KI76/18, Parashtrues: Pjetër Boçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 279/2017, të 26 marsit 2018, dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN. nr. 462/2018, të 28 majit 2018
KI76/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 nëntorit 2018, publikuar më 19 dhjetor 2018
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, person zyrtar, mosshterje e mjeteve juridike, kërkesë qartazi e pabazuar, ratione materiae
Gjykata Themelore Prizren, nëpërmjet Aktgjykimit P. nr. 206/2015, shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprës penale sipas nenit 343 [Marrja e ryshfetit] të Kodit Penal, dhe e dënoi me dënim me burg prej 7 (shtatë) muajsh, ndërsa e liroi nga akuza për veprën penale të paraparë në nenin 345 [Ushtrimi i Ndikimit] të Kodit Penal të Kosovë. Parashtruesi kishte paraqitur ankesë ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit (P. nr. 279/2015), refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore (PKR. nr. 540/2011) dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit (PAKR. nr. 70/17).
Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për rishikimin e procedurës penale në Gjykatën Themelore në lidhje me rastin e tij, duke prezantuar prova shtesë. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktvendimit PKRS. nr. 157/2017 refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për rishikimin e procedurës penale. Ky aktvendim u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendon shkelje të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Gjykata sqaroi se pretendimet e parashtruesit ndërlidheshin me tri procedura të ndryshme që ishin zhvilluar në lidhje me rastin e tij: a) procedura për hedhjen e aktakuzës; b) procedura penale me të cilën parashtruesi i kërkesës është shpallur fajtor për veprën penale marrje ryshfeti, dhe c) procedura për rishikimin e procedurës penale.
Pas shqyrtimit të kërkesës së parashtruesit, Gjykata, në pajtim me nenin 48 të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1) (b), (2) dhe (3) (b) të Rregullores së Punës konstatoi se kërkesa e parashtruesit:
(i) në lidhje me pretendimin se në rastin e tij janë pushuar hetimet dhe rrjedhimisht është ngritur aktakuzë pa bazë ligjore, nuk janë shterur mjetet juridike të parapara me ligj;
(ii) në lidhje me pretendimin e parashtruesit se në procedurë penale nuk janë aplikuar drejt dispozitat në lidhje me definicionin e “personin zyrtar”, parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë; dhe,
(iii) sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me rishikimin e procedurës penale kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Pjetër Boçi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale