Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën CN. nr. 30/23 në Gjykatën Themelore në Gjakovë

Nr. të lëndës KI 152/23

Parashtruesit: Burim Zherka

Shkarko:

KI152/23, Parashtrues: Burim Zherka, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën CN. nr. 30/23 në Gjykatën Themelore në Gjakovë

KI152/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 25 korrik 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, tejzgjatje e procedurës.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me inicimin e procedurës jokontestimore nga parashtruesi i kërkesës në vitin 1994 në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër “Shoqërisë Aksionare për Qarkullim të Udhëtarëve” në Gjakovë, për blerje të banesës. Në bazë të informacionit të dhënë nga Gjykata Themelore rezulton se në vitin 1999, Gjykata Komunale kishte mbajtur seancën e fundit për këtë çështje, në të cilën ishte caktuar eksperti për llogaritjen e çmimit të banesave, më pas ishte caktuar një seancë tjetër po në të njëjtin vit, ku parashtruesi i kërkesës ishte obliguar për dorëzimin e disa shkresave të lëndës. Megjithatë, bazuar në informatën e pranuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, që nga mbajtja e seancës së fundit në vitin 1999 rezulton që përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës, lidhur me çështjen, për herë të parë kishte paraqitur kërkesë për procedimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Themelore në Gjakovë në mars të vitit 2023. Si rezultat i kësaj kërkese, rasti ishte regjistruar me numër të ri të lëndës dhe më pas i ishte caktuar gjyqtares respektive në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i kohëzgjatjes së procedurës, rasti i të cilit është në shqyrtim para Gjykatës Themelore. Përkatësisht, thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me pretendimin e tij për tejzgjatje të procedurës përkitazi me propozimin e iniciuar në vitin 1994 në kuadër të procedurës jokontestimore në Gjykatën Komunale, duke filluar nga viti 1999 e deri në mars të vitit 2023, periudhë kjo kur  kërkesëpadia e tij në Gjykatën Themelore në Gjakovë  ishte regjistruar me numër të ri të lëndës.

Në vijim të pretendimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata në kuptim të pretendimit të tij për tejzgjatje të procedurës që përfshinte periudhën pas vitit 1999 e deri më 6 mars 2023, gjeti se i njëjti nuk ka paraqitur asnjë parashtresë për të dëshmuar nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me kërkesën e tij për blerje të banesës, të iniciuar përmes propozimit të tij në Gjykatën Komunale në vitin 1994. Gjithsesi, Gjykata vuri në dukje, se po të ishte edhe ky rasti, veprimet procedurale të një parashtruesi  të kërkesës në Gjykatë nga viti 1999 deri më 15 qershor 2008 janë ratione temporis të papajtueshme me Kushtetutën ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (3) (d) të Rregullores së punës. Në vijim të kësaj, Gjykata vlerësoi pretendimin e parashtruesit të kërkesës për tejzgjatje të procedurës që ndërlidhen me periudhën kohore nga 15 qershori 2008 deri në parashtrimin e kërkesës së tij në Gjykatë, më 8 korrik 2023. Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata në kuptim të vërtetimit të periudhës së kohëzgjatjes të procedurës, vlerësoi se kohëzgjatja e procedurës pranë Gjykatës Themelore përkitazi me shqyrtimin e lëndës [CN.nr. 30/2023] të parashtruesit të kërkesës e regjistruar në këtë Gjykatë më 8 korrik 2023, përfshin kohëzgjatjen prej katër (4) muajve e tri (3) ditëve. Në vijim të këtij vlerësimi, Gjykata pas aplikimit të parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave; dhe arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore, vlerësoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen brenda një afati të arsyeshëm të lëndës [CN. nr.  30/2023], është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Burim Zherka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile