Prishtinë, më 28 tetor 2022
Nr. Ref.:RK 2064/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI03/22
Parashtrues
“EPS TRGOVINA”
Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në çështjen [A. nr. 695/2021] në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga kompania “EPS TRGOVINA” sh.p.k. me seli në Mitrovicë të Veriut, e përfaqësuar nga drejtori i saj Milan Vujaković (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike, por konteston kohëzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [ nr. 695/2021] që është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës përkitazi me gjykimin e lëndës [ nr. 695/2021] në Gjykatën Themelore. Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 5 janar 2022, z. Milan Vujaković përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
- Më 17 janar 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH. 03/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi.
- Më 7 mars 2022, Gjykata kërkoi nga z. Vujaković që kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë ta saktësojë dhe plotësojë me informatat si në vijim: (i) të saktësojë nëse parashtrues është personi juridik apo parashtrues është z. Vujaković në cilësinë e personit fizik; (ii) në rast se parashtrues i kërkesës është personi juridik, atëherë të saktësojë në kërkesë emrin e ndërmarrjes si person juridik dhe të dorëzojë autorizimin e vlefshëm për përfaqësim; dhe (iii) të specifikojë lëndën e cila është duke u zhvilluar në procedurë pranë Gjykatës Themelore, për të cilën procedurë ai pretendon se përbën tejzgjatje të procedurës gjyqësore.
- Më 21 prill 2022, si rezultat i mosdorëzimit të përgjigjes nga ana e z. Vujaković, Gjykata të njëjtit përmes postës dhe postës elektronike, respektivisht i dërgoi përsëritjen e kërkesës për plotësimin e kërkesës KI03/22.
- Më 26 prill 2022, z. Vujaković përmes postës elektronike dorëzoi informatat e kërkuara nga Gjykata. Në përgjigjen e tij, z. Vujaković specifikoi se kërkesën e tij në Gjykatë e dorëzoi në emër të ndërmarrjes “EPS TRGOVINA” dhe se në cilësinë e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje përmes statutit të saj është i autorizuar që të njëjtën ta përfaqësojë në procedura para gjykatave.
- Më 6 maj 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe të njëjtës i dorëzoi edhe kopjen e kërkesës.
- Më 30 maj 2022, Gjykata i dërgoi Gjykatës Themelore kërkesë që brenda shtatë (7) ditëve të dorëzojë informatën lidhur me procedurën e zhvilluar që nga dita e regjistrimit të lëndës [A. nr. 695/2021] në këtë gjykatë. Gjykata nuk pranoi përgjigje nga Gjykata Themelore brenda afatit të përcaktuar shtatë ditor dhe për pasojë, më 22 qershor 2022, Gjykata i dërgoi Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë përsëritjen e kërkesës së 30 majit 2022.
- Më 6 korrik 2022, Gjykata pranoi përgjigjen e kërkuar nga Gjykata Themelore.
- Më 29 shtator 2022, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Më 17 dhjetor 2020, parashtruesi i kërkesës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ARBK), në kuadër të Ministrisë së Tregtisë (në tekstin e mëtejmë: MTI), paraqiti kërkesë për regjistrimin e biznesit të Ndërmarrjes “EPS TRGOVINA” sh.p.k. me seli në Mitrovicën e Veriut. Bazuar në kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës thekson se ndërmarrja “EPS TREGOVINA” sh.p.k është kompani simotër e ndërmarrjes “Elektroprivreda Srbije” me seli në Beograd, Republikën e Serbisë.
- Më 24 dhjetor 2020, ARBK-ja përmes Letrës Qarkore [nr. 894] të dorëzuar me postë rekomande refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të paplotësuar me arsyetimin si vijon:
- Aplikacion i pakompletuar për regjistrimin e biznesit, në të cilin emri i biznesit dhe aktiviteti i kërkuar 8299 nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit;
- Mungon vendimi për themelimin e shoqërisë “ESP Trgovina” D.O.O.
- Statuti duhet të bazohet në Ligjin Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare dhe
- Akti i themelimit nuk është në dokumentacion.
- Adresa e pronarit duhet të jetë e harmonizuar si në formularin e aplikimit ashtu edhe në statut, si dhe gabime të tjera në formularin e aplikimit.
Prandaj, për të aplikuar rekomandojmë që të plotësohet dokumentacioni i kërkuar i cili është referuar sipas Marrëveshjes së Brukselit si dhe në bazë të Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare të Republikës së Kosovës.
- Më 26 janar 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Letrës Qarkore [nr. 894] të 24 dhjetorit 2020 të ARBK-së përmes postës dorëzoi ankesën e tij te Drejtorja e Përgjithshme e ABRK-së për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të dispozitave të së drejtës materiale dhe mosaplikim të dispozitave për përdorimin e gjuhës zyrtare. Në lidhje me këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës specifikoi se është shkelur neni 5 [Gjuhët] i Kushtetutës për arsye se, sipas tij, përgjigja e ABRK-së, e 24 dhjetorit 2020 nuk i është dorëzuar në gjuhën serbe.
- Më 25 shkurt 2021, Drejtorja e Përgjithshme e ABRK-së përmes Vendimit [nr. 191] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të paafatshme, duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk e ka shfrytëzuar afatin prej tridhjetë (30) ditëve, ashtu siç parashikohet me paragrafin 2 të nenit 47 [Procedura Ankimore] të Ligjit nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Shoqëritë Tregtare). Sipas arsyetimit të dhënë nga ARBK-ja në këtë Vendim, parashtruesi i kërkesës Qarkoren e ARBK-së, të 24 dhjetorit 2020 e ka pranuar më 28 dhjetor 2020, përderisa ARBK-ja ankesën e tij kundër kësaj Qarkoreje e ka pranuar më 12 shkurt 2021. Në vijim të Vendimit të 25 shkurtit 2021 përcaktohet që kundër këtij vendimi mund të paraqitet ankesë në afat prej tridhjetë (30) ditësh në Komisionin për Parashtresa dhe Ankesa të MTI-së.
- Më 9 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të lartcekur të Drejtores së Përgjithshme të ARBK-së, të 25 shkurtit 2021 parashtroi ankesë në Komisionin për shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave të MTI-së (në tekstin e mëtejmë: Komisioni për shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave) për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të dispozitave të së drejtës materiale dhe mosaplikim të dispozitave për përdorimin e gjuhës zyrtare.
- Më 16 mars 2021, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave dhe Parashtresave përmes Vendimit [nr. 2224]: (i) refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se ankesa e tij e pranuar në ARBK më 12 shkurt 2021 është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar me ligj; dhe (ii) vërtetoi Vendimin e Drejtores së Përgjithshme të ARBK-së, të 25 shkurtit 2021.
- Më 29 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit [nr. 2224] të 16 marsit 2021 të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave dhe Parashtresave parashtroi padi administrative në Gjykatën Themelore për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të dispozitave të së drejtës materiale.
- Më 26 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore paraqiti “urgjencë” për marrjen e vendimit gjyqësor lidhur me padinë e tij të parashtruar më 29 mars 2021.
- Më 1 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore sërish paraqiti urgjencë për marrjen e vendimit gjyqësor lidhur me padinë e tij të parashtruar më 29 mars 2021
- Më 1 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK). Parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij theksoi se përkundër padisë dhe “urgjencave” të parashtruara nga ana e tij në Gjykatën Themelore, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe për pasojë sipas tij është shkelur e drejta e tij për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor.
- Më 1 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës po ashtu paraqiti ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit duke kontestuar punën e ARBK-së, Komisionit për Parashtresa dhe Ankesa, dhe të Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se: (i) ARBK kishte refuzuar regjistrimin e veprimtarisë nën shifrën 3514-tregtia e energjisë elektrike; (ii) Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa në mënyrë të gabuar kishte vërtetuar gjendjen faktike lidhur me afatet për paraqitje të ankesave; dhe (iii) procedura pranë Gjykatës Themelore në lidhje me shqyrtimin e padisë së tij pranë kësaj gjykate përbënte tejzgjatje.
- Më 16 dhjetor 2021, Institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi parashtruesin e kërkesës se në pajtim me nenin 21 [Procedura pas pranimit të ankesës], paragrafin 1, nënparagrafin 1.2 të Ligjit nr. 05/L -019 për Avokatin e Popullit ka vendosur që ta pranojë ankesën e tij dhe rrjedhimisht të nis hetim për shkelje eventuale të të drejtave të njeriut.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i mos nxjerrjes së vendimit nga Gjykata Themelore brenda një afati të arsyeshëm kohor. Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 22 të Kushtetutës.
- Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon:
- Tejzgjatje të procedurës përkitazi me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore nga ndërmarrja “Elektroprivreda Srbije” të dorëzuar në këtë gjykatë më 8 qershor 2017. Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar vetëm kopjen e padisë së parashtruar më 8 qershor 2017; dhe
- Tejzgjatje të procedurës përkitazi me padinë e tij të parashtruar në Gjykatën Themelore më 29 mars 2021 në emër të kompanisë “EPS Trgovina”.
- Parshtruesi i kërkesës në kërkesën e tij specifikon se kërkesa për regjistrim të biznesit të tij e parashtruar në ARBK ndërlidhet me marrëveshjet në fushën e energjetikës të arritura në kuadër të Dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 8 shtator 2013.
- Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij specifikon se: “Qëllimi themelor i parashtrimit të kësaj kërkese është që të ndërpritet shkelja e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht që Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, të urdhërohet nga Gjykata Kushtetuese që të ndërmerr veprime adekuate. Në lidhje me këtë, nevojitet që gjykata e cekur fillimisht të caktoj dëgjimin në lidhje me paditë e parashtruara, dhe të zbatojë procedurën në përputhje me legjislacionin e aplikueshëm dhe të merr një vendim meritor”.
Përgjigja e Gjykatës Themelore
- Ashtu siç është cekur më lart, më 6 korrik 2022, Gjykata Themelore dorëzoi përgjigjen në kërkesën e Gjykatës së 22 qershorit 2022, e cila lidhur me procedurën e zhvilluar që nga dita e regjistrimit të lëndës [A. nr. 695/2021] në këtë gjykatë, njoftoi se:
“[…] lënda A.nr. 695/2021 është pranuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ me datë 29.03.2021 dhe është ndarë për trajtim dhe vendosje te gjyqtarja […]. Lidhur me veprimet e ndërmarra në këtë lëndë, gjyqtarja e rastit ka deklaruar se ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë çështje juridike pasi që me rastin e trajtimit të lëndëve administrative e njëjta vepron sipas parimit të vjetërsisë së lëndës – statusit të lëndëve të vjetërsuara. Kjo do të thotë se gjyqtarja e çështjes është e ngarkuar me numër të madh të lëndëve të natyrave të ngjashme apo të ndryshme që janë të pranuara dhe regjistruara më heret se lënda A.nr.695/2021, andaj ju njoftojmë se e njëjta do të shqyrtohet dhe zgjidhet sipas radhës së pranimit dhe regjistrimit, për çka pala do të informohet përmes ftesës së rregullt gjyqësore”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
- Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
- Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
- Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut [e miratuar më 4 nëntor 1950 nga Këshilli i Evropës]
Neni 6
[E drejta për gjykim të drejtë)
- Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm […].
LIGJI Nr. 06/L -016 PËR SHOQËRITË TREGTARE
Neni 47
Procedura Ankimore
- Çdo person i cili konsideron se ARBK ose një zyrtar i punësuar në të, nuk është duke i përmbushur kushtet e parapara në këtë ligj, duke përfshirë mosrespektimin e neneve përkatëse për natyrën administrative të regjistrimit, mund të parashtrojë ankesë brenda tridhjetë (30) ditëve në shkallë të parë administrative te Drejtori i Përgjithshëm të ARBK i cili vendos për ankesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e pranimit të saj.
- Nëse Drejtori i Përgjithshëm nuk e shqyrton ankesën në shkallën e parë apo me vendim refuzon këtë ankesë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, atëherë parashtruesi i ankesës në afat prej tridhjetë (30) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit mund të parashtrojë ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve që themelohet me vendim të Ministrit.
- Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë është i autorizuar dhe është përgjegjës për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesës në shkallë të dytë administrative brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga pranimi i saj.
- Nëse Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve aprovon ankesën e parashtruesit të ankesës në shkallë të dytë administrative, ai do të kërkojë nga Drejtori i Përgjithshëm i ARBK-së që të ndërmarrë veprimet përkatëse për korrigjimin e shkeljes administrative.
- Nëse Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve refuzon ankesën e palës apo nuk përgjigjet në ankesë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dorëzimi i ankesës, parashtruesi i ankesës mund t’i drejtohet gjykatës kompetente sipas ligjit në fuqi për konfliktin administrativ.
- Për të gjitha çështjet lidhur me ankesat administrative që nuk janë të rregulluara në këtë ligj, aplikohen dispozitat përkatëse të ligjit në fuqi për procedurën administrative”.
Pranueshmëria e kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Nenit 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
- Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, i cili përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
- Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik, respektivisht të ndërmarrjes “EPS TRGOVINA” ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendimi për papranueshmëri, i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
- Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë të parashikuara me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa Individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.
- Përkitazi me pretendimin për tejzgjatje të procedurës në Gjykatën Themelore që ndërlidhet me Ndërmarrjen “Elektroprivreda”
- Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pretendon se padia e parashtruar në Gjykatën Themelore më 8 qershor 2017 nga ndërmarrja “Elektroprivreda Srbije” përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i tejzgjatjes së procedurës në këtë gjykatë.
- Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata rikujton se pas dorëzimit të kërkesës nga z. Vujaković në Gjykatë, nga i njëjti ka kërkuar që të specifikojë: (i) kërkesën e tij dhe në rast se parashtrues i kërkesës është personi juridik, të dorëzojë edhe autorizimin për përfaqësim; dhe (ii) të specifikojë lëndën në Gjykatën Themelore për të cilën ai pretendon se përbën tejzgjatje të procedurës.
- Si rezultat i kërkesës së Gjykatës, kjo e fundit vë në pah se bazuar në përgjigjen e dorëzuar më 26 prill 2022 në Gjykatë, specifikohet se kërkesa parashtrohet në emër të Ndërmarrjes “EPS TRGOVINA” me përfaqësues Milan Vujaković si drejtor i kësaj ndërmarrjeje. Përderisa përkitazi me Ndërmarrjen “Elektroprivreda Srbije”, parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar autorizim për përfaqësim për Ndërmarrjen “Elektroprivreda Srbije”.
- Prandaj, bazuar në si më sipër, Gjykata konsideron se në pikëpamje të pretendimit për tejzgjatje të procedurës përkitazi me padinë e parashtruar në emër të Ndërmarrjes “Elektroprivreda Srbije” z. Vujaković nuk është palë e autorizuar që të përfaqësojë Ndërmarrjen “Elektroprivrede Srbije”.
- Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhet me pretendimin për tejzgjatje të procedurës përkitazi me padinë e parashtruar në emër të ndërmarrjes “Elektroprivreda Srbije” është e papranueshme, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 113 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 të Kushtetutës.
- Përkitazi me pretendimin për tejzgjatje të procedurës në lidhje me padinë e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës-lënda [A. nr. 695/2021]
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në përgjigjen e tij ka specifikuar se pretendon tejzgjatje të procedurës përkitazi me shqyrtimin e padisë së tij kundër Vendimit të Komisionit për Zgjidhjen dhe Shqyrtimin e Ankesave, të parashtruar më 29 mars 2021 në Gjykatën Themelore, të regjistruar në këtë gjykatë me numër [ nr. 695/2021].
- Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës specifikon se atij i është shkelur e drejta e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KENDJ-së.
- Në kontekst të kritereve kushtetuese dhe ligjore, Gjykata rithekson se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë.
- Në kuptim të kësaj të fundit, në mënyrë specifike duke iu referuar edhe çështjes së autorizimit për përfaqësim, vë në pah se bazuar në nenin 24 të statutit të ndërmarrjes “EPS TRGOVINA” sh.p.k.: “Milan Vujaković, drejtori i parë i emëruar i Shoqërisë nga neni 17, paragrafi 6 i këtij statuti, është i autorizuar që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore të cilat janë të nevojshme për regjistrimin e Shoqërisë dhe krijimin e kushteve për fillimin e punës së Shoqërisë, përfshirë dorëzimin e aplikacionit për regjistrim të themelimit të Shoqërisë dhe sigurimin e dokumenteve të tjera të nevojshme, miratimeve dhe lejeve të domosdoshme për fillimin e punës dhe zhvillimin e veprimtarisë”.
- Përderisa në kontekst të (ii) shterimit të mjeteve juridike, të përcaktuar me nenin 113. 7 të Kushtetutës dhe nenin 47 të Ligjit; dhe (ii) dorëzimin e kërkesës në afatin e përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, Gjykata rikujton se çështja e parashtruesit të kërkesës është ende duke u shqyrtuar nga Gjykatën Themelore dhe se i njëjti nuk konteston ndonjë akt konkret të autoriteteve publike, por vetëm kohëzgjatjen e procedurës përkitazi me gjykimin e çështjes së tij brenda një afati të arsyeshëm.
- Në vijim, përkitazi me pretendimin e tij për moszgjidhje të rastit të tij brenda afatit të arsyeshëm kohor, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata më tej konstaton se parashtruesi i kërkesës ka saktësuar kërkesën e tij ashtu siç kërkohet me nenin 48 të Ligjit.
- Tutje, Gjykata po ashtu do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriterin e përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 39 [Kriteret e Pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
- Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore, përfshirë, por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20 me parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, me parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; dhe KI21/21, me parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021).
- Gjykata në vijim, vë në pah se pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës për tejzgjatje të procedurës e cila është duke u zhvilluar pranë Gjykatës Themelore që nga 29 marsi 2021 do ta trajtojë nga këndvështrimi i të drejtave të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duke aplikuar edhe parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ, në të cilin rast Gjykata në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e obliguar që “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
- Në lidhje me të drejtën për nxjerrjen e vendimeve brenda afatit të arsyeshëm kohor, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, të cilët përcaktojnë që:
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“[…]
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet […] brenda një afati të arsyeshëm […]”.
Neni 6
(E drejta për gjykim të drejtë)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm …”.
- Për të vlerësuar bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e të drejtave dhe lirive kushtetuese që kanë të bëjnë me gjykimin e rasteve brenda afatit të arsyeshëm kohor, Gjykata do të merr në konsideratë parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, dhe të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të pretendimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të merr parasysh: (i) vërtetimin e periudhës së kohëzgjatjes të procedurës në tërësi në gjykatën kompetente, përkatësisht Gjykatën Themelore; (ii) parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave; dhe (iii) arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave në Gjykatën Themelore.
- Periudha që do të merret parasysh
- Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikës së saj gjyqësore, ka vlerësuar se përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih, rastet e GJEDNJ-së, Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, nr. 9616/81, Aktgjykim, i 23 prillit 1987, paragrafi 64; dhe Poiss kundër Austrisë, nr.9816/82, Aktgjykim, i 23 prillit 1987, paragrafi 50). Ky proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih rastin e GJEDNJ-së Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë, 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 74 dhe rastet e Gjykatës KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, Aktgjykim i 16 prillit 2019, paragrafi 98 dhe rastin KI183/21, parashtrues Ejup Koci, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 marsit 2022, paragrafi 74).
- Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës më 29 mars 2021 në Gjykatën Themelore kishte parashtruar padi administrative kundër Vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave, të 16 marsit 2021, përderisa kërkesën e tij në Gjykatë e ka dorëzuar më 5 janar 2022. Në vijim të kësaj, Gjykata vëren se periudha e cila duhet të merret parasysh është dhjetë (10) muaj e njëzetekatër (24) ditë.
- Gjykata para se gjithash thekson se, sipas praktikës gjyqësore të konsoliduar të GJEDNJ-së, e cila është reflektuar edhe në praktikën e deritanishme gjyqësore të Gjykatës, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, duke marrë parasysh kriteret e vendosura nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht kriteret që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së palëve në procedurë; (c) sjelljes së gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest (shih rastet e GJEDNJ-së, Mikulić kundër Kroacisë, nr. 53176/99, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002, paragrafi 38; Frydlender kundër Francës, nr. 30979/96, Aktgjykim i 27 qershorit 2000, paragrafi 43; dhe Sürmeli kundër Gjermanisë, nr. 75529/01, Aktgjykim i 8 qershorit 2006, paragrafi 128; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI07/15, parashtrues Shefki Zogiani, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 shtatorit 2016, paragrafët 53-62; KI23/16, parashtrues Qazim Bytyqi dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 5 majit 2017, paragrafi 58; KI18/18, parashtrues Isuf Musliu, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 qershorit 2018, paragrafi 43; KI13/19, parashtrues Fevzi Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri i 10 qershorit 2019, paragrafët 65-72; KI177/19, parashtrues NNT “Sokoli”, i cituar më lart, paragrafët 96-106; KI104/20, parashtrues Ejup Koci, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2021, paragrafi 46; KI135/20, parashtruese Hava Behxheti, Aktvendim për papranueshmëri i 10 dhjetorit 2020, paragrafët 39-54 dhe KI183/21, parashtrues Ejup Koci, i cituar më lart, paragrafi 85).
- Analiza e arsyeshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës
- Ashtu siç është elaboruar edhe më lart, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës padinë e tij në Gjykatën Themelore e ka parashtruar më 29 mars 2021. Në vijim të kësaj, për të konstatuar nëse procedura e zhvilluar pranë Gjykatës Themelore përbën tejzgjatje, Gjykata duhet të merr parasysh faktorët si në vijim: (a) ndërlikueshmërinë e rastit; (b) sjelljen e parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljen e autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësinë e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest.
- Gjykata përsëritë se thelbi i këtij rasti konsiston në faktin se parashtruesi i kërkesës më 17 dhjetor 2020 kishte paraqitur kërkesë për regjistrimin e biznesit të tij në ARBK. Më 24 dhjetor 2021, ABRK-ja përmes Qarkores [ 894] kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se kërkesa e tij për regjistrim të biznesit të tij është e pakompletuar. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës më 26 janar 2021 kundër Qarkores së ABRK-së, të 24 dhjetorit 2020 kishte parashtruar ankesë te Drejtorja e Përgjithshme e ARBK-së. Kjo e fundit, duke u bazuar në nenin 47 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, përmes Vendimit [nr. 2224], të 25 shkurtit 2021 2021 kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si të paafatshme. Më 9 mars 2021 kundër Vendimit të 25 shkurtit 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave, ku ky i fundit më 16 mars 2021 vërtetoi se ankesa e tij kundër Qarkores së ARBK-së, të 24 dhjetorit 2020 e paraqitur te Drejtorja e Përgjithshme e ARBK-së ishte e paafatshme. Rrjedhimisht, më 29 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave kishte parashtruar padi administrative në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit padinë e tij e kishte regjistruar me numër [A. nr. 695/2021]. Në vijim të padisë së tij, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore kishte parashtruar edhe dy “urgjenca” për marrjen e një vendimi gjyqësor përkitazi me padinë e tij, më 26 korrik 2021 dhe 1 dhjetor 2021.
- Ndërlikueshmëria e rastit
- Përkitazi me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës përmes të cilave ishte theksuar se ndërlikueshmëria e rastit mund të ndërlidhet me çështje të faktit dhe të ligjit por gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me përfshirjen e disa palëve në procedurë apo me një numër të caktuar provash që duhet trajtuar para gjykatave të rregullta (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, nr. 21/1993/416/495, Aktgjykim i 19 shtatorit 1994, paragrafi 55; kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 9580/81, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002, paragrafi 72; Humen kundër Polonisë, nr. 26614/95, Aktgjykim i 15 tetorit 1999, paragrafi 63; shih rastet e Gjykatës, KI18/18, me parashtrues Isuf Musliu, cituar më lart, paragrafi 45; dhe KI104/20, parashtrues Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 48).
- Gjykata vlerëson se shqyrtimi i padisë së tij konsiston në shqyrtimin e vërtetimit të gjendjes faktike që ndërlidhet me afatshmërinë e ankesës së tij kundër Letër Qarkores së ARBK-së, të 24 dhjetorit 2020. Përderisa në padinë e tij në Gjykatën Themelore dhe në kërkesën e tij të parashtruar në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës nënvizon se regjistrimi i biznesit ndërlidhet me marrëveshjet në fushën e energjetikës të arritura në kuadër “të Dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 8 shtator 2013”.
- sjellja e parashtruesit të kërkesës
- Gjykata konsideron se sjellja e parashtruesve përbën një fakt objektiv që nuk mund t’u atribuohet gjykatave dhe që duhet marrë parasysh në konstatimin, nëse procedurat vazhduan më gjatë se sa afati i arsyeshëm kohor, i garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih në këtë kuptim rastet e GJEDNJ-së, McFarlane kundër Irlandës, nr. 31333/06, Aktgjykim i 10 shtatorit 2010, paragrafin 148; Eckle kundër Gjermanisë, nr. 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 82; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI07/15, me parashtrues Shefki Zogiani, cituar më lart, paragrafi 55).
- Lidhur me sjelljen e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pas kërkesës për regjistrim të biznesit në ARBK dhe parashtresave të tij te Drejtorja e Përgjithshme e ARBK-së dhe Komisioni për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave, respektivisht më 29 mars 2021 kishte parashtruar padi administrative në Gjykatën Themelore. Pas padisë së tij, të parashtruar në Gjykatën Themelore, parashtruesi i kërkesës në të njëjtën gjykatë më 26 korrik 2021 dhe 1 dhjetor 2021, respektivisht kishte paraqitur edhe dy urgjenca për zgjidhje apo marrje të vendit gjyqësor përkitazi me padinë e tij. Në urgjencën e dorëzuar më 1 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash kishte specifikuar se: “[…] afati i kaluar prej më shumë se tetë muajve ka qenë i mjaftueshëm për vendosjen meritore sipas padisë së saj në konfliktin administrativ, të parashtruar më 29.03.2021, sidoqoftë, nga momenti i inicimit të konfliktit administrativ deri në ditët e sotme nuk ka pasur veprime të ndërmarra nga ana e gjykatës kompetente”.
- Parashtruesi i kërkesës, më 1 dhjetor 2021 po ashtu kishte parashtruar ankesa në KGJK dhe Institucionin e Avokatit të Popullit. Në KGJK parashtruesi i kërkesës ishte ankuar për “për punën e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamentit për Çështje Administrative”.
- Në vijim dhe bazuar në veprimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës që nga dita e parashtrimit të padisë së tij në Gjykatën Themelore [29 mars 2021] deri në ditën e parashtrimit të kërkesës së tij të tanishme në Gjykatë [5 janar 2022], Gjykata konsideron se veprimet e tilla procedurale nuk mund të kenë ndikuar në vonesën e Gjykatës Themelore në shqyrtimin e padisë së tij.
(c) sjellja e autoriteteve relevante
- Gjykata vë në dukje qëndrimin parimor të GJEDNJ-së se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të shqyrtuar çështjet brenda një afati të arsyeshëm kohor (shih, rastet e GJEDNJ-së, Luli dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 64480/09 64482/09 12874/10 56935/10 3129/12, Aktgjykim i 1 prillit 2014, paragrafi 91; Abdoella kundër Holandës, nr. 12728/87, Aktgjykim i 25 nëntorit 1992, paragrafi 24, Mishgjoni kundër Shqipërisë, 18381/05, Aktgjykim, i 7 dhjetorit 2010).
- Në vijim, GJEDNJ ka specifikuar se: “Metodat që mund të konsiderohen, si të përshtatshme dhe përkohshme, përfshijnë zgjedhjen për të trajtuar rastet sipas një radhe të veçantë, bazuar jo vetëm në datën kur ato janë parashtruar, por duke marrë në konsideratë shkallën e tyre të urgjencës dhe të rëndësisë dhe, në veçanti, në atë që është në rrezik për palët e interesuara” (shih rastin Zimmerman dhe Steiner kundër Zvicrës, nr. 8737/79, Aktgjykim, i 13 korrikut 1983, paragrafi 29).
- Lidhur me sjelljen e autoriteteve relevante dhe kompetente, Gjykata pas dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatë [5 janar 2022] dhe plotësimit të kërkesës nga ana e parashtruesit të kërkesës [26 prill 2021], më 5 maj 2022 ka njoftuar Gjykatën Themelore përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës, dhe të njëjtës më 30 maj 2022 dhe 22 qershor 2022, respektivisht i ka kërkuar që të njoftojë Gjykatën lidhur me procedurën e zhvilluar në Gjykatën Themelore që nga dita e regjistrimit të lëndës [ nr. 695/2021] në këtë gjykatë.
- Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën se pas regjistrimit të lëndës në këtë gjykatë, lënda i është caktuar gjyqtares së lëndës, e cila: “Lidhur me veprimet e ndërmarra në këtë lëndë, […] ka deklaruar se ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë çështje juridike pasi që me rastin e trajtimit të lëndëve administrative e njëjta vepron sipas parimit të vjetërsisë së lëndës – statusit të lëndëve të vjetërsuara. Kjo do të thotë se gjyqtarja e çështjes është e ngarkuar me numër të madh të lëndëve të natyrave të ngjashme apo të ndryshme që janë të pranuara dhe regjistruara më herët se lënda A.nr.695/2021, andaj ju njoftojmë se e njëjta do të shqyrtohet dhe zgjidhet sipas radhës së pranimit dhe regjistrimit, për çka pala do të informohet përmes ftesës së rregullt gjyqësore”.
- Bazuar në këtë fundit rezulton që Gjykata Themelore, përveç regjistrimit të lëndës dhe caktimit të gjyqtarit në këtë lëndë ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim tjetër procedural që do të nënkuptonte edhe njoftimin e parashtruesit të kërkesës përkitazi me shqyrtimin e padisë së tij në seanca të caktuara nga kjo gjykatë. Megjithatë, Gjykata thekson se gjykatat e rregullta kanë parasysh obligimin kushtetues dhe ligjor, që çështjet t’i finalizojnë brenda një afati të arsyeshëm.
- Bazuar në si më sipër, marrë për bazë periudhën kohore prej më pak se një (1) viti gjatë së cilës padia administrative e parashtruesit të kërkesës është në procedurë para Gjykatës Themelore, Gjykata nuk mund të konsiderojë se e njëjta është treguar pasive gjatë shqyrtimit të padisë së parashtruesit të kërkesës.
- Rëndësia e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest
- Lidhur me kriterin e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin në kontest, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila sqaron se një kategori e rasteve kërkon zgjidhje të veçantë ekspeditive. Sipas kësaj praktike, shembuj që kërkojnë kujdes të veçantë dhe zgjidhje me prioritet janë rastet që ndërlidhen me statusin dhe zotësinë civile, rastet rreth kujdestarisë së fëmijëve dhe marrëdhënies prind-fëmijë, kontestet nga marrëdhënia e punës, rastet e parashtruesve që vuajnë nga “sëmundje të pashërueshme” dhe kanë “pritje të reduktuar të jetëgjatësisë”, si dhe rastet rreth të drejtës për arsim (shih rastet e GJEDNJ, Bock kundër Gjermanisë, 11118/84, Aktgjykim i 21 shkurtit 1989, paragrafi 49; Laino kundër Italisë, nr. 33158/96, Aktgjykim i 18 shkurtit 1999, paragrafi 18, Mikulić kundër Kroacisë, i cituar më lart, paragrafi 44; Hokkanen kundër Finlandës, nr. 19823/92, Aktgjykim i 23 shtatorit 1994, paragrafi 72; Niederböster kundër Gjermanisë, nr. 39547/98, Aktgjykim i 27 majit 2003, paragrafi 39, Frydlender kundër Francës, i cituar më lart, paragrafi 45, Vocaturo kundër Italy, nr. 11891/85, Aktgjykim, i 24 majit 1991,paragrafi 17; X kundër Francës, nr. 18020/91, Aktgjykim i 31 marsit 1992, paragrafi 47; A. dhe të tjerët kundër Danimarkës, nr. 20826/92, Aktgjykim i 22 janarit 1996, paragrafët 78-81, Oršuš dhe të tjerët kundër Kroacisë, nr. 15766/03 Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 109).
- Veç kësaj, Gjykata vlerëson se bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të GJEDNJ-së, çështja që ngre parashtruesi i kërkesës nuk është çështje që kërkon “kujdes të posaçëm” (particular diligence) siç janë shembujt e lartcekur të vlerësuara nga GJEDNJ si kategori e çështjeve që kërkojnë zgjidhje e prioritet.
- Nga sa më sipër, Gjykata duke aplikuar parimet e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës në rrethanat e parashtruesit të kërkesës rikujton se i njëjti më 17 dhjetor 2020 në ARBK, kishte paraqitur kërkesë për regjistrim të biznesit të tij. Në vijim, në kuadër të procedurave të zhvilluara në MTI-ARBK, çështja e parashtruesit të kërkesës kishte përfunduar më 16 mars 2021, përmes Vendimit [nr. 2224] të Komisionit për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave, i cili kishte vërtetuar se ankesa e tij kundër Qarkores së ARBK-së, të 24 dhjetorit 2020 ishte e paafatshme. Kundër Vendimit [nr. 2224], të 16 marsit 2021 të Komisionit për shqyrtimin e parashtresave dhe ankesave, më 29 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi administrative në Gjykatën Themelore, shqyrtimi i të cilës akoma është duke u zhvilluar pranë të njëjtës gjykatë.
- Në këtë drejtim, Gjykata vëren se nga vlerësimi i tërësishëm i procedurave të zhvilluara në rastin e parashtruesit të kërkesës, dhe në veçanti asaj pranë Gjykatës Themelore, nuk rezulton se të njëjtat janë të paarsyeshme. Më konkretisht, Gjykata vë në pah se që nga dita e paraqitjes së padisë së tij në Gjykatën Themelore, përkatësisht më 29 mars 2021 deri tek dorëzimi i kërkesës së tij në Gjykatë më 5 janar 2022 nuk ka kaluar as një (1) vit dhe rrjedhimisht, kjo periudhë e kaluar prej dhjetë (10) muajve e njëzet e katër (24) ditëve, nuk mund të konsiderohet si periudhë e paarsyeshme në rastin e parashtruesit të kërkesës. Për më tepër, Gjykata po ashtu konsideron se çështja e parashtruesit të kërkesës nuk hyn në kategorinë e çështjes e cila kërkon një zgjidhje të përshpejtuar. Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata i referohet sërish urgjencave të parashtruesit të kërkesës, të paraqitur më 26 korrik 2021 dhe 1 dhjetor 2021, përmes të cilave, ndër tjerash, kishte nënvizuar se Gjykata Themelore duke theksuar se afati prej tre (3) muajve, respektivisht tetë (8) muajve ka qenë i mjaftueshëm për vendosjen e çështjes në merita nga ana e Gjykatës Themelore.
- Në përfundim, Gjykata konstaton se kohëzgjatja e procedurës në Gjykatën Themelore prej vetëm dhjetë (10) muajve e njëzetekatër (24) ditëve përkitazi me shqyrtimin e lëndës [ nr. 695/2021] të parashtruesit të kërkesës nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
- Rrjedhimisht, duke pasur parasysh kriteret e lartcekura të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës përkitazi me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen brenda një afati të arsyeshëm të lëndës [ nr. 695/2021], është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenet 113.1 dhe 7 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 29 shtator 2022, njëzëri
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani