Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 54/2023] të Ministrisë së Drejtësisë, të 28 shkurtit 2023 dhe Vendimit [DPL. nr. 01/2023] të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat, të 23 shkurtit 2023, në rastin KI269/23, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [ARJ 112/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 17 gushtit 2023
Nr. të lëndës KI237/23 dhe KI269/23
Parashtruesit: Ilir Mulhaxha
KI237/23 dhe KI269/23, Parashtrues: Ilir Mulhaxha, në rastin KI237/23, vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 54/2023] të Ministrisë së Drejtësisë, të 28 shkurtit 2023 dhe Vendimit [DPL. nr. 01/2023] të Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat, të 23 shkurtit 2023, në rastin KI269/23, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [ARJ 112/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 17 gushtit 2023
KI237/23 dhe KI269/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 majit 2024, publikuar më 3 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesa individuale, kërkesa të bashkuara, kërkesë e parakohshme, qartazi e pabazuar, kërkesë për masë të përkohshme
Parashtruesi i kërkesës ka ushtruar për një kohë detyrën e përmbaruesit privat. Për shkak të disa lëshimeve të bëra gjatë kryerjes së detyrave të tij profesionale, Komisioni Disiplinor për Përmbaruesit Privat nxori vendimin për shkarkimin e parashtruesit të kërkesës nga detyra. Vendimi i Komisionit Disiplinor është vërtetuar nga Ministria e Drejtësisë.
Parashtruesi i kërkesës inicioi procedurën gjyqësore në të cilën kërkoi i) anulimin e vendimeve të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin nga detyra, dhe ii) shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve deri në përfundimin e procedurës gjyqësore në merita. Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata konstatoi se gjykatat vendosën vetëm për çështjen e ii) shtyrjes së ekzekutimit të Vendimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Procedurat gjyqësore lidhur me ii) shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Ministrisë së Drejtësisë kanë përfunduar në atë mënyrë që kërkesa e tij është refuzuar në të tri shkallët e gjykatave të rregullta.
Pikërisht në mbështetje të kësaj, parashtruesi paraqiti dy kërkesa në gjykatë, përkatësisht, kërkesën e parë e cila është regjistruar nga Gjykata me shenjën KI237/23, në të cilën parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e vendimeve të Komisionit Disiplinor dhe të Ministrisë së Drejtësisë, dhe kërkesën e dytë me shenjën KI269/23, në të cilën parashtruesi i kërkesës kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme lidhur me procedurën në të cilën gjykata e refuzoi kërkesën e tij si të pabazuar.
Në të dyja kërkesat, parashtruesi pretendoi të njëjtat shkelje të neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, më konkretisht shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenit 36 [E Drejta e Privatësisë] dhe nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës, si dhe të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së.
Gjykata i ka analizuar të dyja kërkesat veç e veç, duke konstatuar se kërkesa KI237/23 lidhur me anulimin e vendimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat aktualisht është në fazën e shqyrtimit pranë gjykatave të rregullta dhe se pikërisht vendimet e kontestuara, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga parashtruesi i kërkesës para kësaj Gjykate, do t’i nënshtrohen kontrollit dhe vlerësimit nga gjykatat e rregullta dhe rrjedhimisht e refuzoi këtë kërkesë si kërkesë të parakohshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi 1 b) të Rregullores së punës.
Gjykata gjithashtu analizoi edhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën KI269/23, duke konstatuar se kërkesa e parashtruesit lidhur me pretendimin se vendimet gjyqësore nuk janë arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme është e pabazuar dhe kjo për arsye se gjykatat e rregullta iu përgjigjën pikërisht të gjitha pretendimeve lidhur me vendimet për të cilat parashtruesi i kërkesës konsideron se nuk janë arsyetuar në përputhje me garancitë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Rrjedhimisht, pretendimet nga kërkesa KI269/23 janë refuzuar nga Gjykata si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Gjithashtu, Gjykata refuzoi kërkesën e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme.
Ilir Mulhaxha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri