Gjykatën e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”

22.04.2024

Një grup studentësh të vitit të parë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese.

Studentët u pritën në takim nga gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Safet Hoxha.

Në prezantimin e tij para studentëve, gjyqtari Hoxha fillimisht i bëri një përshkrim të shkurtër historikut të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, përbërjes së parë të gjyqtarëve, të kombinuar me gjyqtarë ndërkombëtarë, si dhe rolit me rëndësi që kjo gjykatë ka luajtur në zhvillimin e drejtësisë kushtetuese dhe të demokracisë institucionale në vend.

Në vazhdim, gjyqtari Hoxha i njoftoi juristët e ardhshëm edhe për palët e autorizuara sipas Kushtetutës për parashtrimin e kërkesave, për fazat e procedimit dhe shqyrtimit të lëndëve, si dhe për përfshirjen e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Studentët shprehën interesimin e tyre që të informohen në më shumë detaje përkitazi me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese gjatë shqyrtimit të kërkesave institucionale, për procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues dhe për kuotën e përfaqësimit gjinor gjatë zgjedhjes së tyre.