KI 196/19, Parashtrues i kërkesës: Jetullah Deliu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 216/2019, i 11 korrikut 2019
KI 196/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 shtatorit 2020, i publikuar më 22 tetor 2020.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, servituti i kalimit, kërkesë e papranueshme
Në rastin konkret, Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte kërkuar të vërtetohet se pala e paditur Shkolla e Mesme “Medreseja Alaudin” Prishtinë, ka penguar parashtruesin e kërkesës në posedimin e fundit faktik të së drejtës së kalimit (servitutit të rrugës) në ngastrën kadastrale dhe shtëpinë e ndërtuar të parashtruesit të kërkesës. Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Në Gjykatën Kushtetuese parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte ofruar asnjë provë dhe as nuk kishte arsyetuar se si janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vlerësoi se përtej pretendimit se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenet 21, 31, 41, 46 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur para Gjykatës asnjë argument ose arsyetim konkret përkitazi me shkeljet e të drejtave të tij e të cilat ai i pretendon.
Gjykata po ashtu rikujtoi praktikën e saj gjyqësore sipas së cilës vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Gjykata konkludoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Jetullah Deliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile