Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Kml. nr. 2/2021, të 24 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI149/22

Parashtruesit: Fejzi Hajdari

Shkarko:

KI149/22, Parashtrues: Fejzi Hajdari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Kml. nr. 2/2021, të 24 shkurtit 2021

KI149/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2023, publikuar më 16 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident të 14 nëntorit 2019, ku  parashtruesi i kërkesës ishte i përfshirë në shkaktim të këtij aksidenti dhe për pasojë kishte mbetur i lënduar personi R. K. Gjykata Themelore – Divizioni për Kundërvajtje nxori Aktgjykimin [K. nr. 887/2019] e 1 tetorit 2020, përmes të cilit parashtruesi i kërkesës ishte shpallur përgjegjës nga paragrafët 1 dhe 6 të nenit 19 dhe paragrafi 2 i nenit 255 të Ligjit nr. 05/l-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe nga neni 35 i Ligjit nr. 05/l-087 për Kundërvajtje duke shqiptuar dënimin me gjobë prej 200 euro dhe kishte udhëzuar të dëmtuarin në kontest civil për realizim të kërkesës pasurore juridike. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesën kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës së kundërvajtjes, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, aplikim të gabuar të ligjit material dhe vendimit mbi dënimin, me arsyetimin se fajtor për shkaktimin e aksidentit nuk është vetëm parashtruesi i kërkesës, me propozimin se vendimi të anulohet dhe rasti të kthehet në rigjykim. Ndërsa, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ka. nr. 491/2020] të 2 dhjetorit 2020, refuzoi ankesën e parashtruesit si të pabazuar, me arsyetimin se nuk ka shkelje të dispozitave të procedurës së kundërvajtjes apo aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, duke iu referuar neneve 384 dhe 432 të Kodit të Procedurës Penale pretendonte shkelje të ligjit penal, shkelje esenciale të ligjit të procedurës penale, me propozimin që Aktgjykimi të anulohet dhe rasti të kthehet në rivendosje.

Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Kml. nr. 2/2021] të 24 shkurtit 2021, duke iu referuar nenit 149 të  Ligjit nr. 05/l-087 për Kundërvajtje, refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë si të palejuar. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon që vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston aktvendimin [Kml. nr. 2/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 24 shkurtit 2021. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore  vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 4 mars 2021. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më  3 tetor 2022 më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Fejzi Hajdari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale