KI49/18, Parashtrues Ilmi Sopa, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 316/2016, të 15 marsit 2017
KI49/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 nëntorit 2018, publikuar më 28.12.2018
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e paafatshme
Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktgjykimin e saj refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Parashtruesi në Gjykatën Kushtetuese në thelb pretendoi se deri te shkelja e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, ka ardhur si pasojë e dështimit të organeve kompetente, që gjatë procesit gjyqësor të bëhet dëgjimi i të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, e cila sipas parashtruesit të kërkesës do të ishte vendimtare për sqarimin e fakteve thelbësore.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 15 dhjetor 2017, por nuk e mbështeti këtë pretendim me ndonjë dëshmi, fletëkthesë ose me ndonjë dokument me shkrim.
Gjykata nga përgjigja e dorëzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lidhur me datën e pranimit të vendimit të kontestuar, vërejti se përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar Aktgjykimi i Gjykatës Supreme më 28 mars 2017.
Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 28 mars 2017, ndërsa kërkesën në Gjykatën Kushtetuese e ka dorëzuar më 20 mars 2018.
Gjykata konstatoi se kërkesa është e papranueshme, për shkak se nuk janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Kërkesa u shpall e papranueshme si e paafatshme.
Ilmi Sopa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale