ish-Republikës Socialiste të Jugosllavisë. Në vitin 1998, gjyqtari Çukaloviq u ftua si ekspert në Tribunalin e Hagës në rastin Dokmanoviç. Ai ishte gjithashtu përfaqësues i Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kulturës Bizantine në Ballkan. Më parë, gjyqtari Çukaloviq kishte shërbyer edhe si këshilltar në Qeverinë Federale të ish-Jugosllavisë. Prej vitit 1996 deri më 1999, ai ka punuar si profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërsa prej vitit 1992 deri më 2006, si profesor në Universitetin “BK” në Pejë dhe Beograd. Gjyqtari Çukaloviq është anëtar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës për të Drejtën Ndërkombëtare Penale të Serbisë dhe anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të së Drejtës me seli në Londër.

Gjatë karrierës së tij akademike, gjyqtari Çukaloviq themeloi klube dhe komisione të ndryshme brenda Fakultetit të Drejtësisë në Kragujevc dhe shërbeu si mentor i shumë grupeve të studentëve që merrnin pjesë në gara ndërkombëtare, në mesin e të cilëve edhe grupin fitues të garës, BIMUN 2008. Ai ka publikuar katër libra dhe më shumë se 50 artikuj rreth të Drejtës Ndërkombëtare Publike në revista shkencore brenda dhe jashtë Serbisë. Gjyqtari Çukaloviq ka studiuar drejtësinë në Fakultetin Juridik në Kragujevc, ndërsa më vonë ka magjistruar në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit. Studimet për doktoratë i kreu në po të njëjtin Universitet.

Përveç kësaj, gjyqtari Çukaloviq vijoi studimet e specializimit në Universitetin e Londrës, Akademinë për të Drejtën Ndërkombëtare në Hagë, Akademinë Ruse të Diplomacisë dhe Fakultetin për të Drejtë Ndërkombëtare në Moskë.

Mandati i Gjyqtarit Çukaloviq në Gjykatën Kushtetuese është nëntë vite.