KI215/21, Parashtrues: Arbër Shkreli dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.3016/20 i 15 korrikut 2021
KI215/21, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, publikuar më 10 mars 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, barazi para ligjit, pengim-posedimi, gjykatë e paanshme, dëgjimi i ekspertit, qasje në drejtësi, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton që paditësi I.Sh., kishte ushtruar padi kundër parashtruesve të kërkesës për pengim-posedim, me propozim për caktimin e masës së sigurisë. Gjykata Themelore në Pejë kishte urdhëruar parashtruesit e kërkesës që menjëherë të heqin nga rruga rrjetin e telave metalik, dheun dhe pengesa të tjera, nga rruga publike në drejtim të shtëpisë së paditësit I.Sh., në mënyrë që paditësit t’i mundësohet qasja e papenguar nga shtëpia në rrugë dhe anasjelltas. Pas ankesës së parashtruesve të kërkesës, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, dhe e refuzoi të pa bazuar propozimin i paditësit-propozuesit të sigurimit I.Sh. Parashtruesit e kërkesës kishin kërkuar përjashtimin e gjyqtarit I.B., nga procedimi i mëtutjeshëm në çështjen e tyre. Gjykata Themelore në Pejë me gjyqtar individual, kryetarin K.R., kishte refuzuar të pabazuar kërkesën për përjashtim të gjyqtarit I.B., nga procedimi i mëtutjeshëm në këtë çështje juridiko-civile. Në ri-procedurë, Gjykata Themelore në Pejë përcaktoi se parashtruesit e kërkesës kanë kryer aktin e pengimit të posedimit të qetë dhe të fundit në dëm të paditësit I.Sh., dhe urdhëroi parashtruesit e kërkesës që menjëherë ta rikthejnë gjendjen e mëparshme, siç ka qenë para aktit të pengimit të posedimit. Pas ankesës së parashtruesve të kërkesës, Gjykata e Apelit e refuzoi të pathemeltë ankesën e parashtruesve të kërkesës dhe e vërtetoi aktvendimin i Gjykatës Themelore ne Pejë. Gjykata e Apelit, mes tjerash, ishte shprehur se ka qenë irelevant fakti se në emër të kujt evidentohet ngastra kadastrale në të cilën ka ndodhur akti i pengim posedimit, pasi që objekt i këtij kontesti ka qenë pengim posedimi, e jo vërtetimi i pronësisë apo i ndonjë të drejtë tjetër subjektive civile sendore.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës pretenduan shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] 121 [Prona] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës në thelb pretendojnë shkelje të së drejtës për gjykatë të pavarur dhe të paanshme, të së drejtës për qasje në drejtësi, të së drejtës për mos diskriminim dhe të së drejtës për dëgjimin e ekspertit dhe vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerësoi se (i) droja dhe dyshimet e parashtruesve të kërkesës për paanshmërinë e gjyqtarit I.B., sado të kuptueshme në aspektin subjektiv, megjithatë, nuk mund të justifikohen objektivisht; (ii) Gjykata e Apelit ka dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës dhe se është respektuar kushti formal për qasje në drejtësi por edhe kanë marrë përgjigje në substancë për çështjen kontestuese, përkatësisht është respektuar edhe kushti material për qasje në drejtësi; (iii) nuk rezulton dhe as nuk është sugjeruar që eksperti i gjeodezisë ka zënë vend dominues në procedurë në atë masë sa të ndikojë që vlerësimi i gjykatave të rregullta të jetë në dëm të parashtruesve të kërkesës e në dobi të palës kundërshtare; dhe, se (iv) parashtruesit e kërkesës nuk kanë treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin janë diskriminuar dhe me të cilin ata kanë qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme. Gjykata po ashtu konstatoi se parashtruesit e kërkesës përfituan nga procedura kontradiktore dhe se ata ishin në gjendje të paraqesin në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ata i konsideruan të rëndësishme për rastin e tyre; ata kanë pasur mundësinë të hedhin poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tyre, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta
Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe ndalim të diskriminimit të garantuar me nenet 31 dhe 24 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenet 6 dhe 14 të KEDNJ-së, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Arbër Shkreli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile