KI127/18 Parashtrues: Tush Kolgjeraj vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PN. nr. 825/17 të 6 tetorit 2017
KI127/18, aktvendim për papranueshmëri i 25 shtatorit 2019, publikuar më 22 tetor 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, e paafatshme.
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 8 prill 2015, Gjykata Themelore në Prizren nxori gjithashtu edhe Aktvendimin P. nr. 331/14 me të cilin, për shkak të fyerjes së gjykatës dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, të paraqitur në prapësimin e 31 tetorit 2014, e dënoi parashtruesin e kërkesës me gjobë në të holla. Gjykata Themelore kishte paraparë që gjoba në të holla mund të ndryshojë në dënim me burgim nëse nuk paguhet brenda afatit të caktuar kohor.
Më 27 qershor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, pasi që më parë e kishte paralajmëruar parashtruesin e kërkesës, nxori Aktvendimin EDGJ. nr. 380/17, me të cilin dënimin me gjobë në të holla e kishte zëvendësuar me dënim me burgim për shkak të mos pagesës së dënimit me gjobë në të holla brenda afatit të caktuar kohor.
Më 14 korrik 2017, Gjykata Themelore në Prizren nxori Aktvendimin EDGJ. nr. 380/17, me të cilin e anuloi Aktvendimin e mëparshëm (EDGJ. nr. 380/17 të 27 qershorit 2017) sepse parashtruesi i kërkesës e kishte shlyer gjobën në të holla të shqiptuar me Aktvendimin e Gjykatës Themelore P. nr. 331/14.
Pas kësaj, në bazë të ankesës së parashtreusit të kërkesës, kjo çështje kaloi nëpër të gjitha procedurat e apelit, duke përfunduar me Aktvendimin KA. nr. 825/17 të Gjykatës së Apelit, të 6 tetorit 2017, i cili i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 17 tetor 2017.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, kërkesën e tij e kishte dorëzuar në Gjykatë më 31 gusht 2018. Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit është dorëzuar pas afatit ligjor prej katër (4) muajve i cili është i përcaktuar me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se kërkesa kushtetuese është parashtruar jashtë afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të paraparë me nenin 49 të Ligjit dhe të specifikuar më tej në rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa është e papranueshme sepse është e paafatshme.
Tush Kolgjeraj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile