Gjyqtarja Istrefi – Peci priti në takim një grup studentësh të universiteteve gjermane

29.03.2024

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Remzije Istrefi – Peci, priti në takim një grup studentësh të universiteteve gjermane, ku pjesa më e madhe e tyre ishin studentë të drejtësisë.

Historiku i hartimit të Kushtetutës dhe themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, roli që ajo ka në hierarkinë e sistemit të drejtësisë në vend dhe obligimi kushtetues për zbatimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrje, ishin vetëm disa ndër temat mbi të cilat gjyqtarja Istrefi – Peci u fokusua gjatë prezantimit të saj.

Ajo i bëri një përshkrim të shkurtër edhe procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues dhe mandatit të tyre, si dhe procedurës për parashtrimin e kërkesave dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit të lëndëve.

Studentët gjermanë, ndër të tjera, shprehën interesimin që të informohen më për së afërmi përkitazi me strukturën dhe përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, raportet me gjykatat e tjera homologe, si dhe për natyrën e kërkesave të parashtruara.