Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [CPP. nr. 1/2021], të 10 marsit 2021

Nr. të lëndës KI122/21

Parashtruesit: Lekë Bytyqi

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

 ​​​​ Prishtinë, më​​ 4 shtator​​ 2023

Nr. ref.:​​ AGJ​​ 2246/23

 

 

 

 

 

 

 

AKTGJYKIM

 

 

rastin nr. KI122/21

 

Parashtrues

 

Lekë Bytyqi

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme,​​ 

CPP. nr. 1/2021, të 10 marsit 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

 e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar​​ 

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Lekë Bytyqi, me vendbanim në Prishtinë, i përfaqësuar me autorizim nga Habib Hashani, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [CPP. Nr. 1/2021] e 10 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme)​​ në lidhje me Aktvendimin [Rev.nr.37/2016] e 23 shkurtit 2016 të Gjykatës Supreme, në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.3494/2015] e 14 tetorit 2015, të Gjykatës së​​ Apelit, dhe​​ Aktvendimeve​​ [C.nr.725/15] ​​ të 3 korrikut 2015​​ dhe 15 korrikut 2015, të Gjykatës Themelore në Prizren (në tekstin në​​ vijim: Gjykata Themelore).​​ 

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin në vijim: KEDNJ).

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon nga Gjykata që identiteti i tij të mos zbulohet, me arsyetimin se është i mitur dhe se​​ “[...] i tërë kontesti (dhe jo vetëm ky), zhvillohet midis paditësit, që është nip i palës së kundërshtuar (e paditura N. është - gjyshja, ndërkaq të paditurit Sh.B dhe A.B janë - xhaxhallarët e paditësit).”

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës​​ Nr. 01/2023​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatë​​ 

 

  • Më 30 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës përmes postës, dorëzoi kërkesën në​​ Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më 8 korrik 2021, Kryetarja e Gjykatës Gresa Caka-Nimani caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesues), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).​​ 

 

  • Më 23 korrik 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.​​ 

 

  • Më 23 gusht 2021, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i dorëzoi një kopje.​​ 

 

  • Më 1 shkurt 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren​​ dorëzimin e dosjes së plotë të rastit.

 

  • Më 22 shkurt 2022, Gjykata kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që të dorëzonin dosjen e plotë të lëndës KI122/21.  ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

 

  • Më 23 shkurt 2022, Gjykata Themelore dorëzoi dosjen e plotë të rastit në Gjykatë. ​​ 

 

  • ​​ 15​​ nëntor 2022, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe kërkoi plotësimin e raportit.​​ 

 

  • Më​​ 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më 23 shkurt 2023, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe kërkoi plotësimin e raportit.

 

  • Më​​ 22​​ maj​​ 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e​​ gjyqtares raportuese dhe​​ kërkoi plotësimin e raportit.

 

  • ​​ 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

  • Më​​ 27​​ korrik 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e​​ gjyqtares​​ raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

  • Në të njëjtën ditë, Gjykata​​ me shumicë, përkatësisht me​​ (7)​​ vota​​ për dhe​​ (1)​​ votë​​ kundër,​​ konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe konstatoi se (ii)​​ Aktvendimi​​ [CPP. 1/2021] i​​ 10 marsit 2021, i​​ Gjykatës​​ Supreme,​​ nuk është​​ në përputhshmëri me​​ paragrafin 1 të​​ nenit​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me​​ paragrafin 1 të​​ nenit​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi​​ i kërkesës​​ dhe palët e interesuara janë pasardhës të drejtpërdrejtë juridik të H. B., i cili vdiq me 27 mars 2006. Në këtë drejtim, e paditura-pala​​ e interesuar N. B. është ish bashkëshortja, i padituri i dytë dhe i tretë Sh.B dhe A.B janë të bijtë, kurse parashtruesi i kërkesës Lekë Bytyqi është nipi, pra djali i djalit të ndjerë të tij – N. B (babai -paraardhësi i drejtpërdrejtë juridik i parashtruesit të kërkesës, dhe djali i paraardhësit të përbashkët juridik të palëve ndërgjygjëse H.B). Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës pretendonte se në bazë të Ligjit për Trashëgiminë, si trashëgimtar i rendit të parë trashëgues i të ndjerit H.B., ka të drejtë pronësie dhe posedimi në ¼ pjesë ideale të objektit kontestues.​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore ku kërkonte të vërtetohet (i) e drejta e pronësisë dhe (ii) caktimi i masës së sigurisë, përmes të cilit kërkonte që N.B, Sh.B, dhe A.B, të iu ndalohet që ta tjetërsojnë apo ta ngarkojnë objektin e kontestuar me ndonjë të drejtë tjetër pronësore në favor të ndonjë personi të tretë apo që këta me çfarëdo veprimi të disponimit kundërligjor, të cenojnë të drejtat reale dhe detyrimore të parashtruesit të kërkesës në objektin kontestues (banesën dhe lokalin afarist që gjendet në Prizren), deri në zgjidhjen definitive të këtij kontesti me aktgjykim të formës së prerë.​​ 

 

Faktet lidhur me kërkesën për masë të përkohshme të sigurisë

 

  • Më 3 korrik 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.725/2015] refuzoi si tërësisht të pabazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, përmes të cilës kishte kërkuar që të paditurve N.B, Sh.B. dhe A.B, të gjithë nga Prizreni, të iu ndalohet që ta tjetërsojnë apo të ngarkojnë objektin e kontestuar me ndonjë të drejtë tjetër pronësore në favor të ndonjë personi të tretë apo që këta me çfarëdo veprimi të disponimit kundërligjor, të cenojnë të drejtat reale dhe detyrimore të paditësit në objektin kontestues-banesën dhe lokalin afarist që gjendet në Prizren, deri në zgjidhjen definitive të këtij kontesti me aktgjykim të formës së prerë.

 

  • Gjykata Themelore e arsyetoi si në vijim refuzimin e​​ propozimit të​​ parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë:

 

Në bazë të provave të bashkëngjitura në shkresat e lëndës (sidomos faturat e tatimit në pronë si dhe nga vet deklarimet e paditësit në padi) gjykata ka konstatuar se të paditurit nuk janë pronarë të paluajtshmërisë kontestuese dhe se e njëjta është e evidentuar në emër të H.B. nga Prizreni, respektivisht trashëgimlënësit të palëve ndërgjyqëse, për të cilën gjykata konstaton se nuk mund të caktohet masa e përkohshme, pasi qe sipas ligjeve ne fuqi askush përveç pronarit nuk mund të disponojë me pjesën e tij. Poashtu gjykata konstaton se nuk ka bazë për caktimin e masës së përkohshme pasi që në rastin konkret parashtruesi i propozimit është trashëgimtarë i të ndjerit H.B. (nipi i tij) dhe ka mundësi që të parashtrojë propozim për shqyrtimin e trashëgimisë dhe deri sa nuk shqyrtohet trashëgimia për tjetërsimin apo ngarkimin me ndonjë të drejte tjetër të paluajtshmërisë kontestuese nga ana e këtu të paditurve nevojitet edhe pëlqimi - nënshkrimi i këtu paditësit, pasi siç u cek edhe më lartë sipas ligjit në fuqi dihet se si bëhet bartja e pronësisë.​​ 

 

  • Më 21 korrik 2015, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë kundër Aktvendimit [C.nr.725/2015] të​​ 3 korrikut 2015​​ (për refuzimin e vendosjes së masës së përkohshme), për shkak të shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave kontestimore; konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që masa e përkohshme të aprovohet.

 

Faktet e rastit në lidhje me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës

 

  • Më 15 korrik 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr. 725/2015] e (i) fton parashtruesin e kërkesës që ta përmirësoj/plotësoj padinë ne kuptim subjektiv të saj, respektivisht ta rregulloj legjitimacionin pasiv të padisë; (ii) kërkoi që padinë e plotësuar ta dorëzojë në gjykate në afat prej 3 ditësh pas pranimit të këtij aktvendimi; si dhe (iii) nëse në afatin e lartcekur nuk i kthehet padia e plotësuar, do të konsiderohet se e njëjta është tërhequr, e nëse i kthehet gjykatës e pa plotësuar, e njëjta do të hudhet poshtë. Sipas vlerësimit të Gjykatës Themelore, e njëjta konsideroi se padia është e mangët, ngase nga shkresat e lëndës rezulton që ka parashtruar padi kundër të paditurve të lartcekur lidhur me vërtetimin e pronësisë për paluajtshmërinë, për të cilën të paditurit nuk janë pronarë të paluajtshmërisë, por të njëjtit së bashku me parashtruesin e kërkesës janë trashëgimtar ligjor të trashëgimlënësit H.B, në emër të të cilit është e evidentuar paluajtshmëria kontestuese. Ndërsa parashtruesi i kërkesës nuk ka parashtruar asnjë provë përmes së cilës do të vërtetohej se kanë filluar procedurën e trashëgimisë dhe të paditurit nuk kanë pranuar që të përfundojë trashëgimia dhe të shpallen trashëgimtarë për paluajtshmërinë e trashëgimlënësit të tyre.​​ 

​​ 

  • Më 24 korrik 2015, parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi ankesë kundër Aktvendimit [C.nr. 725/2015] të​​ 15 korrikut 2015, për shkak të shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave kontestimore; konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të​​ gjendjes faktike, si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale; me propozimin ​​ e anulimit të Aktvendimit si dhe të gjitha veprimeve procedurale, të ndërmarra nga Gjykata Themelore para se të ketë siguruar përgjigjen në padi.

 

  • Më 14 tetor 2015, Gjykata e Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit] përmes Aktvendimit [Ac.nr.3494/2015] hodhi poshtë si të palejuara ankesat e parashtruesit të kërkesës të paraqitura kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore [C.nr. 725/15] të 3 korrikut 2015 dhe 15 korrikut 2015. Lidhur me ankesat e parashtruara kolegji i Gjykatës së Apelit vlerësoi se​​ “që të dyja ankesat e parashtruara kundër dy aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë, janë të palejuara. Ankesa e parë është e palejuar bazuar në nenin 310 par.5 të LPK, kurse ankesa e dytë bazuar në nenin 387 par.2 të LPK.”

 

  • Më 4 dhjetor 2015, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.725/15] konsideroi që padia e parashtruesit të​​ kërkesës është tërhequr. Në arsyetimin e këtij Aktvendimi theksohet që:​​ “Nga koha e marrjes së aktvendimit me të cilin paditësi është obliguar qe ta bëjë përmirësimin dhe plotësimin e padisë në kuptimin subjektiv të saj, respektivisht ta rregullojë legjitimacionin pasiv të padisë, nën kërcenim të pasojave ligjore ka kaluar afati ligjor 3 ditor, ndërsa në shkresat e lëndës nuk ekzistojnë prova se paditësi, respektivisht i autorizuari i tij, të ketë vepruar në përputhje me këtë vendim.”​​ 

 

  • Në vijim, Gjykata Themelore në Aktvendimin e lartcekur të 4 dhjetorit 2015, theksoi gjithashtu si në vijim:

 

“Duke marrë parasysh faktin se edhe aktvendimi të lartpërmendur, paditësit, respektivisht i autorizuari i tyre nuk kanë vepruar në përputhje me urdhrin e gjykatës (ka kaluar afati ligjor i dhënë nga gjykata) ndërsa që nuk ka pasur propozime të tjera konkrete, dhe pasi që paditësi nuk ka parashtruar asnjë provë përmes së cilës do të vërtetohej se kanë filluar procedurën e trashëgimisë dhe të paditurit nuk kanë pranuar që të përfundojë trashëgimia dhe të shpallen trashëgimtarë për paluajtshmërinë e trashëgimlënësit të tyre. Poashtu vet paditësi në padi kanë theksuar se nuk ka filluar procedura e trashëgimisë, pasi që sipas dispozitave ligjore në fuqi secili trashëgimtarë (përfshirë këtu edhe paditësin) mund të kërkojë ndarjen e trashëgimit në çdo kohë dhe kjo e drejtë nuk parashkruhet, dhe nëse trashëgimtarët kanë mospajtime lidhur me ndarjen e trashëgimisë, atëherë mund të inicojë kontest civil në afatin prej 30 ditëve, dhe padia është parashtruar kundër të paditurve të lartcekur lidhur me vërtetimin e pronësisë për paluajtshmërinë, për të cilën të paditurit nuk janë pronarë të paluajtshmërisë, por të njëjtit së bashku me paditësin janë trashëgimtarë ligjor të trashëgimlënësit H.B, në emër të të cilit është e evidentuar paluajtshmëria kontestuese, gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi, e konform nenit 102.3 të LPK-së.”​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës nuk parashtroi ankesë kundër Aktvendimit [C.nr. 725/2015] të 4 dhjetorit 2015 të ​​ Gjykatës Themelore, përmes të cilit padia e tij ishte konsideruar e tërhequr.​​ 

 

  • Më 16 dhjetor 2015, kundër Aktvendimit [Ac.nr.3494/2015] ​​ të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për revizion për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave​​ ​​ procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktvendimi i goditur të prishet dhe lënda t'i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.

 

  • Më 23 shkurt 2016, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.37/2016]: (i) Pranoi si të bazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [AC.nr.3494/2015] i 14 tetorit 2015, në pjesën që i referohet hedhjes së ankesës së paditësit, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr.725/2015] i 4 dhjetorit 2015, (me të cilin padia e paditësit konsiderohet e tërhequr)​​ prishet​​ dhe lënda i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së dytë; (ii) hidhet si i palejuar revizioni i parashtruesit të kërkesës, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [AC.nr.3494/2015] i 14 tetorit 2015, në pjesën që i referohet hedhjes së ankesës së paditësit, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr.725/2015] të 3 korrikut 2015 (me të cilin është refuzuar kërkesa e paditësit për masën e përkohshme të sigurisë).​​ 

 

  • Rrjedhimisht, çështja që i referohet hedhjes së ankesës së paditësit, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr.725/2015] i 4 dhjetorit 2015, (me të cilin padia e paditësit konsiderohet e tërhequr) ishte​​ prishur​​ dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit. Prandaj,​​ lidhur me këtë pikë të Aktvendimit, lënda ishte në pritje për tu rivendosur nga Gjykata e Apelit.

 

  • Më 8 maj 2019, parashtruesi i kërkesës paraqet në Gjykatën Themelore përsëritje të propozimit për caktimin e masës së sigurimit të​​ kërkesëpadisë që gjykata të nxjerrë aktvendim - për masën e sigurimit të kërkesëpadisë - me të cilin aprovohet propozimi i parashtruesit të kërkesës, me qëllim që të sigurohet kërkesëpadia e tij, të caktohet masa e sigurimit dhe të paditurve N.B., Sh.B. dhe A.B., të gjithëve bashkërisht dhe secilit prej tyre që e shfrytëzon apo që është në posedim të paluajtshmërisë kontestuese, u ndalohet që të dëmtojnë, që të tjetërsojnë apo që të ngarkojnë këtë paluajtshmëri apo të cenojnë të drejtat reale të parashtruesit në paluajtshmëritë kontestuese.

 

  • Në periudhën në të cilën çështja përmes revizionit ishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit dhe e cila ende nuk kishte vendosur,​​ të paditurit N.B, Sh.B dhe A.B, më 23 shkurt 2021,​​ parashtruan​​ propozim për përsëritjen e procedurës, ndaj Aktvendimit [Rev.nr.37/2016] të 23 shkurtit 2016, të Gjykatës Supreme, në pikën I të dispozitivit të tij. Propozimi për përsëritjen e procedurës​​ ishte​​ paraqitur për shkaqe të përcaktuara me dispozitën e nenit 232 pika (g) të LPK-së, duke përdorur si shkak dhe bazë për këtë se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr. 725/2015] të 4 dhjetorit 2015 (me të cilin padia e paditësit konsiderohet e tërhequr), kështu që Gjykata Supreme gabimisht në pikën I të dispozitivit, Aktvendimin [Ac.nr.3494/2015] e 14 tetorit 2015, të Gjykatës së Apelit e​​ kishte​​ prishur dhe lëndën e​​ kishte​​ kthyer në rigjykim të njëjtës gjykatë.

 

  • Gjykata Supreme në Aktvendim thekson që​​ “Propozimi për përsëritjen e procedurës, i është dërguar të autorizuarit të paditësit, avokatit Habib Hashanit, me datën 25.02.2021, në shkresat e lëndës nuk ka provë se ​​ njëjti i ka dhënë përgjigje në propozimin e të paditurve për përsëritjen e procedurës.”

 

  • Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës​​ kishte​​ dorëzuar në Gjykatë fletëkthesën e Postës së Kosovës, që dëshmon se i njëjti kishte dorëzuar me postë shkresën Përgjigje e Paditësit –kundërpropozuesit, më 13 mars 2021, ku propozonte​​ që: të​​ hedhet​​ poshtë Propozimi​​ i​​ "Parashtrueseve - Propozueseve" - si të palejueshëm dhe që Gjykata Supreme të njoftojë edhe Gjykatën e Apelit dhe të udhëzohet që brenda obligimeve dhe kompetencës së saj, me urgjencë, të veprojë sipas urdhrit të saktësuar në pikën I të dispozitivit të Aktvendimit [Rev.nr.37/2016] të 23 shkurtit 2016, pra, që edhe pse, tashmë, kanë kaluar më tepër se 5 (pesë) vite, të rigjykojë çështjen, - të rivendosë lidhur​​ me ankesën e parashtruesit të kërkesës, të parashtruar kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren [C.nr. 725/2015] të 4 dhjetorit 2015.

 

  • Më 10 mars 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CPP.nr.1/2021]: (i) pranoi si të bazuar propozimin e të paditurve, N.B, Sh.B dhe A.B, për përsëritjen e procedurës të përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev.nr.37/2016] të 23 shkurtit 2016; (ii) prishet Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Rev.nr.37/2016], i 23 shkurtit 2016, në pjesën I të dispozitivit dhe​​ hedhet, si i palejuar revizioni i parashtruesit të kërkesës, i paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac.nr. 3494/2015] i 14 tetorit 2015, në pjesën që i referohet hedhjes së ankesës së paditësit të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [ C.nr.725/2015] të 15 korrikut 2015 (me të cilin paditësit i kthehet në plotësim padia).​​ 

 

  • Në arsyetimin e Aktvendimit të lartcekur, Gjykata Supreme ndër të tjera theksoi si në vijim:​​ “Paditësi, në gjykatën e shkallës së dytë ka paraqitur dy ankesa, me ankesën e parë e ka kontestuar aktvendimin C.nr. 725/2015 të datës 03.07.2015 (me të cilin është refuzuar kërkesa për masën e sigurisë) ndërsa me ankesën e dytë e ka kontestuar aktvendimin C.nr. 725/29015 të datës 15.07.2015 (me të cilin paditësit i është kthyer në plotësim padia). Paditësi nuk ka parashtruar ankesë kundër aktvendimit C.nr. 725/29015 të datës 14.10.2015​​ [theksim i shtuar: duhet të jetë 04.12.2015]​​ (me të cilin padia e paditësit është konsideruar e tërhequr).”

 

  • Në vijim Gjykata Supreme pas vlerësimit të lejueshmërisë së revizionit të parashtruesit të kërkesës përkitazi me pjesën I të dispozitivit të Aktvendimit [Rev.nr.37/2016] të 23 shkurtit 2016, në bazë të dispozitës së nenit 221 e lidhur me nenin 230 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore (LPK), gjeti se: Revizioni është i palejuar. Gjykata Supreme, këtë vendim e arsyetoi si në vijim:

 

“Nga shkresat e lëndës del se objekt i kësaj çështjeje juridike është vlerësimi i ligjshmërisë së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë me të cilin është hedhur ankesa e paditësit paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, [C.nr. 725/29015] të datës 15.07.2015, me të cilin paditësi ftohet që ta përmirësoj-plotësoj padinë në kuptim subjektiv të saj.​​ 

 

Në dispozitën e nenit 228.1 të LPK, është paraparë që palët mund të paraqesin​​ revizion vetëm kundër aktvendimit të formës së prerë me të cilën përfundon procedura gjyqësore në shkallë të dytë.

 

Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës,​​ AC.nr.2141/2016 datë 26.7.2016​​ [theksim i shtuar: duhet të jetë Ac.nr. 3494/2015, datë 14.10.2015],​​ është hedhur ankesa e paditësit, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, C.nr. 725/29015 të datës 15.07.2015, me të cilin paditësi ftohet që ta përmirësoj-plotësoj padinë në kuptim subjektiv të saj, nga se nuk është lejuar një ankesë e tillë, për faktin se kundër aktvendimeve të dhëna gjatë përgatitjes së shqyrtimit kryesor, që kanë të bëjnë me drejtimin e gjykimit nuk lejohet ankimi (neni 387.2 LPK-se) dhe në këtë kuptim nuk kemi aktvendim të formës së prerë në kuptim të nenit 228.1 të LPK-së.”

 

  • Më 25 maj 2021, nga dosja e lëndës rezulton shënimi zyrtar i cili sqaron se më 11 maj 2021, shkrimorja e Gjykatës Themelore kësaj lënde i kishte vendosur një numër të ri, përkatësisht [C.nr.517/2021], ndërsa pas analizimit të rastit nga gjyqtari përkatës dhe bazuar në Aktgjykimin [CPP.nr.1/2021] e Gjykatës Supreme të 10 marsit 2021, është konstatuar se nga shkrimorja ka rrjedhur gabimi pasiqë gabimisht i është dhënë numër i ri, pasiqë përmes Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Supreme është prishur​​ Aktvendimi [Rev. nr. 37/2016] i 23 shkurtit 2016 i Gjykatës Supreme dhe është hedhur si i palejuar revizioni i parashtruesit të kërkesës.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.

 

  • Parashtruesi i kërkesës konsideron se me Aktvendimin e kontestuar, në dëm të tij, janë shkelur tri parime themelore juridike, të inkorporuara në themelin e sistemit juridik të Kosovës, ai - sipas te cilit, para se një gjykatë të marrë një vendim, është e detyruar që të dëgjoje edhe palën tjetër (parimi​​ audiatur et altera pars), ai - sipas te cilit për të njëjtën çështje nuk mund të vendoset dy herë (parimin​​ ne bis in idem) dhe ai - sipas të cilit, të gjitha organeve gjyqësore u ndalohet që të zvarrisin, injorojnë, të mohojnë kërkesat e individëve që këta para tyre i parashtrojnë (parimi sipas te cilit ndalohet mohimi i vendimmarrjes, mohimi i gjykimit - ndalesa​​ deni de justice).

 

  • Sipas parashtruesit të kërkesës, Aktvendimi i kontestuar është marrë shpejt, brenda një kohe shumë të shkurtër (vetëm brenda 15 ditëve nga dita e parashtrimit të Propozimit për përsëritjet të procedurës të të paditurve) dhe pa u shqyrtuar përgjigja e paditësit.​​ 

 

  • Në vijim, parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme për të njëjtën çështje, për Revizionin e paditësit, vendos dy herë. Sipas tij, herën e parë, para 5 (pesë) viteve, me Aktvendimin [Rev.nr.37/2016] Gjykata Supreme e pranon Revizionin. Kurse herën e dytë, me Aktvendimin [CPP.nr.1/2021], pas 5 (pesë) viteve, Gjykata Supreme vendosi për të hedhur poshtë Revizionin, kurse Aktvendimin e plotfuqishëm, [Rev.nr. 37/2016] të 23 shkurtit 2016, e prishë (pra – nuk e anulon).

 

  • Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se përmes Aktvendimit të kontestuar është mbyllur çdo rrugë procedurale që​​ "dikush", madje - që edhe vetë Gjykata e shkallës së parë, që është kompetente, të procesojë dhe të vendosë sipas Propozimit të paditësit për caktim të masës së sigurimit të kërkesëpadisë, të parashtruar në Gjykatën Themelore, më 8 maj 2019. Prandaj, sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme shkeli parimin, sipas të cilit ndalohet refuzimi i dhënies së mbrojtjes, ndalohet mohimi i të drejtës së kujdo që çështja e tij e ngritur para gjykatës të mohohet, pra - ndalohet veprimi​​ deni de justice.

 

  • Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (1) Parashtruesi i kërkesës e konsideron të arsyeshëm, të ligjshëm dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm një vendim të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin Aktvendimi i Kontestuar – anulohet; (2) Por, parashtruesi i kërkesës konsideron se e vetmja zgjidhje adekuate, e arsyeshme, e ligjshme dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm do të ishte ai vendim i Gjykatës Kushtetuese, sipas te cilit, me Aktgjykim do të anulohej Aktvendimi i Kontestuar dhe do të ndryshohej Aktvendimi i Gjykatës Supreme [Rev. nr. 37/2016] i 23 shkurtit 2016, ashtu që, të​​ pranohet​​ si i bazuar revizioni i parashtruesit të kërkesës dhe që Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [AC.nr.3494/20 15] i 14 tetorit 2015, Aktvendimi i Gjykatës Themelore [C.nr. 725/2015] i 15 korrikut 2015 dhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore [C.nr. 725/2015] i 4 dhjetorit 2015, të​​ prishen​​ dhe që lënda i kthehet Gjykatës së shkallës së parë- Gjykatës Themelore, në rigjykim dhe rivendosje.

 

  • Parashtruesi i kërkesës në fund gjithashtu kërkon që identiteti i tij të mos zbulohet, pasiqë i njëjti ka marrëdhënie familjare me palët e interesuara, përkatësisht është nip​​ i tyre (e paditura N.B është gjyshja, Sh.B dhe A.B janë xhaxhallarët e parashtruesit të kërkesës.

 

Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

[...]

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

[....]

 

Ligji Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore

 

Neni 99

 

99.2 Parashtresat duhet të jenë të kuptueshme dhe të përmbajnë çdo gjë që nevojitet dhe e mundëson veprimin sipas tyre. Ato duhet të përmbajnë sidomos: emrin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin (emërtimin e personit juridik), vendbanimin apo vendqëndrimin (selinë e personit juridik) e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor apo me prokurë, po që se i kanë, objektin e kontestit, përmbajtjen e deklaratës dhe firmën e parashtruesit.

 

Neni 102


102.1 Kur një parashtresë nuk arrin të jetë e kuptueshme dhe e plotë, siç kërkohet​​ në paragrafin 2 të nenit 99, gjykata do ta thërrasë personin që e dërgon ta korrigjojë ose ta plotësojë parashtresën. Në një rrethanë të tillë, gjykata e udhëzon palën për korrigjimet dhe për plotësimet që do të zënë vend dhe e cakton një periudhe treditore për korrigjimin dhe për plotësimin e parashtresës.

 

[...]

 

102.3 Do të konsiderohet se është tërhequr parashtresa po që se nuk i kthehet gjykatës brenda afatit të caktuar, e në qoftë se i kthehet pa u korrigjuar, gjegjësisht pa u plotësuar, parashtresa do të hidhet poshtë.​​ 

 

Forma e prerë e aktgjykimit​​ 

Neni 166​​ 

 

166.1 Aktgjykimi i cili nuk mund të goditet me anë të ankesës bëhet i formës së prerë për aq sa është vendosur me të mbi kërkesëpadinë apo të kundërpadisë.​​ 

 

166.2 Gjykata gjatë gjithë procedimit të çështjes kujdeset sipas detyrës zyrtare se a mos është gjë e gjykuar çështja e ngritur me padi dhe nëse konstaton se procedura është iniciuar për kërkesën për të cilën ekziston vendimi i formës së prerë, padia duhet të hedhet poshtë si e palejueshme.​​ 

 

Neni 196


Ankesën e vonuar, jo të plotë, apo jo të lejueshme, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së dytë me aktvendim, po që se nuk e ka bërë një gjë të tillë gjykata e shkallës siç parashikuar në (nenin 186).

 

Neni 209


Duke vendosur për ankimin e veçantë, gjykata e shkallës së dytë mundë:

a) të hedhë poshtë ankesën si jo të kohëshme, jo të plotë, apo jo të lejueshme;

 

Neni 218

Revizionin e paraqitur pas skadimit të afatit ligjor, apo atë jo të plotë, me anë të aktvendimit e hedhë poshtë gjykata e shkallës së parë, pa mbajtur seancë gjyqësore.

 

Neni 221

Revizionin e vonuar, jo të plotë dhe të palejueshëm me, aktvendim e hedhë poshtë gjykata e revizionit, po që se një gjë të tillë nuk e ka bërë gjykata e shkallës së parë brenda kufijve të autorizimeve të saja (neni 218 i këtij ligji).

 

 

 

Neni 228

228.1 Palët mund të paraqesin revizionin vetëm kundër aktvendimeve të formës së prerë me të cilat përfundon procedura e gjykatës së shkallës së dytë.

 

228.2 Nuk lejohet revizioni kundër aktvendimeve nga paragrafi 1 i këtij neni në kontestet në të cilat nuk do të ishte i lejuar revizioni kundër aktgjykimit.

 

Neni 230

Në procedurën sipas revizionit kundër aktvendimit në mënyrë adekuate aplikohen dispozitat e këtij ligji mbi revizionin kundër aktgjykimit.

 

Neni 232

​​ 

Procedura e përfunduar me aktgjykim dhe aktvendim të formës së prerë të gjykatës mund të përsëritet sipas propozimit të palës:​​ 

​​ 

a) në qoftë se palës me veprim të kundërligjshëm, e sidomos në rast të mos thirrjes për në seancë nuk i jepet mundësia që të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes kryesore;​​ 

 

b) në qoftë se në procedurën e përfunduar ka marrë pjesë si paditës ose si i paditur personi që nuk mund të jetë palë ndërgjyqëse, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose po që se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor i saj, ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës, nuk ka pasur autorizim të duhur për ndjekjen e çështjes në gjyq apo për kryerjen e veprimeve procedurale të caktuara, po që se ndjekja e çështjes në gjyq apo kryerja e veprimeve procedurale të caktuara nuk është lejuar me vonë nga pala;​​ 

 

c) në qoftë se vendimi përfundimtar i gjykatës është bazuar në deklarata të rreme të dëshmitarëve apo të ekspertëve ose në dokumentin që është falsifikuar apo në të cilin është verifikuar përmbajtja e pasaktë;​​ 

 

d) në qoftë se vendimi përfundimtar i formës së prerë është pasojë e veprës penale të gjyqtarit, të përfaqësuesit ligjor apo me prokurë të palës, kundërshtare apo të personit të tretë;​​ 

 

e) në qoftë se pala fiton mundësinë ta përdorë vendimin e formës së prerë të gjykatës, i cili më parë, është dhënë në procedurën e zhvilluar midis palëve të njëjta për të njëjtën kërkesëpadi;

 

​​ f) në qoftë se vendimi përfundimtar i formës së prerë është bazuar në një vendim tjetër gjyqësor, ose në vendimin e ndonjë organi tjetër, kurse ky vendim është ndryshuar, prishur apo anuluar në mënyrë të prerë;​​ 

 

g) në qoftë se pala merr dijeni për fakte të reja ose gjen prova të reja, ose e fiton mundësinë që t’i përdorë ato, në bazë të të cilave për palën do të mund të merrej vendim përfundimtar më i favorshëm, sikur faktet dhe provat e tilla të ishin përdorur në procedurën e mëparshme.

 

​​ Neni 233​​ 

 

233.1 Nga shkaqet e treguara në nenin 232 pika a) dhe b) të këtij ligji nuk mund të kërkohet përsëritja e procedurës, po që se ato janë përdorur pa sukses në procedurën e mëhershme.​​ 

 

233.2 Nga shkaqet e treguara në nenin 232 pika g) e këtij ligji përsëritja e procedurës mund të kërkohet vetëm po që se pala, pa fajin e saj, nuk ka mundur ti parashtroj këto rrethana para se të ketë marrë fund procedura e mëparshme me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Neni 237​​ 

 

237.1 Propozimin për përsëritjen e procedurës të paraqitur pas afatit ligjor, atë jo të plotë, apo të palejueshëm, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së parë me anë të aktvendimit pa mbajtur seancë gjyqësore.

 

​​ 237.2 Po që se gjykata e shkallës së parë nuk e hedhë poshtë propozimin, një ekzemplar të tij ia dërgon palës kundërshtare, e cila ka të drejtë që brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të përgjigjet lidhur me të.

 

Neni 238​​ 

 

Pasi të arrijë përgjigja lidhur me propozimin, apo pasi të skadojë afati për përgjigje, gjykata propozimin, bashkë me përgjigjen në të, po që se është paraqitur, me të gjitha shkresat e lëndës ia dërgon gjykatës së shkallës së dytë brenda afatit prej tetë (8) ditësh.

 

Neni 310

 

310.5 Kundër aktvendimit mbi masën e përkohshme nuk lejohet ankimi.

 

Neni 387

 

387.2 Kundër aktvendimeve të dhëna gjatë përgatitjes së shqyrtimit kryesor që kanë të bëjnë me drejtimin e gjykimit nuk lejohet ankimi

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata së pari vlerëson nëse i njëjti i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ 

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  • Në vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47​​ (Kërkesa individuale),​​ 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

     Neni48

    (Saktësimi i kërkesës)

 

"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."

 

     Neni 49

     (Afatet)

 

"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...".​​ 

 

  • Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht​​ Aktgjykimin [CPP.nr.1/2021] e 10 marsit 2021, të Gjykatës Supreme​​ dhe i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës​​ Nr.01/2023. Rregulli 34​​ (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli​​ 34​​ (2) specifikisht përcakton që:

 

Rregulli​​ 34

​​     (Kriteret e pranueshmërisë)

 

"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja​​ nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj."

 

  • Pas shqyrtimit të ankesës kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se kërkesa nuk mund të konsiderohet si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet me paragrafin (2) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës (shih, gjithashtu rastin e GjEDNj-së:​​ Alimuçaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 20134/05, Aktgjykim, i 9 korrikut 2012, paragrafi 144, si dhe shih në mënyrë të ngjashme rastin e Gjykatës KI27/20, parashtrues​​ Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aktgjykim, i 22 korrikut 2020, paragrafi 43).​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (1) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të deklarohet e papranueshme në bazë të kritereve të përcaktuara në paragrafin (3) të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.​​ Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit është e pranueshme për shqyrtim në merita.

 

Meritat e kërkesës

 

  • Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata fillimisht rikujton​​ që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen​​ me çështjen në të cilën parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi për vërtetim të së drejtës së pronësisë dhe caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilit kërkonte që N.B, Sh.B, dhe A.B, të iu ndalohet që ta tjetërsojnë apo ta ngarkojnë objektin e kontestuar me ndonjë të drejtë tjetër pronësore në favor të ndonjë personi të tretë, deri në zgjidhjen definitive të këtij kontesti me aktgjykim të formës së prerë. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit të 3 korrikut 2015,​​ refuzoi si tërësisht të pabazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë. Pas kërkesës së Gjykatës Themelore të 15 korrikut 2015 drejtuar parashtruesit të kërkesës që ta përmirësoj padinë në kuptim subjektiv të saj, respektivisht ta rregulloj legjitimacionin pasiv të padisë, më 4 dhjetor 2015, Gjykata Themelore vendosi që padia e parashtruesit të kërkesës ishte tërhequr pasi​​ që i njëjti nuk kishte paraqitur plotësimin e kërkuar. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës nuk parashtroi ankesë kundër Aktvendimit të 4 dhjetorit 2015, me të cilin padia e tij ishte konsideruar e tërhequr. Pra, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit të 3 korrikut 2015 (me të cilin ishte refuzuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë) si dhe Aktvendimit të 15 korrikut 2015 (me të cilin i ishte kërkuar që ta përmirësojë padinë në kuptim të legjitimacionit pasiv të saj). Gjykata e Apelit i hodhi poshtë si të palejuara ankesat e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit të 3 korrikut 2015 dhe Aktvendimit të 15 korrikut 2015. Në vijim kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës Gjykata Supreme, më 23 shkurt 2016, e pranoi si të bazuar dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, në pjesën që i referohej hedhjes së ankesës së paditësit, paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore të 4 dhjetorit 2015, (me të cilin padia e paditësit konsiderohet e tërhequr)​​ prishet​​ dhe lënda i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së dytë.​​ Përderisa, çështja ishte në pritje në kuadër të Gjykatës së Apelit për rigjykim, palët e interesuara N.B, Sh.B dhe A.B parashtruan propozim për përsëritjen e procedurës, ndaj Aktvendimit të Gjykatës Supreme, nën pretendimin se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur ankesë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore të 4 dhjetorit 2015 (me të cilin padia e paditësit konsiderohet e tërhequr), kështu që Gjykata Supreme gabimisht në pikën I të dispozitivit, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit e ka prishur dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim të​​ të​​ njëjtës gjykatë. Gjykata Supreme e aprovoi si të bazuar propozimin e palëve të interesuara për përsëritje të procedurës të përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës Supreme të 23 shkurtit 2016; si dhe prishi Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të 23 shkurtit 2016, në pjesën I të dispozitivit, si dhe​​ hedhet, si i palejuar revizioni i parashtruesit të kërkesës, i paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, në pjesën që i referohet hedhjes së ankesës së​​ parashtruesit të kërkesës​​ të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [ C.nr.725/2015] të 15 korrikut 2015 (me të cilin paditësit i kthehet në plotësim padia).

 

  • Parashtruesi i kërkesës, i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i (I)​​ cenimit të parimit​​ res judicata,​​ si dhe (II)​​ shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritetit.

 

  • Prandaj,​​ Gjykata​​ në vijim, pretendimet e lartcekura të​​ parashtruesit të kërkesës​​ do t’i shqyrtojë​​ në dritën e garancive procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilat janë interpretuar përmes praktikës gjyqësore​​ të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, Gjykata në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

​​ 

  • Lidhur me​​ pretendimet për cenim të:​​ (I)​​ parimit res judicata,​​ Gjykata​​ fillimisht vëren që në vitin 2016, përkatësisht në momentin kur Gjykata Supreme​​ përmes Aktvendimit [Rev.nr. 37/2016]​​ e kishte​​ pranuar​​ si të bazuar revizion e parashtruesit të kërkesës, e njëjta e kishte​​ prishur​​ Aktvendimin [AC.nr.3494/2015] e​​ 14​​ tetorit​​ 2015, të​​ Gjykatës së​​ Apelit ​​ në​​ pjesën që​​ i referohet hedhjes​​ si të palejuar të​​ ankesës së​​ parashtruesit të kërkesës, paraqitur kundër​​ Aktvendimit​​ [C.nr.725/2015] të​​ 4​​ dhjetorit​​ 2015,​​ të​​ Gjykatës Themelore (me të​​ cilin padia e parashtruesit​​ konsiderohej​​ e tërhequr) dhe lëndën​​ ia kishte​​ kthyer​​ në​​ rigjykim gjykatës së​​ shkallës së​​ dytë.​​ Rrjedhimisht,​​ në këtë pikë ky Aktvendim nuk e kishte arritur statusin​​ res judicata​​ pasi​​ që​​ çështja​​ ishte kthyer në​​ rigjykim, dhe ishte në​​ pritje të​​ vendosjes nga Gjykata e Apelit.

 

  • Prandaj, përderisa​​ që nga viti 2016​​ lënda ishte kthyer në Gjykatën e Apelit për tu rigjykuar,​​ në ndërkohë​​ në vitin 2021,​​ Gjykata Supreme​​ përmes vendimit të kontestuar​​ kishte lejuar​​ kërkesën për përsëritje të procedurës​​ të parashtruar nga palët e interesuara dhe njëkohësisht kishte​​ prishur​​ Aktvendimin​​ e saj​​ [Rev.nr.37/2016] të 23 shkurtit 2016, me të cilin e kishte kthyer çështjen në rigjykim në Gjykatën e Apelit,​​ vetëm në pjesën​​ që​​ i referohet hedhjes​​ si të palejuar të​​ ankesës së​​ parashtruesit të kërkesës, paraqitur kundër​​ Aktvendimit​​ [C.nr.725/2015] të​​ 4​​ dhjetorit​​ 2015,​​ të​​ Gjykatës Themelore (me të​​ cilin padia e parashtruesit​​ konsiderohej​​ e tërhequr).​​ Për më tepër,​​ përveç lejimit të kërkesës për përsëritje të procedurës,​​ Gjykata Supreme kishte​​ hedhur si të palejuar​​ kërkesën për revizion të​​ parashtruesit të kërkesës​​ ​​ paraqitur kundër aktvendimit [Ac.nr. 3494/2015]​​ ​​ 14 tetorit 2015,​​ të​​ Gjykatës së​​ Apelit të Kosovës,​​ në pjesën që i referohet hedhjes së ankesës së paditësit të paraqitur kundër Aktvendimit [C.nr.725/2015] të 15 korrikut 2015, të Gjykatës Themelore (me të cilin parashtruesit të kërkesës i kthehej​​ në plotësim padia).

​​ 

  • Sipas vlerësimit të Gjykatës,​​ Gjykata Supreme​​ përmes vendimit të kontestuar​​ e kishte rikthyer​​ lëndën​​ për tu rigjykuar në Gjykatën e Apelit dhe pritej​​ vendim i ri nga kjo​​ gjykatë​​ e shkallës së dytë.​​ Pra,​​ Gjykata​​ Supreme vlerësoi se​​ përderisa objekt i kësaj çështjeje ishte vlerësimi i ligjshmërisë së​​ Aktvendimit [Ac.nr. 3494/15] të 14 tetorit 2015, të​​ Gjykatës së​​ Apelit,​​ me të​​ cilin​​ ishte hedhur​​ ankesa e​​ parashtruesit të kërkesës​​ paraqitur kundër​​ Aktvendimit të​​ Gjykatës Themelore në​​ Prizren,​​ [C.nr.​​ 725/2015]​​ i​​ 15​​ korrikut​​ 2015, me të​​ cilin​​ parashtruesi i kërkesës​​ ftohej​​ që​​ ta përmirësoj-plotësoj​​ padinë​​ në​​ kuptim subjektiv të​​ saj, konsiderohet që as ky Aktvendim nuk ishte i formës së prerë, me të cilin përfundon procedura gjyqësore në shkallë të dytë.​​ Pra, përderisa pritej që Gjykata e Apelit përsëri të gjykonte çështjen, lënda​​ në këtë pikë​​ nuk​​ e​​ kishte arritur statusin e vendimit​​ res judicata. ​​ ​​ 

 

  • Rrjedhimisht, të rikthyerit e çështjes në rigjykim në Gjykatën e Apelit përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev.nr. 37/2016], konsiston në atë që tashmë ishte penguar që Aktvendimi [AC.nr.3494/2015] i​​ 14​​ tetorit​​ 2015, i​​ Gjykatës së​​ Apelit​​ të bëhet i formës së prerë. Pra, përderisa pritej që Gjykata e Apelit përsëri të gjykonte çështjen, lënda nuk kishte arritur statusin e vendimit​​ res judicata. ​​ 

 

  • Përfundimisht, Gjykata konsideron se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkelje të parimit​​ res judicata​​ është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, prandaj kjo pjesë e kërkesës duhet të shpallet e papranueshme në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

 

II.​​ Përkitazi me pretendimin për shkeljen e parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve në procedurë

 

  • Gjykata, fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ Aktvendimi i kontestuar është marrë​​ në mënyrë të​​ shpejtë, brenda një kohe shumë të shkurtër (vetëm brenda 15 ditëve nga dita e parashtrimit të Propozimit të të paditurve) dhe pa u shqyrtuar përgjigja e tij.​​ Pra, parashtruesi i kërkesës pretendon që përderisa atij i ishte dorëzuar propozimi për përsëritje të procedurës me 25 janar 2021, i njëjti​​ pretendon se​​ më 13 mars 2021,​​ kishte dorëzuar në Gjykatën Supreme shkresën e titulluar “Përgjigje e Paditësit –kundërpropozuesit” me propozimin që të​​ hedhë poshtë Propozimin e​​ palëve të interesuara:​​ N.B, Sh.B dhe A.B.

 

  • Rrjedhimisht, në dritën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do t’i shtjellojë parimet e përgjithshme të zhvilluara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atë të barazisë së armëve.

 

  • Parimet e përgjithshme sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së përkitazi me parimin e kontradiktoritetit dhe atë të barazisë së armëve

  • Gjykata fillimisht thekson se gjykimi i drejtë përfshin të drejtën për gjykimin në pajtim me​​ “parimin e kontradiktoritetit”, parim i cili është i ndërlidhur me parimin e​​ “barazisë së armëve”​​ (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Regner kundër Republikës Çeke,​​ nr.​​ 35289/11, Aktgjykim i vitit 2017, paragrafi 146). Në këtë kontekst, në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm, veçanërisht në lidhje me rëndësinë që i kushtohet paraqitjeve dhe rritjes së vëmendjes apo ndjeshmërisë së publikut ndaj administrimit të drejtë të drejtësisë (shih rastin​​ Borgers kundër Belgjikës,​​ nr. 12005/86, Aktgjykim i 30 tetorit 1991, paragrafi 24).

 

  • E drejta për procedurë kontradiktore nënkupton në parim mundësinë që palët në një gjykim penal ose civil të kenë njohuri dhe të komentojnë të gjitha provat e paraqitura ose vëzhgimet e paraqitura, madje edhe nga një anëtar i pavarur i shërbimit ligjor kombëtar, me synimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës​​ (shih rastet e GJEDNJ-së:​​ Kress kundër Francës,​​ nr. 39594/98, Aktgjykim i 7 qershorit​​ 2001, paragrafi 74;​​ Ruiz-Mateos kundër Spanjës,​​ nr. 12952/87,​​ Aktgjykim i 23 qershorit​​ 1993, paragrafi 63;​​ McMichael kundër Mbretërisë së Bashkuar,​​ nr. 16424/90, Aktgjykim i ​​ 24 shkurtit​​ 1995, paragrafi 80;​​ Vermeulen kundër Belgjikës,​​ nr. 19075/91, Aktgjykim i 20 shkurtit​​ 1996, paragrafi 33;​​ Lobo Machado kundër Portugalisë,​​ nr. 15764/89, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996, paragrafi 31).​​ Kjo kërkesë mund të zbatohet gjithashtu edhe përpara një Gjykate Kushtetuese​​ (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Milatová dhe të tjerët kundër Republikës Çeke,​​ nr. 61811/00, Aktgjykim i 21 qershorit 2005, paragrafët 63-66;​​ Gaspari kundër Sllovenisë,​​ nr. 21055/03, Aktgjykim i 21 qershorit​​ 2009,​​ paragrafi 53).

 

  • E drejta për procedurë kontradiktore duhet të jetë në gjendje të ushtrohet në kushte të kënaqshme: një palë në procedurë duhet të ketë mundësinë të njihet me provat para gjykatës, si dhe mundësinë për të komentuar ekzistencën, përmbajtjen dhe vërtetësinë e tyre në një formën e duhur dhe brenda një kohe të përshtatshme (shih rastet e GJEDNJ-së:​​ Krčmář dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 35376/97, Aktgjykim i 3 marsit 2000, paragrafi 42;​​ Immeubles Groupe Kosser kundër Francës, nr. 38748/97, Aktgjykim i 21 marsit 2002, paragrafi 26), nëse është e nevojshme duke marrë një shtyrje (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Yvon kundër Francës, nr. 44962/98, Aktgjykim i 24 prillit 2003, paragrafi 39).

 

  • Vetë gjykata duhet të respektojë parimin e kontradiktoritetit, për shembull nëse vendos një çështje në bazë të një arsyeje ose kundërshtimi që ajo e ka ngritur me mocionin e saj (shih rastet e GJEDNJ-së:​​ Čepek kundër Republikës Çeke,​​ nr. 9815/10,​​ Aktgjykim i 5 shtatorit 2013, paragrafi 45, dhe krahasoni​​ Clinique des Acacias dhe të tjerët kundër Francës, nr. 65399/01, 65406/01, 65405/01 dhe 65407/01, Aktgjykim i 13 tetorit 2005, paragrafi 38, me​​ Andret dhe të tjerët kundër Francës,​​ nr. 1956/02,​​ Vendim i 25 majit 2004; në këtë rast, Gjykata e Kasacionit informoi palët se ishin parashikuar arsye të reja dhe ankuesit kishin një mundësia për t'u përgjigjur para se të jepte vendimin Gjykata e Kasacionit).

 

  • Kufizimet: e drejta për procedim kontradiktor nuk është absolute dhe qëllimi i saj mund të ndryshojë në varësi të veçorive specifike të çështjes në fjalë (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Hudáková dhe të tjerët kundër Sllovakisë, nr. 23083/05, Aktgjykim i 27 prillit 2010, paragrafët 26-27), duke iu nënshtruar shqyrtimit të Gjykatës së instancës së fundit (shih rastin e GJEDNJ-së: Regner kundër Republikës Çeke​​ cituar më lartë, paragrafët 146-147). Në çështjen e përmendur së fundit, GJEDNJ-ja vuri në dukje se procedurat duhej të konsideroheshin si tërësi dhe se çdo kufizim mbi parimet e kundërshtarit dhe të barazisë së armëve mund të ishte kundërbalancuar mjaftueshëm nga masa të tjera mbrojtëse procedurale (paragrafët 151-161).

 

  • Zbatimi i këtyre parimeve në rastin e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata, fillimisht rikujton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit të kontradiktoritetit, ndërlidhet me atë që​​ Aktvendimi i kontestuar është marrë (pa kaluar afati prej​​ 15 ditëve nga dita e parashtrimit të Propozimit për përsëritje të Procedurës të palëve të interesuara) dhe pa u shqyrtuar përgjigja e tij​​ dërguar përmes postës.

 

  • Në këtë aspekt, bazuar në shkresat e lëndës rezulton që me 25 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës ishte njoftuar lidhur me kërkesën për përsëritje të procedurës, të parashtruar nga palët e interesuara​​ N.B, Sh. B dhe A.B. Në këtë drejtim, Gjykata Supreme në Aktvendimin [CPP. nr. 1/2021] e 10 marsit 2021, kishte theksuar si në vijim:​​ ”Propozimi për përsëritjen e procedurës, i është dërguar të autorizuarit të paditësit, avokatit Habib Hashanit, me datën 25.02.2021, në shkresat e lëndës nuk ka provë se i njëjti i ka dhënë përgjigje në propozimin e të paditurve për përsëritjen e procedurës.

 

  • ​​ anën tjetër, bazuar në shkresat e lëndës ​​ edhe parashtruesi i kërkesën thekson se më 25 shkurt 2021 e kishte pranuar kërkesën për përsëritje të procedurës të parashtruar nga palët e interesuara N.B, Sh.B. dhe A.B. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës thekson se përgjigjen në propozimin e palëve të interesuara për përsëritjen e procedurës,​​ i njëjti e kishte përcjellur me datë 13 mars 2021,​​ prej momentit të pranimit të kësaj kërkese. ​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte vendosur me 10 mars 2021 (d.m.th. pa kaluar afati i përcaktuar 15 ditë për mundësimin e dhënies së përgjigjes të parashtruesit të kërkesës), mirëpo parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar përgjigjen e tij në propozimin për përsëritje të procedurës, pas kalimit të afatit 15 ditor të përcaktuar në nenin 237 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.​​ 

 

  • Lidhur me rrethanat e rastit konkret,​​ Gjykata rikujton se Aktvendimi [CPP.nr.1/2021] i 10 marsit 2021,​​ i​​ Gjykatës Supreme theksoi si në vijim:

 

“Propozimi për përsëritjen e procedurës, i​​ është​​ dërguar të​​ autorizuarit të​​ paditësit,​​ avokatit Habib Hashanit , me datën 25.02.2021, në shkresat e lëndës nuk ka provë se i njëjti i ka dhënë përgjigje në propozimin e të paditurve për përsëritjen e procedurës.”

 

  • Në vijim Gjykata vë theksin tek (i)​​ paragrafi 2 ​​ i nenit 237; dhe (ii)​​ neni 238​​ të Ligjit për Procedurën Kontestimore që përcaktojnë:​​ 

 

237.2 Po që se gjykata e shkallës së parë nuk e hedhë poshtë propozimin, një ekzemplar të tij ia dërgon palës kundërshtare, e cila ka të drejtë që brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të përgjigjet lidhur me të.

 

Neni 238​​ 

 

Pasi të arrijë përgjigja lidhur me propozimin, apo pasi të skadojë afati për përgjigje, gjykata propozimin, bashkë me përgjigjen në të, po që se është paraqitur, me të gjitha shkresat e lëndës ia dërgon gjykatës së shkallës së dytë brenda afatit prej tetë (8) ditësh.

 

  • Në këtë drejtim,​​ Gjykata​​ fillimisht rikujton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e parimit të​​ barazisë së armëve dhe​​ kontradiktoritetit, ndërlidhet me atë që​​ Aktvendimi i kontestuar është marrë (pa kaluar afati prej​​ 15 ditëve nga dita e parashtrimit të Propozimit për përsëritje të Procedurës të palëve të interesuara) dhe pa u shqyrtuar përgjigja e tij​​ të cilën pretendon se e kishte dorëzuar në Gjykatën Supreme.

 

  • Gjykata rikujton se GjEDNj dhe Gjykata në praktikat e tyre gjyqësore kanë theksuar që parimi i​​ “barazisë së armëve”​​ kërkon “një baraspeshë të drejtë ndërmjet palëve”, ku secilës palë duhet dhënë mundësia e arsyeshme për të paraqitur rastin e vet në kushte që nuk e vënë atë në pozitë konsiderueshëm të pabarabartë​​ vis-à-vis​​ palës kundërshtare. Në këtë kuptim, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë së​​ armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural, sepse parashtruesi i kërkesës është vënë në një disavantazh të konsiderueshëm​​ vis-à-vis​​ të​​ paditurve,​​ përkatësisht​​ palëve​​ të interesuara,​​ N.B, Sh.B, dhe A.B, duke u privuar nga mundësia për të pasur një ballafaqim real dhe​​ përmbajtësor me argumentet dhe pretendimet e paraqitura nga pala e interesuar, si palë kundërshtare në procedurë.​​ 

 

  • Sipas​​ sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, KEDNJ-së, praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, si​​ dhe legjislacionit të​​ BE-së, një nga kërkesat thelbësore të së drejtës për një gjykim të drejtë është​​ 'barazia e armëve'​​ ndërmjet palëve.​​ Në këtë drejtim, barazia e armëve​​ konsiston në të​​ siguruarit​​ që secila palë të ketë një mundësi të arsyeshme për të paraqitur rastin e​​ tij/saj në kushte që nuk e​​ vendosin në pozitë të pafavorshme​​ asnjërën palë. Gjykata sjell në vëmendje që​​ çdo ankesë në lidhje me mungesën e barazisë së armëve shqyrtohet në dritën e nenit​​ 31 të Kushtetutës dhe nenit​​ 6 (1)​​ të KEDNJ-së, sepse parimi i barazisë së armëve është vetëm një tipar i konceptit më të gjerë të një gjykimi të drejtë, i cili gjithashtu përfshin​​ ​​ drejtën fundamentale​​ që procedurat​​ gjyqësore të ngërthejnë edhe parimin e kotradiktoritetit.​​ (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Ruiz Mateos kundër Spanjës, nr. 12952/87, Aktgjykim i 23 qershorit 1993, paragrafi 63).​​ 

 

  • Edhe praktike e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (në tekstin në vijim: GJDBE) ngjashëm përcakton që parimi i barazisë së armëve, i cili është rrjedhojë e vetë konceptit të një gjykimi të drejtë,​​ nënkupton që secilës palë duhet t'i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur çështjen e tij/saj, duke përfshirë dëshminë e tij​​ në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të konsiderueshëm kundrejt kundërshtarit të tij​​ (Shih rastet e GJDBE-së: çështjet e bashkuara C-514/07 P, C-528/07 P dhe C-532/07 P,​​ Suedia dhe të tjerët kundër API dhe Komisionit​​ [2010] ECR I-8533,​​ paragrafi 88, si dhe C-199/11,​​ Europese Gemeenschap kundër Otis NV dhe të tjerët, Aktgjykim i 6 nëntorit 2012, paragrafi 71).

 

  • E drejta në procedurë kontradiktore në parim nënkupton mundësinë që palët në procedurë të jenë në dijeni dhe të komentojnë për të gjitha provat e administruara ose për parashtresat e paraqitura, madje edhe nga një anëtar i pavarur i shërbimit juridik nacional, ashtu që të kenë ndikim në vendimin gjyqësor. Pra, Gjykata konsideron se detyrimi i njoftimit të palës kundërshtare, nga gjykatat, për ushtrimin e mjeteve juridike kundër tyre, nuk është qëllim në vetvete. Ky detyrim është hap i domosdoshëm procedural për t’ua mundësuar palëve që të trajtohen në mënyrë të barabartë, të kenë mundësi të kundërshtojnë pretendimet dhe argumentet e palës kundërshtare dhe të paraqesin rastin e tyre në mënyrë efektive (shih rastet​​ e Gjykatës​​ KI82/21, me parashtrues​​ Komuna e Gjakovës, Aktgjykim i 30 shtator 2021, paragrafi​​ 97;​​ KI193/19, me parashtrues​​ Salih Mekaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2020, paragrafi 59).

 

  • Prandaj, Gjykata konsideron se​​ përderisa Gjykata Supreme kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës, lidhur me kërkesën për përsëritje të procedurës,​​ të parashtruar nga palët e interesuara​​ N.B, Sh. B dhe A.B,​​ si dhe të vendosurit e Gjykatës Supreme me 10 mars 2021, pa kaluar afati i përcaktuar 15 ditor,​​ përbën një shkelje të parimeve të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve siç garantohet nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 i KEDNj-së (shih,​​ mutandi mutandis,​​ rastin e Gjykatës KI209/19, me parashtrues​​ Memli Krasniqi, Aktgjykim i 26 nëntorit 2020, paragrafi 57).

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se ky lëshim i Gjykatës Supreme përbën një të metë procedurale të pakapërcyeshme, sepse parashtruesi i kërkesës është privuar nga e drejta e tij për një proces të rregullt gjyqësor, që garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së.​​ Prandaj, Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 të KEDNj-së.

 

  • Në anën tjetër, Gjykata e ka parasysh poashtu që​​ parashtruesi i kërkesës thekson se përgjigjen në propozimin e palëve të interesuara për përsëritjen e procedurës i njëjti e kishte përcjellur me datë 13 mars 2021, përkatësisht në ditën e 16-të nga dita e pranimit të kësaj kërkese.​​ 

 

  • Rrjedhimisht,​​ duke​​ marrë​​ parasysh lëshimet procedurale edhe nga ana e parashtruesit të​​ kërkesës, Gjykata konsideron se rezultati për parashtruesin nuk do të​​ ndryshonte​​ edhe nëse Gjykata e kthen rastin​​ ​​ rigjykim. Prandaj, në rastin konkret​​ shkelja​​ është​​ e natyrës deklarative dhe​​ ky​​ aktgjykim nuk paragjykon pretendimet e parashtruesit të kërkesës për të drejtën në pronë dhe trashëgimi.​​ 

 

Kërkesa për moszbulim të identitetit të parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar që identiteti i tij në procedurë para kësaj Gjykate të mos zbulohet pasiqë i njëjti ka marrëdhënie familjare me palët e interesuara, përkatësisht është nip i tyre (e paditura N.​​ B është gjyshja, Sh.​​ B.​​ dhe A.​​ B.​​ janë xhaxhallarët e parashtruesit të kërkesës).

 

  • Lidhur me​​ këtë,​​ Gjykata​​ i referohet rregullit​​ 24​​ (1) të Rregullores së punës, i cili parasheh:

 

​​ (1) Kurdo përgjatë procedurës së​​ shqyrtimit të​​ një​​ kërkese individuale sipas paragrafit 7 të​​ nenit 113 të​​ Kushtetutës dhe deri në​​ publikimin e vendimit​​ përfundimtar, palët mund të​​ kërkojnë​​ ​​ identiteti i tyre të​​ mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të​​ jetë​​ e arsyetuar.”

 

  • Në lidhje​​ me këtë kërkesë, Gjykata konsideron se arsyetimi i dhënë i parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit, i cili i referohet afërsisë familjare të tij me palët e interesuara nuk përbën bazë të mjaftueshme e cila do ta justifikonte aprovimin e kërkesës së tij për moszbulimin e identitetit të tij (shih në mënyrë të ngjashme rastet e Gjykatës: KI111/20, me parashtrues​​ Elez Elezi, Aktvendim për Papranueshmëri i 28 dhjetorit 2020; KI74/17 parashtrues​​ Lorenc Kolgjeraj, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 dhjetorit 2017, paragrafi 32).​​ 

 

  • Prandaj, bazuar në atë si më lart, Gjykata vendosë që të refuzojë kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenit 20​​ të Ligjit dhe me rregullat​​ 24(2) dhe​​ 48​​ (1)​​ (a)​​ të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më​​ 27​​ korrik​​ 2023,​​ me shumicë:

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË​​ me shtatë (7) vota për dhe një (1) votë kundër,​​ kërkesën të pranueshme;

 

  • TË KONSTATOJË, me shtatë (7) vota për dhe një (1) votë kundër,​​ se​​ Aktvendimi​​ [CPP.nr. 1/2021]​​ i​​ 10 marsit 2021,​​ i​​ Gjykatës Supreme të Kosovës​​ ​​ nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1​​ të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

 

  • TË REFUZOJË, njëzëri,​​ kërkesën për mos zbulim të identitetit;

 

  • T’UA KUMTOJË,​​ këtë Aktgjykim palëve dhe në pajtim me​​ paragrafin 4 të​​ nenin 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;

 

  • Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportuesKryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu KrasniqiGresa Caka-Nimani

1

Parashtruesit:

Lekë Bytyqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile