KI117/20, Parashtrues: Isuf Musliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së mungesës së vendimeve gjyqësore lidhur me kërkesën për kompensim material dhe kthim në punë në Universitetin e Prishtinës
KI117/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, publikuar më 29 dhjetor 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, padi kompensimi, mos shterim i mjeteve juridike
Parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës Kushtetuese mungesën e vendimeve gjyqësore lidhur me kërkesën për kompensim material për ligjëratat e mbajtura dhe kthim në punë si profesor në Universitetin e Prishtinës. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me padi kundër Rektoratit të Universitetit të Prishtinës duke kërkuar kompensimin e të ardhurave dhe honorarëve për ligjëratat që parashtruesi pretendon se i ka mbajtur në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit, si dhe kthimin në vendin e punës si ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Më 15 korrik 2019, Gjykata Themelore kishte mbajtur seancën përgatitore, lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës në të cilën ishte aprovuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës që të kërkohen informata nga Fakulteti i Edukimit në Prizren për ligjëratat e mbajtura nga parashtruesi i kërkesës. Për më tepër Gjykata Themelore në përgjigjen e saj drejtuar Gjykatës theksoi se lënda e parashtruesit të kërkesës “është me prioritet ligjor dhe e njëjta do të procedohet brenda kohës së arsyeshme, sipas radhës së lëndëve me prioritet të njëjtë“.
Në këtë kontekst, rezulton se lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar procedura gjyqësore para Gjykatës Themelore e cila ende nuk ka nxjerr vendim lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës. Në këtë drejtim, Gjykata vë theksin në faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës mund të shqyrtohen nga gjykatat e rregullta. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para se të shterojë të gjitha mjetet efektive të parapara në legjislacionin përkatës. Andaj, kërkesa e parashtruesit para Gjykatës Kushtetuese është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Isuf Musliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile