Gjyqtarët e Gjykatave Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, së bashku me gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, diskutuan për dy ditë radhazi dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre profesionale përkitazi me rolin dhe ndarjen e kompetencave ndërmjet juridiksionit të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të rregullta në vendet reciproke.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka Nimani, në prezantimin e saj hyrës vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit profesional dhe të shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave ndërmjet gjykatave kosovare me ato homologe nga Shqipëria, si gjykata me përvojë më të gjatë dhe praktikë më të pasur gjyqësore. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, në fjalimin e saj hyrës vuri theksin në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së juridiksionit kushtetues dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor në të dyja vendet.
Pas prezantimeve hyrëse të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Sokol Sadushi dhe zëvendëskryetares së Gjykatës Supreme të Kosovës, znj. Mejreme Mema, konferenca i vazhdoi punimet me fjalët me diskutimet e gjyqtarëve të katër gjykatave mbi teoritë e ndryshme të interpretimit kushtetues, parimin e subsidiaritetit dhe nevojën e interpretimit të ligjeve dhe të Kushtetutës në frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në konferencën e parë të këtij formati, organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me përkrahjen e fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, temë diskutimi dhe e trajtimit krahasimor ishte edhe divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta, zbatimi i plotë i vendimeve të gjykatave kushtetuese dhe konsolidimi i jurisprudencës vendore në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë konferencës dyditore, gjyqtarët e gjykatave të nivelit më të lartë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, patën rastin që të informohen më për së afërmi edhe me praktikat më të mira gjermane përkitazi me interpretimin e Kushtetutës dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve, për të cilat në konferencë diskutoi më hollësisht ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Prof. dr. Reinhard Gaier.