KI41/18, Parashtrues: Gordana Dončić, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-17-0728-A0001, të 18 janarit 2018
KI41/18, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar, më 26 shtator 2017, publikuar më 2 nëntor 2018.
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë e pasafatshme
Në këtë kërkesë, parashtruesja kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-17-0728-A0001, të 18 janarit 2018, me të cilin ishte refuzuar, si e palejuar kërkesa e saj për korrigjimin e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Parashtruesja u ankua për shkelje të neneve 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe për shkelje të nenit 6, në lidhje me nenin 1, të protokollit nr. 1, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak se emri i saj nuk figuronte në listën e punëtorëve që përfitonin të ardhura nga 20% i privatizimit të ndërmarrjes shoqërore.
Gjykata, në këtë rast, erdhi në përfundim se parashtruesja e kërkesës e kishte shfrytëzuar një mjet juridik, i cili nuk ishte paraprë me ligj. Si rezultat, ajo e kishte humbur afatin ligjor prej katër (4) muajsh për ta kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të formës së prerë të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, me të cilin ishte urdhëruar largimi i emrit të parashtrueses nga lista e punëtorëve që përfitonin të ardhura nga 20% i privatizimit të ndërmarrjes. Si përfundim, Gjykata konkludoi që kërkesa nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
Gordana Dončić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile