Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev.351/2019 të 25 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI 131/20

Parashtruesit: Arjana Syla

Shkarko:

KI131/20, Parashtruesja e kërkesës: Arjana Syla, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev.351/2019 të 25 qershorit 2020

KI131/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 5 maj 2021, i publikuar më 15 qershor 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa është dorëzuar nga Arjana Syla nga Prishtina, e përfaqësuar nga Xhemajl Syla nga Podujeva. Parashtruesja e kërkesës e kontestonte Aktvendimin [Rev.351/2019] e 25 qershorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës, përmes të cilit parashtruesja e kërkesës pretendonte shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Tutje, parashtruesja e kërkesës theksoi se Gjykata Supreme duke mos e shqyrtuar revizionin e saj drejtë ka bërë shkelje të dispozitave të Kushtetutës dhe KEDNJ-së. Parashtruesja më tej thekson se “kontrata për shitblerjen e paluajtshmërisë mbi bazën e të cilës bashkëshorti i ndjerë  F.S si pronarë ka hyrë në posedim dhe shfrytëzim të kësaj paluajtshmërie mbi bazën e kontratës së shitblerjes e cila ende nuk është anuluar si e pavlefshme, andaj për deri sa kjo kontratë nuk anulohet me aktgjykim të formës së prerë në pajtim me dispozitat e nenit 20 al.1 lidhur me nenin 3 al.1 të Ligjit për Marrëdhëniet Pronësoro Juridike Bazë, i cili ka qenë ligj i zbatueshëm në Kosovë në kohën e lidhjes së kontratës, kjo kontratë është e vlefshme juridikisht dhe krijon efekte juridike ndërmjet palëve kontraktuese”.

Gjykata vërejti se, në thelb, të gjitha pretendimet e parashtrueses së kërkesës kanë të bëjnë kryesisht me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Lidhur me këtë, parashtruesja e kërkesës ankohet se në rastin e saj gjykatat kanë bërë vërtetim të gabuar të fakteve si dhe nuk i kanë arsyetuar vendimet e tyre mjaftueshëm.

Lidhur me këto pretendime, Gjykata fillimisht thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për vërtetim të gabuar të fakteve, interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih rastin e Gjykatës nr. KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; rastin KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI49/19 parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2019, paragrafi 47).

Pretendimi kryesor i parashtrueses së kërkesës ishte njohja e të drejtës së banesës, për të cilën banesë veq se kishte një vendim të formës së prerë të nxjerrë nga Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Banesore, dhe lidhur me këtë Gjykata vërejti që të gjitha gjykatat e rregullta kishin konstatuar se vendimet e HPCC-së janë vendime të formës së prerë dhe se nuk mund të shqyrtohen nga asnjë instancë tjetër administrative dhe gjyqësore. Lidhur më çështje të njëjta Gjykata ka vendosur edhe në raste të tjera, ku ka konstatuar se vendimet e HPCC-së janë vendime të formës së prerë – res judicata (shih rastet e Gjykatës: KI104/10, parashtrues Draža Arsić, Aktgjykim i 23 prillit 2012; KI44/20,KI83/20 dhe KI102/20, parashtrues Besnik Kavaja, Aktvendim për papranueshmëri i 22 shkurtit 2021, paragrafi 83).

Pra, Gjykata theksoi se një nga parimet bazë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike është parimi i sigurisë ligjore. Kjo vlen sidomos për sa i takon vendimeve gjyqësore që kanë marrë formën res judicata. Asnjë palë, qoftë person fizik apo person juridik, nuk ka të drejtë të kërkojë rishikimin, revokimin, rikonsiderimin apo shfuqizimin e një vendimi përfundimtar dhe të plotfuqishëm, thjesht për qëllim të fitimit të një rishikimi dhe rishqyrtimi të freskët të rastit (shih, mutatis mutandis, rastin Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, nr. 48553/99, § 72, GJEDNJ 2002-VII, si dhe Ryabykh kundër Rusisë, nr. 52854/99, § 52, GJEDNJ 2003-IX).

Prandaj në këto rrethana, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimin e ngritur nga parashtruesja e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ajo, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi që parashtruesja e kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështet mjaftueshëm pretendimin e saj për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës ne lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Si rezultat, Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës kërkesa u shpall qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

 

Parashtruesit:

Arjana Syla

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri