Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 109/2019, të 7 tetorit 2019, si dhe Aktvendimeve të Ministrisë së Administratës Publike, nr. 02/2014, të 23 tetorit 2014, nr. 05/2015, të 16 dhjetorit 2015, nr. 06/470-3/2016, të 8 nëntorit 2016, dhe Ref. KSHA-OJQ/4-2018, të 25 shtatorit 2018

Nr. të lëndës KI 229/19

Parashtruesit: Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA”

Shkarko:

KI229/19, Parashtrues: Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA”. Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 109/2019, të 7 tetorit 2019, si dhe Aktvendimeve të Ministrisë së Administratës Publike, nr. 02/2014, të 23 tetorit 2014, nr. 05/2015, të 16 dhjetorit 2015, nr. 06/470-3/2016, të 8 nëntorit 2016, dhe Ref. KSHA-OJQ/4-2018, të 25 shtatorit 2018

 KI229/19, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2021, publikuar më 15 shkurt 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, liria e asociimit, Aktvendim për papranueshmëri, mosshterrim i mjeteve juridike

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa e parë e parashtruesit të kërkesës ishte e regjistruar në regjistrin e Gjykatës, me numër KI18/19, e cila ishte vendosur nga Gjykata Kushtetuese përmes Aktvendimit për papranueshmëri KI18/19, të 20 qershorit 2019.

Parashtruesi i kërkesës më 9 dhjetor 2004 ishte regjistruar si Organizatë Joqeveritare në Republikën e Kosovës.

Parashtruesi i kërkesës i ka kryer aktivitetet e tij deri më 17 shtator 2014, kur Ministria e Administratës Publike (në tekstin e mëtejmë: MAP) kishte nxjerrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë së tij, me arsyetimin se ekzistonte dyshimi i bazuar se veprimtaria që e ushtron parashtruesi i kërkesës, nuk përkon me rendin juridik-kushtetues të Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Vendimit të lartpërmendur të MAP-it, në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të OJQ-ve (në tekstin e mëtejmë: Komisioni i Ankesave), dhe kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës ishte drejtuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Vendimit të larpërmendur të Komisionit të Ankesave. Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktgjykimit [A. nr. 2345/2014], kishte aprovuar ankesën e parashtruesit dhe e kishte kthyer lëndën për rishqyrtim në MAP. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 76/18] pranoi ankesën e parashtruesit, dhe rrjedhimisht anuloi Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me arsyetimin se i njëjti ishte i paqartë dhe i paekzekutueshëm. Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim përmes Aktgjykimit [A. nr. 2369/2018], sërish aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, anuloi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe e ktheu rastin në rishqyrtim në MAP. Parashtruesi parashtroi sërish ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore.

Parashtruesi paralelisht ju drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë, dhe kjo e fundit përmes Aktvendimit për papranueshmëri në rastin KI18/19, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të papranueshme pasi konstatoi se nuk ishin shterur mjetet juridike.

Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. nr. 137/2019] e  refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në Gjykatën Supreme e cila përmes Aktvendimit [ARJ-UZVP. nr. 109/2019], kërkesën e parashtruesit e hodhi poshtë si të palejuar.

 Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018, MAP-i nxori 4 vendime me të cilat kishte vazhduar pezullimin e punës së parashtruesit të kërkesës.

 Parashtruesi i kërkesës kontestoi çdo vendim të MAP-it për pezullimin e kryerjes së veprimtarisë së tij duke u ankuar pranë Komisionit për shqyrtimin e ankesave të OJQ-ve, megjithatë të gjitha ankesat e parashtruesit të kërkesës u refuzuan.

Më 10 tetor 2019, MAP hoqi pezullimin e vendosur ndaj veprimtarisë së parashtruesit të kërkesës, respektivisht, Departamenti për OJQ i MAP-it, riktheu si aktiv statusin juridik të parashtruesit të kërkesës. MAP sqaroi se statusi aktiv i parashtruesit të kërkesës u kthye si aktiv pasi Vendimi i katërt për pezullimin e veprimtarisë të parashtruesit të kërkesës “nuk ishte më në fuqi, pas kalimit të afatit prej 1 viti”.

Parashtruesi i kërkesës deklaroi në Gjykatën Kushtetuese se me vendimet e kontestuara i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë] nenin 44 [Liria e Asociimit], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 11 (Liria e tubimit dhe organizimit), nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të  Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, para Gjykatës pretendoi se me Aktvendimin [ARJ-UZVP. nr. 109/2019] të Gjykatës Supreme, Gjykata Supreme – sipas arsyetimit të dhënë – fillimisht nuk bën dallimin ndërmjet një vendimi “jomeritor” dhe një vendimi “meritor”. Së dyti, parashtruesi pretendon se Gjykata Supreme nuk bën dallimin ndërmjet një vendimi të plotfuqishëm dhe të formës së prerë dhe një vendimi i cili nuk është i tillë. Duke u thirrur në paragrafët 4 dhe 5 të nenit 4 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se bazuar në parimin kushtetues për ndarjen e pushteteve, është plotësisht e gabuar të thuhet se një vendim “jomeritor” i gjykatës së shkallës së dytë, me të cilin një çështje i kthehet organit administrativ në rivendosje, nuk është vendim i formës së prerë dhe i plotfuqishëm.

Gjykata, për t’iu përgjigjur kërkesës së parashtruesit nëse në rastin konkret ai duhet të përmbushë kushtet formale të kërkuara për shterimin e të gjitha mjeteve juridike, ose mund të lirohet nga ky detyrim, shqyrtoi si praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së po ashtu edhe praktikën e saj gjyqësore, në të cilën janë vendosur parimet themelore dhe parimet e shterimit të mjeteve juridike.

Në lidhje me këtë, Gjykata mori parasysh “Konceptin e shterimit të mjeteve juridike” i cili është përcaktuar me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, dhe konkludoi se së pari duhet të përcaktojë nëse parashtruesi i kërkesës në rastin konkret kishte në dispozicion mjetet juridike të parapara me ligj dhe me përdorimin e të cilave ai do të mund të mbronte të drejtat e tij kushtetuese, si dhe të drejtat e parapara me KEDNJ, para se ta parashtrojë kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Në pajtim me këtë, Gjykata lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për Vendimet e MAP-it, të cilat parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës e që ndërlidhen me pezullimin e dytë, të tretë dhe të katërt të fushëveprimtarisë së parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës, nuk i ka shterur mjetet juridike të parapara me ligj, qoftë në procedurë administrative ose/dhe në procedurë gjyqësore.

Lidhur me Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 109/2019, të 7 tetorit 2019, që ndërlidhet me procedurën e parë të pezullimit të fushëveprimtarisë së parashtruesit të kërkesës përmes Vendimit të MAP-it, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës, pavarësisht që ka ndjekur procedurat ligjore për të kontestuar gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, para Gjykatës së Apelit dhe asaj Supreme, nuk i ka shterur mjetet juridike për të parashtruar kërkesën para Gjykatës për faktin se me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 24 qershorit 2019, është vërtetuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është vendosur se çështja nëse vendimi për pezullimin e parë të veprimtarisë së parashtruesit të kërkesës i vitit 2014 është i ligjshëm, kthehet në rivendosje në MAP dhe çështja lidhur me ligjshmërinë e vendimit për pezullimin e parë të veprimtarisë së parashtruesit të kërkesës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Në fund, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës ende nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me nenin 113, paragrafi 7 i Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative