Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 32 (paragrafi 1), nenit 41 (paragrafët 1.3 dhe 1.4) dhe nenit 76 (paragrafi 2), në lidhje me nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë

Nr. të lëndës KO 65/19

Parashtruesit: Avokati i Popullit

Shkarko:

KO65/19, Parashtrues i kërkesës: Avokati i Popullit, vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 32 (paragrafi 1), nenit 41 (paragrafët 1.3 dhe 1.4) dhe nenit 76 (paragrafi 2), në lidhje me nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë (në tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar), i cili ka hyrë në fuqi më 26 dhjetor 2018.

KO65/19, Aktgjykim i 29 korrikut 2019, i publikuar më 23 gusht 2019

Fjalët kyç: avokati i popullit, kërkesë institucionale,  masë e përkohshme, mbrojtja e pronës, shërbimi i noterisë, gjuhët, pritjet legjitime, kufizim i të drejtave, veprim retroaktiv i ligjit, pensionimi, proporcionaliteti

Parashtruesi i kërkesës konteston nenet 32 (paragrafi 1), 41 (paragrafët 1.3 dhe 1.4) dhe 76 (paragrafi 2) në lidhje me nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të ligjit të kontestuar, duke theksuar që nenet e cekura janë në shkelje të nenit 5 [Gjuhët] dhe paragrafëve 1 dhe 3 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Për sa i përket nenit 32 (1), parashtruesi i kërkesës pretendoi se neni në fjalë është në kundërshtim me nenin 5 [Gjuhët] të Kushtetutës sepse lejon lëshimin e dokumenteve edhe në gjuhët tjera që nuk janë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Për sa i përket nenit 41 (1.3) dhe (1.4), parashtruesi i kërkesës pretendoi se neni në fjalë është në kundërshtim me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] sepse kërkon nga noterët që disa shërbime t’i kryejnë pa pagesë.

Për sa i përket nenit 76 (2), parashtruesi i kërkesës, mes tjerash, pretendoi se neni në fjalë me veprim retroaktiv ka ndryshuar moshën e pensionimit të noterëve nga mosha 70 vjeç në 65 vjeç, me ç ‘rast atyre u janë mohuar pritjet legjitime dhe fitimi i  ardhshëm çka ka rezultuar me shkelje të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata, në bazë të analizës së saj, konkludoi:

i) që pretendimet e parashtruesit të kërkesës se neni 32 i ligjit të kontestuar shkelë nenin 5 [Gjuhët] të Kushtetutës janë të pabazuara sepse shërbimit noterial nuk i vendosen drejtpërdrejt detyrime të reja, porse ato paraqiten ekskluzivisht si “mundësi” dhe se zbatimi dhe realizimi i tyre do të varet nga secili ushtrues i funksioneve noteriale individualisht. Gjykata konkludoi që neni 32 i ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim dhe nuk shkelë të drejtat nga neni 5 [Gjuhët] i Kushtetutës.

ii) që pretendimet e parashtruesit të kërkesës se paragrafët 1.3 dhe 1.4 të nenit 41 të ligjit të kontestuar janë në shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës janë të pabazuara sepse ligjvënësi, duke ndjekur trendët bashkëkohorë në një shoqëri demokratike, dhe me qëllim të promovimit dhe përmirësimit të të drejtave pronësore të të dy gjinive, me zgjidhjet ligjore në nenin 41 (1.3) dhe (1.4) kanë paraparë saktësisht masën në të cilën ushtruesit e funksioneve të noterit duhet të kryejnë disa punë të caktuara juridike pa kompensim monetar. Gjykata konkludoi që paragrafët 1.3 dhe 1.4 të nenit 41 të ligjit të kontestuar nuk janë në kundërshtim  dhe nuk i shkelin  të drejtat nga neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës.

iii) që pretendimet e parashtruesit të kërkesës se neni 76 (paragrafi 2), në lidhje me nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3), të ligjit të kontestuar janë në shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës janë të pabazuara sepse, mes tjerash, “pritjet legjitime”, vetvetiu, sipas praktikës së GJEDNJ-së, nuk ofrojnë garanci që ligjvënësi nuk mund ta ndryshojë ligjin, veçanërisht nëse një ndryshim i tillë është proporcional. Gjykata konkludoi se neni 76 (paragrafi 2), në lidhje me nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të ligjit të kontestuar nuk janë në kundërshtim dhe nuk i shkelin  të drejtat nga neni 46 [Mbrojtja e Pronës] i Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 [Mbrojtja e Pronës] të KEDNJ-së.

iv) në fund, Gjykata shpjegoi se ligjvënësi – për shkak të pozitës së tij dhe legjitimitetit demokratik – është në pozitë më të mirë se sa ajo për të përcaktuar dhe avancuar politikat e ekonomike dhe sociale të vendit.

v) gjithashtu, Gjykata, duke pasur parasysh konkluzionet e veta në lidhje me nenin 76 (paragrafi 2), nenin 2 (paragrafi 7) dhe nenin 22 (paragrafi 1.3) të ligjit të kontestuar, konkludoi që nuk ka bazë ligjore për vazhdim të mëtejmë të masës së përkohshme, e cila ishte caktuar më 20 maj 2019, dhe ishte vazhduar më 20 maj 2019.

Parashtruesit:

Avokati i Popullit

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese