Jeton Bytyqi

Gjyqtar

Jeton Bytyqi është emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 11 mars 2024.

Deri në emërimin e tij si gjyqtar, Jeton Bytyqi ka qenë i angazhuar në Gjykatën Kushtetuese fillimisht në pozitën e Këshilltarit të Lartë Kushtetues Juridik (2016-2021), dhe pastaj në pozitën e Këshilltarit të Parë Kushtetues Juridik, duke udhëhequr dhe mbikëqyrur Njësinë Ligjore të Gjykatës Kushtetuese (2021-2024). Gjatë kësaj periudhe ai po ashtu ka qëndruar për dy (2) muaj në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku ka qenë i përfshirë në trajtimin e rasteve që janë paraqitur në këtë gjykatë ndaj shteteve nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Para angazhimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtari Bytyqi ka punuar për disa vite në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në cilësi të Zyrtarit Ligjor në Zyrën për Çështje Juridike, në kuadër të Departamentit të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe në cilësi të Zyrtarit Ligjor në Njësinë për Ligj dhe Drejtësi, në kuadër të Departamentit për të Drejta të Njeriut, ku ka qenë i angazhuar drejtpërdrejtë në këshillimin e institucioneve të Kosovës në zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe parimeve të sundimit të ligjit (2008-2016). Ai ka qenë gjithashtu i angazhuar edhe në pozitën e Zyrtarit të Lartë për Legjislacion Evropian në Agjencinë për Integrime Evropiane, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku ka qenë i përfshirë në vlerësimin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis communautaire të Bashkimit Evropian (2007-2008). Gjatë kësaj periudhe, ai po ashtu ka qëndruar për një (1) muaj në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel, në Zyrën e deputetes së Parlamentit Evropian, znj. Doris Pack.

Në cilësi të konsulentit, gjyqtari Bytyqi është përfshirë edhe në një sërë projektesh vendore e ndërkombëtare që për synim kanë pasur reformimin e sistemit juridik të Kosovës, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve publik. Gjithashtu, përmes prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Fondacionit Konrad-Adenauer-Stiftung, ai ka qenë i angazhuar në cilësi të konsulentit ndërkombëtar për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë në draftimin e Planit Strategjik dhe Planin e Veprimit të këtij institucioni.

Gjyqtari Bytyqi është bartës i provimit të jurisprudencës, ndërsa studimet për drejtësi i ka përfunduar në Universitetin i Prishtinës. Ai ka studiuar për një (1) vit akademik edhe në Fakultetin Juridik të Universitetit të Utrecht-it në Holandë, me fokus në të drejtën ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Studimet e magjistraturës i ka përfunduar në Universitetin KULeuven në Belgjikë, me fokus në të drejtën evropiane (Cum Laude). Gjithashtu, ai ka përfaqësuar Universitetin e Prishtinës në gara të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë garën Willem C. Vis për Arbitrazh Tregtar Ndërkombëtar, mbajtur në Vjenë të Austrisë.

Gjyqtari Bytyqi ka ndjekur trajnime të vazhdueshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë kushtetuese të organizuara nga Këshilli i Evropës, si dhe trajnime të specializuara për çështjet komerciale, sundimin e ligjit dhe integrimet evropiane, të organizuara nga Universiteti i Pittsburgut të SHBA-së, Instituti Holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Agjencia Suedeze- Folke Bernadotte Academy, si dhe ka ndjekur Shkollën e Venedikut për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtari Jeton Bytyqi është i martuar dhe ka tre fëmijë.