Gjykata Kushtetuese dhe Fakulteti Juridik i UP “Hasan Prishtina” organizuan ligjëratë të hapur me ish-kryetarin e GJEDNJ, Robert Spano

14.03.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, organizuan një ligjëratë të hapur me z. Robert Spano, ish-Kryetar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe Kryetar i Bordit të Patronëve të Rrjetit Gjyqësor të Kampionëve të Çështjeve Gjinore, me temë: “Demokracia gjithëpërfshirëse dhe sundimi i ligjit – Lufta për të ardhmen tonë”.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka – Nimani dhe dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Avni Puka, iu drejtuan fillimisht me fjalë rasti studentëve dhe mysafirëve tjerë të mbledhur në amfiteatrin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Pas ligjëratës së mbajtur, z. Spano u përgjigj në disa pyetje të parashtruara nga studentët përkitazi me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përvetësimin e jurisprudencës së kësaj gjykate nga shtetet e tjera evropiane dhe rëndësinë e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.