Prishtinë, më 30 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2538/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KO266/23
Parashtrues
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës
Vlerësim i kushtetutshmërisë së paragrafit 2 nenit 4, paragrafit 4 të nenit 432, dhe paragrafit 2 të nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës Nr.08/L-032
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata referuese) dhe është nënshkruar nga Kryetari i saj, Fejzullah Rexhepi.
Ligji i kontestuar
Gjykata referuese ngre dyshime për kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të nenit 4 (Ne Bis in Idem), paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK).
KPPRK është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 14 korrik 2022 dhe ka hyrë në fuqi më 17 shkurt 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së paragrafit 2 të nenit 4 (Ne Bis in Idem), paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë) të KPPRK-së, të cilat pretendohet se janë në kundërshtim me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 51 (Saktësimi i kërkesës), 52 (Procedura para Gjykatës) dhe 53 (Vendimi) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 75 (Kërkesa në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës Nr.01/2018).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 4 dhjetor 2023, Gjykata referuese dorëzoi kërkesën KO266/23 në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KO266/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KO266/23] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 10 janar 2024, Gjykata njoftoi për regjistrimin e kërkesës (i) Gjykatën referuese; (ii) Presidenten e Republikës së Kosovës; (iii) Kryeministrin e Republikës së Kosovës; (iv) Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës; (v) Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit; dhe (vi) Avokatin e Popullit, të cilëve u dha mundësinë e paraqitjes së komenteve brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e pranimit të shkresës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 9 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special përmes Aktvendimit [PPPS.nr. 26/2023], të pandehurve F.M., dhe H.M., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar i sanksionuar me nenin 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK) ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës [PPS.nr.85/2022] të datës 15.07.2023, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri.
Më 17 gusht 2023, Gjykata e Apelit-Departamenti Special, përmes Aktvendimit [PN.1.S.nr.153/2023] e refuzoi të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa e vërtetoi Aktvendimin [PPPS.nr. 26/2023] të 9 gushtit 2023 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special.
Prokurori i Shtetit paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [PN.1.S.nr.153/2023] të 17 gushtit 2023 të Gjykatës së Apelit-Departamenti Special. Prokurori i Shtetit pretendoi shkelje të ligjit penal nga neni 432, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 lidhur me paragrafin 4 të KPPRK-së, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 432, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.2, lidhur me nenin 384, paragrafi 1 i KPPRK-së, shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor neni 432, paragrafi 1 dhe 1.3 lidhur me paragrafin 4 të KPPRK-së, me propozim që të aprovohet kërkesa si e bazuar dhe konform nenit 438, të KPPRK-së, të ndryshohen Aktvendimi [PPPS.nr. 26/2023] të 9 gushtit 2023 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, apo që të konstatohet se të njëjtat përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Më 4 dhjetor 2023, Gjykata Supreme në përputhje me nenin 113 (8) të Kushtetutës dhe nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit, dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafit 2 të nenit 4, paragrafi 4 i nenit 432, dhe paragrafi 2 i nenit 438 të KPPRK-së.
Pretendimet e Gjykatës referuese
Thelbi i kërkesës së Gjykatës referuese konsiston në dyshimet lidhur me kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të nenit 4; paragrafit 4 të nenit 432; dhe paragrafit 2 të nenit 438 të KPPRK-së. Gjykata referuese pretendon se dispozitat përkatëse të KPPRK-së nuk janë në përputhshmëri me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës.
Gjykata referuese pretendon se: “Sipas kodit të procedurës penale të vitit 2013 (por edhe kodit të procedurës penale që ishte në fuqi deri në vitin 2012) kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm juridik ka mundur të paraqitet vetëm ndaj vendimeve të formës së prerë me të cilat është caktuar dhe vazhduar paraburgimi, kurse tani me kodin e ri edhe ndaj vendimeve të formës së prerë me të cilat është ndërprerë paraburgimi.”
Gjykata referuese po ashtu thekson se: “Po ashtu sipas kodit të mëparshëm të procedurës penale në kuadër të dispozitës ligjore parimit “ne bis in idem” respektivisht nenit 4 par.2 të KPP me përjashtim të rasteve kur me këtë kod është paraparë ndryshe, vendimi gjyqësor i formës së prerë mund të ndryshohej me mjetet të jashtëzakonshme juridike vetëm në favor të personit dënuar. Përveç kësaj me kodet e vjetra kur kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitej në dëm të pandehurit aktgjykimi kishte vetëm karakter deklarativ vetëm konstatohej shkelja pa ndikuar në vendimin e formës së prerë.”
Përkitazi me dispozitat e kontestuara të KPPRK-së , Gjykata referuese thekson se “[...] sipas dispozitave të kodit të ri të procedurës penale që ka hyrë në fuqi këtë vit aktgjykimi i marrë lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë mund të jetë efektiv dhe deklarativ. Efektiv është në dobi të pandehurit (ndryshimi në dobi ose anulimi), kurse deklarativ kur konstatohet shkelja e ligjit në dobi të pandehurit pa u prekur vendimi i formës së prerë. Por, me dispozitën e kodit të ri të procedurës penale respektivisht par.2 i nenit 4 të KPP parashihet se vendimi gjyqësor i formës së prerë mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike. Kurse, sipas dispozitës së nenit 438 par.2 të Kodit-kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në dëm të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë.” Lidhur me të lartcekura, Gjykata referuese pretendon se: “[...] përkundër që me kodin e ri është paraparë që kërkesa e paraqitur në dëm të pandehurit ka karakter deklarativ, në të njëjtën kohë është paraparë edhe mundësia e ndryshimit të vendimit të formës së prerë në dëm të pandehurit, pa e përcaktuar efektin juridik të ndryshimit (si mund të ndryshohet aktgjykimi lirues i formës së prerë, në rast se ndryshohet nga ai lirues në dënues a ka të drejtë i pandehuri në ankesë dhe cila gjykatë duhet të vendos lidhur me ankesën, dhe kur një vendim është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë, dhe e njëjta gjë vlen edhe ndaj vendimit të formës së prerë me të cilin është ndërprerë paraburgimi).”
Prandaj, Gjykata referuese pretendon se: “Në rastin konkret ndaj aktvendimit të formës së prerë me të cilin i është ndërprerë paraburgimi të pandehurit ka paraqitur kërkesë Prokurori, dhe duke pas parasysh se paraburgimi është masë e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurën penale, kurse sipas dispozitave të kodit të procedurës penale e drejta për liri dhe siguri duhet të interpretohet në favor të qëndrimit në liri dhe kjo masë (si masë më e rëndë) duhet të reduktohet në kohën sa më të shkurtër të mundshëm pyetja që parashtrohet është se a mund të ndryshohet vendimi i formës së prerë me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm juridik në dëm të tij dhe a janë dispozitat e nenit 4 par.2, nenit 432 par.4 dhe 438 par. 2 të Kodit të Procedurës Penale në përputhshmëri me nenin 29 dhe 34 dhe 53 të Kushtetutës së Kosovës.”
Gjykata referuese thekson se: “Për arsyet e paraqitura më lartë, konsiderojmë se vendimi meritor i Gjykatës Supreme të Kosovës në rastin konkret është i lidhur drejtpërdrejtë me normat ligjore të cekura më lartë, andaj kjo Gjykatë nuk mund të vendos sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë deri sa Gjykata Kushtetuese të merr vendim lidhur me këtë kërkesë, kurse në Gjykatën Supreme deri në marrjen e vendimit nga Gjykata juaj procedura për vendosje do të suspendohet.”
Dispozitat përkatëse Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
“1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një
vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në
mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për
largim ose ekstradim.
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 34
[E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër]
“Askush nuk mund të gjykohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 5
(E drejta për liri dhe siguri)
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
b. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të
parashikuar nga ligji;
c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
f. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.”
Protokolli Nr. 7 i Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore
Neni 4
(E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë)
“1. Askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet penalisht nga juridiksioni i të njëjtit Shtet për një vepër për të cilën ai më parë ka qenë shpallur i pafajshëm ose dënuar me një vendim gjyqësor përfundimtar, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të atij Shteti.
2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk pengojnë rihapjen e procesit, në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të Shtetit të interesuar, në rast se fakte të reja ose të zbuluara rishtazi, ose një mangësi themelore në procedimet e mëparshme janë të një natyre të tillë që mund të cenojnë vendimin e dhënë.
3. Asnjë derogim nuk lejohet për këtë nen në përputhje me nenin 15 të Konventës.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
“Gjykatat kanë të drejtë t’i referojnë Gjykatës Kushtetuese çështje përkitazi me përputhshmërinë kushtetuese të një ligji, nëse ajo përputhshmëri është ngritur gjatë
procedurës gjyqësore dhe gjykata referuese nuk është e sigurt për përputhshmërinë e ligjit të kontestuar me Kushtetutën dhe nëse vendimi i gjykatës referuese për rastin e caktuar, varet nga përputhshmëria e ligjit në fjalë”.
Gjykata iu referohet neneve 51 (Saktësimi i kërkesës), 52 (Procedura para gjykatës) dhe 53 (Vendimi) të Ligjit, të cilat përcaktojnë:
51
(Saktësimi i kërkesës)
‘1. Kërkesa e ngritura në pajtim me nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës do të parashtrohet nga gjykata vetëm nëse ligji i kontestuar duhet zbatohet drejtpërsëdrejti në çështjen që është pjesë e lëndës në shqyrtim dhe vetëm nëse ligjshmëria e ligjit të kontestuar është parakusht për marrjen e vendimit nga ana e gjykatës. 2. Kërkesa do të specifikoj cilat dispozita të ligjit konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën.
52
(Procedura para gjykatës)
Pas ngritjes së kërkesës në pajtim me nenin 113, paragrafi 8 të Kushtetutës, procedura para gjykatës referuese do të suspendohet deri në nxjerrjen e një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
53
(Vendimi)
Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për pajtueshmërinë e dispozitës ligjore me Kushtetutën dhe nuk vendos për çështje të tjera faktike ose juridike që kanë të bëjnë me kontestin para gjykatës referuese.”
Gjykata po ashtu i referohet rregullit 75 (Kërkesa ne pajtim me paragrafin 8 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit), që përcakton:
“(1) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin (8) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 51 (Saktësimi i kërkesës), 52 (Procedura para gjykatës) dhe 53 (Vendimi) të Ligjit.
(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli ka efekt suspenziv.
(3) Çdo gjykate e Republikës se Kosovës mund të parashtrojë kërkesë sipas këtij rregulli, me kusht që:
(a) ligji i kontestuar duhet te zbatohet drejtpërdrejtë nga një gjykatë n lidhje me çështjen qe është pjese e lendes ne shqyrtim; dhe
(b) ligjshmëria e ligjit te kontestuar është parakusht për marrjen e vendimit nga ana e gjykatës përkatëse.
(4) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet te specifikoje se cilat dispozita te ligjit te kontestuar konsiderohen ne kundërshtim me Kushtetutën. Lënda që është duke u shqyrtuar nga gjykata referuese i bashkëngjitet kërkesës.
(5) Gjykata referuese mund të parashtroje kërkesë ex officio ose me kërkesën e njërës prej palëve në procedurë.
(6) Pas parashtrimit të kërkesës, Gjykata njofton gjykatën referuese në pajtim me paragrafin (8) të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenet 51 (Saktësimi i kërkesës) dhe 52 (Procedura para gjykatës) të Ligjit për efektin suspenziv te kërkesës, përkatësisht që të pezullojë procedurën lidhur me rastin në fjalë derisa Gjykata të marrë vendim.”
Megjithatë, në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh kërkesën e Gjykatës referuese, Gjykata po ashtu i referohet rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 54
(Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
“(1) Gjykata mund të hedhë poshtë një kërkesë kur Gjykata përcakton se
pretendimi:
(a) nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm; ose
(b) nuk përfaqëson një kontest.”
Gjykata vëren se pikat (a) dhe (b) të paragrafit (1) të rregullit 54 të Rregullores së punës ia mundësojnë Gjykatës që të hedhë poshtë kërkesën nëse e njëjta nuk është në mënyrë aktive e diskutueshme ose nuk përfaqëson një kontest. (Shih rastin e Gjykatës KO98/20, parashtrues Hajrullah Çeku dhe 29 deputetë tjerë, Vendim për heqje të kërkesës nga lista i 18 nëntorit 2020, paragrafi 84).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata përsëritë se Gjykata referuese ngre dyshime për kushtetutshmërinë e paragrafit 2 të nenit 4 (Ne Bis in Idem), paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë) të KPPRK-së.
Gjykata sjellë në vëmendje se ka vlerësuar kushtetutshmërinë e neneve të lartpërmendura të KPPRK-së duke konstatuar se të njëjtat nuk janë kundërshtim me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 34 [E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës (shih rastet e bashkuara të Gjykatës KO114/23, KO192/23, KO227/23 dhe KO229/23, parashtrues Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 15 majit 2024, publikuar së bashku me Mendimin Mospajtues të Gjyqtarit Radomir Laban).
Bazuar si në shtjellimin e mësipërm, Gjykata konstaton se kërkesa e dorëzuar nga Gjykata referuese përkitazi me nenet e kontestuara të KPPRK-së, nuk është më “në mënyrë aktive e diskutueshme”. Prandaj, në përputhje me pikën (a) të paragrafit 1 të rregullit 54 të Rregullores së punës, kërkesa e Gjykatës referuese duhet të hedhet poshtë e papranueshme për shqyrtim të mëtejmë (shih rastin e Gjykatës KI195/18, parashtrues Afrim Haxha, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës i 23 korrikut 2019, paragrafi 27).
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e Gjykatës referuese duhet hedhur poshtë bazuar për pikën (a), paragrafin 1 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.8 dhe 116 të Kushtetutës, nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit dhe në bazë të pikës (a), paragrafit 1 të rregullit 54 të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 4 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TË HEDHË poshtë kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Gjykata Supreme
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës