Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme te Kosovës A. or. 170/2009, te 25 shtatorit 2009

Nr. të lëndës KI 108/10

Përmbledhje

Parashtruesi, një punëtor komunal të cilit i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës dhe i cili e kishte fituar të drejtën e kthimit në vendin e punës nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, e kishte dorëzuar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës duke pohuar se ai ishte dashur të përfshihej në ankesën e ish-punëdhënësit të tij kundër vendimit që ishte marrë në favor të tij në rastin në Gjykatën Supreme e që kishte të bënte me marrëdhënien e tij të punës, Parashtruesi pretendonte se ishte shkelur e drejta e tij në gjykim të drejtë, të cilën kjo Gjykatë e sqaroi se është e përcaktuar në nenet 31 dhe 53 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (KEDNJ), sepse as punëdhënësi e as Gjykata Supreme nuk e kishin njoftuar atë për ankesën apo zgjidhjen e saj, Gjykata vendosi se Kërkesa ishte e pranueshme sipas nenit 113.7 sepse Parashtruesi nuk i kishte në dispozicion mjetet e përcaktuara juridike për shkak se Gjykata Supreme nuk ia kishte dërguar një kopje të aktgjykimit meqë ai ishte palë e interesuar, duke cituar nenet 52.6 dhe 53 të Ligjit për Kontestet Administrative të vitit 1977, rastet Universiteti AAB-RIINVEST SHPK kundër Qeverisë së Kosovës, Cinar kundër Turqisë, Colozza kundër Italisë, Sejdovic kundër Italisë dhe për shkak se Gjykata konstatoi se nuk kishte dëshmi se Parashtruesi ishte informuar për rihapjen e mundshme të këtij rasti në Gjykatën Supreme ose për inicimin e një rasti të ri.
Lidhur me meritat, Gjykata vendosi se Parashtruesi ka qenë dashur të ftohej në procesin gjyqësor, me çka ai do të njoftohej rreth ankesës dhe do t’i jepej mundësia të paraqiste argumente dhe dëshmi, duke theksuar se Gjykata Supreme e kishte filluar procedurën dhe kishte arritur në një përfundim pa e njoftuar fare Parashtruesin. Gjykata theksoi se sipas nenit 31 të Kushtetutës çdokush ka të drejtë për mbrojtje të barabartë të të drejtave në procedurë para gjykatave, si dhe në shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm, dhe se neni 53 i Kushtetutës e obligon atë që të zgjidh kontestet në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), që nënkupton garanci të ngjashme sipas nenit 6.1 të KEDNJ. Ajo arsyetoi se ndonëse nenin 6.1 nuk e cek shprehimisht të drejtën për pjesëmarrje në procedurë civile apo penale, GJEDNJ e ka pranuar se kjo e drejtë nënkuptohet, duke cituar rastet Colozza kundër Italisë dhe Ziliberg kundër Moldavisë. Prandaj, gjykata arsyetoi se në rastin e Parashtruesit zbatoheshin neni 31 dhe neni 6.1, Gjykata theksoi se e drejta për gjykim të drejtë buron nga e drejta për mbrojtje gjyqësore sipas nenit 54 të Kushtetutës, e cila përfshinë edhe të drejtën për qasje në gjykatë, duke cituar rastin Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe të drejtën për zgjidhjen e një kontesti në gjykatë si dhe mundësinë për të përgatitur rastin dhe për të marrë pjesë në shqyrtim, duke cituar rastin Gusak kundër Rusisë. Gjykata nënvizoi se drejta e palës për qasje në gjykatë do të ishte iluzore sikur pala të mos informohej për zhvillimet në procedurë dhe vendimet e gjykatës lidhur me ankesën, posaçërisht nëse vendimet e gjykatës mund të parandalonin shqyrtimin e mëtejmë, duke cituar rastin Sukhorubchenko kundër Rusisë, Gjykata përcaktoi se punëdhënësi i Parashtruesit kishte bërë ankesë lidhur me rastin në të cilin Parashtruesi ishte palë kryesore dhe se rezultati i ankesës do të mund të kishte pasur ndikim thelbësor në të drejtat civile të Parashtruesit. Ajo po ashtu theksoi se ndonëse neni 16 i Ligjit për Kontestet Administrative e konsideron si palë të nevojshme çdo person që ka mundësi të preket nga vendimi për një kontest, Parashtruesi nuk ishte përfshirë, Për arsyet e lartcekura, Gjykata nxori një Aktgjykim që paraqet se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNJ-së duke deklaruar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ishte i pavlefshëm, duke ia kthyer rastin për rishqyrtim Gjykatës Supreme në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate, dhe duke mbetur e angazhuar në ketë çështje në pritje të zbatimit të këtij Aktgjykimi

Parashtruesit:

Fadil Selmanaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative