Gjykata Kushtetuese dhe Supreme e Kosovës në konferencë të përbashkët me gjykatat homologe nga Shqipëria

13.12.2023

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, organizon konferencën e përbashkët me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, dhe me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, në temën: “Ekuilibri ndërmjet Kontrollit të Ligjshmërisë dhe të Kushtetutshmërisë, Kufijtë e Juridiksionit dhe qasja në Drejtësi”.

Kjo është konferenca e dytë e përbashkët e kësaj natyre që organizohet ndërmjet gjykatave simotra të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet në “Four Points by Sheraton Hotel” në Prishtinë, të enjten, më 14 dhjetor 2023, me fillim në ora 09:30.

Krahas gjyqtarëve nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, ne mesin e panelistëve kryesor në konferencë do të jetë ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, znj. Gabriele Britz.