Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CML. nr. 45/2018, të 20 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 23/19

Parashtruesit: Agim Hoxha

Shkarko:

KI23/19, Parashtrues: Agim Hoxha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CML. nr. 45/2018, i 20 dhjetorit 2018

KI23/19, Aktvendim për papranueshmëri i 7 tetorit 2021, publikuar më 1 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, masë e përkohshme, konflikt interesi, kërkesë e paafatshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se kreditori RBKO, kishte paraqitur propozim për përmbarim, në Gjykatën Komunale në Gjakovë, për shitje të paluajtshmërisë së parashtruesit të kërkesës me qëllim të realizimit të kredisë ndaj parashtruesit të kërkesës (debitorit). Gjykata Themelore në Gjakovë, me gjyqtarin individual Gjokë Radi duke vendosur sipas propozimit të kreditorit RBKO vendos për caktimin e shitjes publike të paluajtshmërive të evidentuara në emër të parashtruesit e kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në  Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Ndërkohë, kreditori RBKO i ishte drejtuar Gjykatës Themelore me  kërkesë që “lënda përmbarimore” t’i transferohet Përmbaruesit Privat Gjokë Radi. Gjykata Themelore me Konkluzionin lejoi transferimin e lëndës përmbarimore tek Përmbaruesi Privat Gjokë Radi. Parashtruesi i kërkesës iu drejtua Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me propozim që të paraqet kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Konkluzionit të Përmbaruesit Privat Gjokë Radi. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të paraqitur kundër Konkluzionit të Përmbaruesit Privat Gjokë Radi dhe  Konkluzionit të Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme, mes tjerash, arsyetoi: (i) me dispozitën e nenit 245.1 të LPK-së parashihet se Prokurori Publik mund të ngre kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë brenda 3 muajsh kundër vendimit gjyqësor të formë së prerë (ii) se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me Aktvendim me të cilin lejohet përmbarimi apo Aktvendim me të cilin është vendosur për prapësim, por në pyetje janë Konkluzione kundër të cilëve nuk lejohen kurrfarë mjete të goditjes pasi që me to zbatohen disa veprime dhe drejtohet procedura përmbarimore; (iii) kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë sa i përket Konkluzionit të Gjykatës Themelore është edhe e paafatshme sepse është paraqitur pas afatit 3 mujor të paraparë me dispozitën e nenit 245.1 të ligjit të procedurës kontestimore; dhe  (iv)   se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë bazuar në nenin 247 të LPK-së mund të paraqitet vetëm për shkak të shkeljes së kompetencës territoriale, nëse gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë vendim pa seancë kryesore, apo në rast se në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku pa seancë kryesore.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës, mes tjerash, pretendon: (i) prokurori i shtetit mund të paraqes kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë edhe pas afatit 3 mujor sepse kështu përcakton qëndrimi parimor i Gjykatës Supreme; (ii) të caktohet ekspertiza financiare për caktim të shumës reale të borxhit në pajtim me LPP-në dhe rregullat e BQK-së sepse borxhi aktual përfshin edhe penalitetin; (iii) kontrata mbi hipotekën nuk është legalizuar në gjykatë dhe as nuk është noterizuar kurse organi përmbarues po e zbaton përmbarimin vetëm në bazë të dokumentit përmbarues; (iv) “dokumenti i besueshëm” mbi të cilin bazohet shitja e pronës së tij është i kundërligjshëm sepse nuk është vërtetuar nga gjykatat dhe as nuk është noterizuar, (v) Përmbaruesi Privat Gjokë Radi  është në konflikt interesi sepse të njëjtën çështje e ka gjykuar si gjyqtar, dhe (vi) caktimin e masës së përkohshme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata iu referua nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës që përcakton se kërkesa në Gjykatën Kushtetuese duhet të dorëzohen brenda afatit ligjor katër (4) mujor nga dita e pranimit të vendimit të fundit. Nga faktet e rastit, Gjykata konstatoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit dhe Konkluzioni i Gjykatës Themelore në Gjakovë janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese pas kalimit të afatit ligjor 4 (katër) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me aspektin material të kërkesës KI23/19, rolin e dyfishtë të Gjokë Radit si gjyqtar dhe organ përmbarues dhe kërkesa për caktim të masës së përkohshme në tërësi duhet të refuzohen si të paafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Agim Hoxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër