Parashtruesi ka parashtruar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke pretenduar që të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 [E Drejta për Proces të Rregullt Gjyqësor] në lidhje me nenin 13 [E Drejta për Mjete Efektive Juridike] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, si dhe Protokolleve të saj, janë shkelur nga aktvendimet e Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur që ankesa ndaj një vendimi gjyqësor për konfirmimin e aktakuzës do të lejohej vetëm nëse aktakuza do të hidhej poshtë, sipas nenit 317(2) të KPPK-së.
Gjykata vendosi që Kërkesa është e papranueshme, sepse Parashtruesi nuk ka arritur të paraqesë prova që procedurat përkatëse kanë qenë të padrejta apo të njollosura me arbitraritet në çfarëdo mënyre. Kështu, Gjykata theksoi që Kërkesa ishte qartazi e pabazuar, në bazë të Rregullit 36 (1.c) të Rregullores së Punës. Për më tepër, sa i përket përputhshmërisë së ligjeve, në këtë rast të KPPK-së, me Kushtetutën, Gjykata vëren që vetëm palët e autorizuara sipas nenit 113.2 të Kushtetutës kanë të drejtë të parashtrojë këtë pyetje. Pra, Parashtruesi nuk është palë e autorizuar sipas nenit 113.2 të Kushtetutës. Megjithatë, Parashtruesi mund të ngrejë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën në gjykatat e rregullta, të cilat janë të autorizuara sipas nenit 113.8 të Kushtetutës t’i referojnë çështje Gjykatës Kushtetuese.
Myrteza Dyla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale