KI142/20, Parashtrues i kërkesës: Albert Hyseni, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit PN.nr.426/2020 të 23 qershorit 2020
KI142/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 20 maj 2021, i publikuar më 11 qershor 2021
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Kërkesa është dorëzuar nga Albert Hyseni nga Gjakova, i përfaqësuar nga Teki Bokshi nga Gjakova, i cili kontestoi Aktvendimin [PN. nr. 426/2020] e 23 qershorit 2020 të Gjykatës së Apelit. Ai pretendonte se përmes Aktvendimit te Gjykatës së Apelit atij i janë shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenet 1 [Përkufizimi i Shtetit], 7 [Vlerat], 3 [Barazia para Ligjit], 21 [Parimet e Përgjithshme], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se Gjykatat e rregullta gabimisht kanë konstatuar faktin se atij nuk i njihet e drejta të lirohet nga vuajtja e dënimit, në bazë të marrëveshjes së lidhur ne Beograd ndërmjet UNMIK-ut dhe Republikës Federative të Jugosllavisë më 5 nëntor 2001, për shkak se vepra për të cilën është shpallur fajtor, bënë pjesë në grupin e veprave penale ordinere. Lidhur me këtë ai thekson se pas kthimit së të burgosurve në Kosovë, nuk janë liruar vetëm të burgosurit që janë privuar nga liria dhe gjykuar si pasojë e konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë, por janë liruar edhe të burgosurit e tjerë, pra me këtë të gjitha vendimet gjyqësore të pushtetit serb në Kosovë janë rishikuar nga Departamenti i drejtësisë së UNMIK-ut, dhe në atë bazë janë liruar të gjithë të burgosurit.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në thelb ankohet për shkelje: (i) të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, (ii) të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës dhe (iii) dhe për shkelje të të drejtave nga nenet 1 [Përkufizimi i Shtetit], 3 [Barazia para Ligjit], 7. [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës. Prandaj, Gjykata do t’i shqyrtojë secilin nga këto pretendime individualisht.
Lidhur me pretendimin e parë, Gjykata fillimisht thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për vërtetim të gabuar të fakteve, dhe interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih rastin e Gjykatës nr. KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; rastin KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI49/19 parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2019, para. 47).
Gjykata konkludoi që pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”; dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata vëren se në kohën kur kishte ndodhur marrëveshja ndërmjet UNMIK-ut dhe Republikës Federative të Jugosllavisë për transferimin e të burgosurve kosovarë nga burgjet në Serbi në burgjet e Kosovës, parashtruesi i kërkesës nuk ishte në burg, por ishte arratisur nga aty, gjë që e pohon edhe përfaqësuesi i tij “arsye se përse çështja e tij penale nuk është përfshirë në urdhërin administrativ për lirim, nga se ai në atë kohë veç ishte i lirë, gjendej në Kosovë në liri dhe se çështja e tij nuk kishte arsye të rishqyrtohet”. Pra Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës me ikjen e tij kishte ndërprerë dënimin e tij në gjysmë dhe për atë ishte lëshuar fletarrest nga shteti Serb ku ishte duke e vuajtur dënimin, në bazë të cilit fletarrest ishte arrestuar nga autoritetet hungareze dhe më pasë ishte ekstraduar në Kosovë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit.
Në këtë këndvështrim, Gjykata konsideroi se aktvendimi i Gjykatës së Apelit nuk përmban elemente të shkeljes së barazisë para ligjit, përkatësisht elemente të trajtimit të pabarabartë, siç pretendon parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e Konventës, nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse, ai në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se gjykatat e rregullta e trajtuan atë në mënyrë ta pabarabartë dhe diskriminuese (shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI173/18, parashtrues Nijazi Pasoma, Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2019, paragrafi 32).Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës për shkak të trajtimit të pabarabartë të parashtruesit në lidhje me palët e treta janë (i) pretendime të cilat cilësohen si pretendime të “shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 1, 3, 7 dhe 29 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri të shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi i neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së dhe përmendja e tyre nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, cituar më lart, paragrafi 81, KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52, KI04/21 cituar më lart, paragrafët 38- 39). Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 1, 3, 7 dhe 29 të Kushtetutës, Gjykata konstaton se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një ose më shumë dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ato janë shkelur. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Si përfundim, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa është shpallur qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.
Albert Hyseni
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale