KI52/24, Parashtrues: Shkelzen Zariqi, Vlerësim i Aktgjykimit [Pml. nr. 446/2023] të 29 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI52/24, Aktvendim për papranueshmëri i 16 korrikut 2024, publikuar më 30 korrik 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, zbatim i gabuar i ligjit, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se Gjykata Themelore kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprës penale “Detyrimi” e mbetur në tentativë, nga paragrafi 2 i nenit 267 lidhur me nenin 1 dhe nenin 20 të KPPK-së. Përmes këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me dënim prej 3 (tre) viteve burgim pasi që ai së bashku me B.K., i kishin premtuar A.A. ndërtimin e shtëpisë dhe dhënien e një shume të parave në këmbim të kërcënimit me granata dore dhe bombola gazi në pronën e të dëmtuarit. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesë dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar dhe vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarit, gjykata e shkallës së parë drejtë kishte ardhur në konkludimin se kryerja e veprës penale ishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës. Më pas, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, kërkesë e cila u refuzua si e pabazuar.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, shkelin të drejtën e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe interpretimit qartazi arbitrar të ligjit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme dhe gjykatat e shkallës më të ulët kanë adresuar dhe u janë përgjigjur pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes ankesës dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, duke shtjelluar, ndër tjera, provat, dëshmitë e dëshmitarëve dhe motivin në lidhje me shpalljen e parashtruesit të kërkesës fajtor. Ndërkaq, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim arbitrar të ligjit, respektivisht të paragrafit 5 të nenit 123 të KPPRK-së si dhe pretendimin se Gjykata Themelore nuk kishte bërë dallimin ndërmjet “grupit kriminal” dhe “bashkimit kriminal”, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se si interpretimi i ligjit nga Gjykata Supreme dhe Gjykata Themelore është qartazi i gabuar apo arbitrar dhe të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” për të.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, ndërkaq pretendimet për zbatim të gabuar dhe arbitrar të ligjit, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt” dhe të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.
Shkelzen Zariqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale