KI162/22, Parashtrues: Raiffeisen Bank Kosovë J.S.C, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KMLC.nr.83/2022] të Prokurorisë së Shtetit të 27 shtatorit 2022 dhe Aktvendimit [Ac.nr.1986/20] të 20 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit
KI162/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 14 nëntorit 2023, publikuar më 20 dhjetor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar
Kërkesa ishte dorëzuar nga Raiffeisen Bank Kosovë J.S.C. Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me padinë e ngritur kundër parashtrueses së kërkesës nga ana e paditësit R.G, i cili ishte garantues solidar për një kredimarrës pranë parashtrueses së kërkesës, dhe të cilit parashtruesja e kërkesës ia kishte bllokuar llogarinë bankare dhe i kishte tërhequr shumën prej 1,953.36 euro. Paditësi R.G kishte paraqitur padi kundër parashtrueses së kërkesës, me bazë juridike Fitimi i pa bazë ku kishte kërkuar që të obligohet e paditura që t’ia kthejë shumën e caktuar prej 1,953.36 euro me kamatë ligjore nga data 28 mars 2013 kur ka bërë tërheqjen e mjeteve e deri në kthimin e tyre. Gjykata Themelore, kishte aprovuar kërkesë padinë e paditësit R.G dhe kishte detyruar parashtruesen e kërkesës që paditësit t’ia kompensojë shumën prej 1,953.36 euro në emër të fitimit të pabazë, për shkak të tërheqjes së këtyre mjeteve në llogarinë bankare të paditësit, me kamatë prej 8 % nga data e hartimit të ekspertizës financiare me datë 13 dhjetor 2018 e deri në pagesën definitive, po ashtu kishte obliguar që ti paguante edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1,324.40 euro. Parashtruesja e kërkesës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit kishte refuzuar ankesën si të pathemeltë, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore e kishte vërtetuar. Parashtruesja e kërkesës i ishte drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me propozimin për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, mirëpo nga kjo e fundit ishte njoftuar se nuk ka bazë ligjore për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtrueses së kërkesës në esencë ka të bëjë me (i) mënyrën e vërtetimit të fakteve dhe zbatimin e gabuar të ligjit material; dhe (ii) mos-arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Lidhur me pretendimin e parë, Gjykata duke marre parasysh pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe shkresat e lëndës, Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur te dëshmojë se efektet e interpretimit dhe te zbatimit te se drejtës materiale janë jokompatibile me te drejtat e garantuara me Kushtetute dhe KEDNj. Për me tepër, nga arsyetimi i aktvendimit te kontestuar vërehet qarte se ne rrethanat e rastit konkret, nuk kemi te bëjmë as me “aplikim te ligjit ne mënyrë qartazi te gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi te paarsyeshme“.
Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale nga ana e gjykatave të rregullta janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Përkitazi me pretendimin e dytë lidhur me mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, Gjykata vërejti se Gjykata e Apelit duke u mbështetur në nenin 319.1 të LPK-së, në esencë theksoi se palët ndërgjyqëse, e kanë për detyrë të provojnë faktet mbi të cilat bazohen kërkimet dhe pretendimet e veta, e të cilat parashtruesja e kërkesës ka dështuar t’i provojë. Në këtë aspekt, Gjykata e Apelit, konstatoi se parashtruesja e kërkesës në procedurën e zhvilluar dhe në pretendimet e parashtruara në ankesë nuk kishte arritur ti mbështesë ato, dhe për këtë edhe ankesa e saj ishte refuzuar si e pathemeltë dhe ishte refuzuar. Gjykata me këtë rast, rikujtoi se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesja e kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesja e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ajo, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideroi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Raiffeisen Bank Kosovë J.S.C
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile