Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në punëtori të përbashkët me gjyqtarë të gjykatave themelore

09.06.2023

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës i përbërë nga zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Bajram Ljatifi dhe gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu – Krasniqi, Safet Hoxha dhe Radomir Laban, mori pjesë në një punëtori të përbashkët me gjyqtarët e gjykatave themelore të Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, e cila u organizua me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në qytetin e Gjakovës.

Temë e diskutimit të përbashkët të gjyqtarëve kushtetues dhe të gjyqtarëve të tri gjykatave themelore ishin, ndër të tjerash, ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës, dhe administrimi i duhur i drejtësisë në kontekst të së drejtës për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Roli i gjykatave të rregullta në interpretimin e Kushtetutës, baza juridike dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese në raport me “kontrollin incidental”, divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta dhe e drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si dhe vendosja e rasteve brenda një afati të arsyeshëm dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, ishin disa prej temave të cilat gjyqtarët kushtetues i trajtuan në prezantimet e tyre.

Punëtoria e mbajtur shënon vazhdimësinë e takimeve konsultative profesionale ndërmjet gjyqtarëve kushtetues dhe gjyqtarëve të gjyqësorit të rregullt, në shërbim të përmirësimit të administrimit të drejtësisë dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.