Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev.nr.239/23, të 31 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI183/23

Parashtruesit: Bujar Hoti

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 23​​ gusht 2024​​ 

Nr. ref.: RK 2515/24

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

në

 

rastin nr. KI183/23

 

Parashtrues

 

Bujar Hoti

 

 

Vlerësim i​​ kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit Rev.nr.239/23, të 31 korrikut 2023,​​ të​​ Gjykatës​​ Supreme të Kosovës​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ 

Enver Peci, gjyqtar​​ dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga​​ Bujar Hoti​​ me vendbanim në​​ fshatin Polac,​​ Komuna​​ e​​ Skenderaj​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i​​ kërkesës).

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës e konteston​​ Aktvendimin [Rev.nr.239/23]​​ e​​ 31 korrikut 2023,​​ të​​ Gjykatës Supreme të Kosovës​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme)​​ në​​ ndërlidhje me​​ Aktvendimin [Ac.nr.416/21]​​ e​​ 4 majit 2023, të Gjykatës së​​ Apelit të​​ Kosovës (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe​​ Aktvendimin​​ [Cnr.257/2019],​​ e​​ 17 dhjetorit 2020, të​​ Gjykatës Themelore në​​ Prishtinë​​ – Dega e Gjykatës në Gllogoc,​​ Departamenti​​ i Përgjithshëm, Divizioni Civil​​ (në​​ tekstin​​ e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ [Rev.nr.239/23] të 31 korrikut 2023,​​ të​​ Gjykatës Supreme. Parashtruesi nuk ka cekur asnjë shkelje të pretenduar të neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet​​ në​​ paragrafët​​ 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit​​ për​​ Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatë​​ 

 

  • Më​​ 5 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës​​ e dorëzoi kërkesën​​ në Gjykatën​​ Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • ​​ 15 shtator​​ 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Supreme.

 

  • ​​ 18 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR.​​ KI​​ 183/23] e caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar​​ raportues dhe​​ përmes Vendimit [Nr.​​ KSH.​​ KI​​ 183/23]​​ Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha​​ (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci​​ (anëtarë).

 

  • Më​​ 11 mars​​ 2024, gjyqtari​​ Jeton Bytyqi​​ dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 26 qershor​​ 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues​​ dhe​​ njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës, rezulton se​​ parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në​​ ish ndërmarrjen shoqërore “Feronikeli” që nga viti 1984 deri më​​ 1997,​​ në​​ punët dhe detyrat e inxhinierit të​​ elektros.​​ 

 

  • Më 17 korrik 2006, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratë të punës me pasardhësin e kësaj​​ ndërmarrjeje, “NewCo Feronikeli L.L.C” (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi), ​​ e cila marrëdhënie​​ pune​​ vazhdoi deri​​ më 1 mars 2013, kur i​​ ishte​​ shkëputur​​ ajo​​ përmes​​ Vendimit [nr. prot. 72] me arsyetimin se i ka skaduar kohëzgjatja e kontratës dhe​​ se punëdhënësi nuk kishte​​ nevojë më për parashtruesin e kërkesës.

 

  • Më 7 qershor 2019, parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ padi për kthimin në​​ vendin e punës dhe kompensimin e pagave kundër​​ punëdhënësit​​ në Gjykatën Supreme.

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se më​​ 13 qershor 2019, Gjykata Supreme​​ ia dorëzoi në kompetencë Gjykatës Themelore shqyrtimin e kërkesëpadisë së lartcekur.

 

  • Më 15 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.257/2019] i kërkoi parashtruesit të kërkesës precizimin e kërkesëpadisë së 7 qershorit 2019.

 

  • ​​ 20 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi precizimin e padisë​​ ​​ tij në​​ Gjykatën Themelore.

 

  • Më 23 tetor 2020, punëdhënësi parashtroi përgjigje në padinë e parashtruesit të kërkesës, me ç’rast e kundërshtoi atë me arsyetimin se e njëjta është paraqitur jashtë afatit ligjor.

 

  • Më 17 dhjetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.257/2019] hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës si të pasafatshme, me arsyetimin si në vijim:​​ Meqenëse paditësi​​ [parashtruesi i kërkesës]​​ ka pasur mundësi që të​​ paraqesë​​ kërkesë​​ tek i padituri dhe nëse e paditura ne afatin prej 15 ditë​​ nuk​​ ka​​ vendosë​​ në​​ kërkesën e tij, i njëjti është​​ dashur që​​ të​​ paraqesë​​ padi në​​ afatin prej 30 ditë​​ nëse nuk ka qene i Kënaqur​​ me vendimin e të​​ paditurës ose ka qenë​​ i pa kënaqur por paditësi padinë e tij e ka paraqitur​​ me vonese sepse nëse llogarisim nga data 01.03.2013 kur paditësit i është ndërprerë marrëdhënia e punës rezulton se padia e paditësit është​​ paraqitur me vonesë​​ prej 6 viteve e 3 muaj dhe 6 ditëve.”

 

  • ​​ një​​ datë​​ ​​ paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë​​ kundër Aktvendimit [C.nr.257/2019] të​​ 17 dhjetorit 2020 të​​ Gjykatës Themelore.

 

  • ​​ 4 maj 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [A.c.nr. 416/2021] refuzoi si ​​ ​​ pabazuar ankesën e parashtruesit të​​ kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e​​ lartcekur​​ ​​ Gjykatës Themelore.

 

  • ​​ 24 maj 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër ​​ Aktvendimit [A.c.nr. 416/2021] të​​ 4 majit 2023 të​​ Gjykatës së​​ Apelit.

 

  • Më​​ 31 korrik 2023, Gjykata Supreme​​ përmes Aktvendimit [Rev.nr.239/23]​​ refuzoi si të​​ pabazuar revizionin​​ e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se:​​ “[...] i ka vlerësuar me kujdes pretendimet e paditësit të​​ paraqitura në​​ revizion, mirëpo të​​ njëjtat janë të​​ pabazuara, për faktin se afatet e përcaktuara me nenin 78 dhe 79 të​​ Ligjit te Punës, janë afate prekluzive, dhe të​​ njëjtat afate nuk mund të​​ zgjaten dhe as të​​ shtyhen, në​​ rast të​​ kalimit, padia është gjithmonë e pasafatshme, pa marrë​​ parasysh arsyet e lëshimit të​​ afatit.”​​ Tutje, Gjykata Supreme në arsyetimin e saj theksoi​​ se parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar padinë e tij pas kalimit të afatit ligjor dhe rrjedhimisht padia në këtë rast është e palejuar.

 

 

 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendon se i janë cenuar përmes Aktvendimit të kontestuar. Në këtë drejtim, ai vetëm​​ përmend shkeljen e neneve 78 (Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit)​​ dhe 79 (Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë)​​ të Ligjit Nr. 03/L-2012 të Punës​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Ligjin e Punës), dhe në lidhje me këtë thekson si në vijim:​​ “Përcakton se punëdhënësi duhet brenda 15 ditëve tu përgjigjet kërkesave për kthim në​​ punë, fletore x-0, fq. 8, 9, 10 prandaj brenda 1 viti që​​ e përcjella sakt se mos po na kthejn në​​ pun, nuk e di që​​ ju ka përgjigj ndokujt.​​ Të​​ gjitha institucionet i pat blloku me ndihmsat hajna shqiptarë​​ [...].​​ Në pjesën tjetër të kërkesës, parashtruesi shpjegon kronologjinë e punësimit të tij si dhe akuzon punëdhënësin e tij për keqpërdorime të ndryshme.

 

Dispozita relevante​​ ligjore

 

LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS

 

Neni 78

(Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit)

 

“1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura. 2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.”

 

Neni 79

(Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë)

 

“Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.”

 

Neni 87

(Afati i parashkrimit)

 

“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”

 

 

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 391

(pa titull)

 

“Pas shqyrtimit paraprak të padisë gjykata me aktvendim e hedh poshtë padinë si të palejueshme po që se konstaton se:​​ 

[...]

f) padia është paraqitur pas skadimit të afatit, po që se me dispozita të posaçme është parashikuar afati për paraqitjen e saj;​​ 

[...]”

 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata duhet së pari të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  • Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

​​ Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj  ​​​​ saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”

 

  • Gjykata​​ konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht​​ Aktvendimin [Rev.nr.239/23],​​ e​​ 31 korrikut 2023,​​ të​​ Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Në këtë aspekt, kërkesa e parashtruesit të kërkesës përmbushë kriteret e përcaktuara me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenin 47 të Ligjit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.

 

  • Më tutje, në vlerësimin nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me ligj, Gjykata duhet t’i referohet edhe nenit 48 të Ligjit, i cili parashtruesve të kërkesave kushtetuese ua përcakton specifikisht detyrimin që në kërkesat tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë se u janë cenuar. I njëjti kriter është i përcaktuar edhe në​​ pikën d të paragrafit 1 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, i cili kërkon që kërkesat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese. Të njëjtat kritere, Gjykata do t’i analizojë më poshtë.

 

  • Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës kishte punuar te​​ punëdhënësi i tij deri më​​ 7 mars 2013.​​ ​​ 7 qershor 2019, ai​​ parashtroi padi për kthim në​​ vendin e punës dhe kompensimin e pagave, të​​ cilën kërkesëpadi e refuzoi Gjykata Themelore me arsyetimin se ishte paraqitur më​​ shumë​​ se 6 (gjashtë) vite pas afatit ligjor.​​ Si rezultat i kësaj, parashtruesi parashtroi ankesë​​ ​​ Gjykatën e Apelit,​​ ​​ cilën​​ ankesë, e njëjta​​ ia refuzoi si të​​ pabazuar​​ dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore.​​ Kundër Aktvendimit​​ ​​ Gjykatës së​​ Apelit, parashtruesi parashtroi revizion, të​​ cilin Gjykata Supreme e refuzoi me të​​ njëjtin arsyetim, përkatësisht,​​ se ishte paraqitur jashtë​​ afatit ligjor të​​ paraparë​​ ​​ Ligjin e Punës.

 

  • Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk specifikon të drejtat kushtetuese e as nenet përkatëse të Kushtetutës, të cilat konsideron se i janë shkelur përmes vendimeve gjyqësore të ndërmarra në rastin e tij,​​ por​​ në​​ kërkesën e tij vetëm përmend​​ ​​ disa nene të​​ Ligjit të​​ Punës, shkeljen e të​​ cilave nuk e arsyeton. Ai​​ në​​ kërkesën e tij​​ vetëm​​ shpjegon kronologjinë e punësimit të tij si dhe akuzon​​ ish​​ punëdhënësin e tij për keqpërdorime të ndryshme.

 

  • Gjykata thekson se për të konsideruar që një kërkesë plotëson kriteret e pranueshmërisë, parashtruesi i kërkesës është i detyruar që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri, të garantuara me Kushtetutë, i janë cenuar dhe në mënyrë adekuate të paraqesë faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih në këtë kontekst rastet e Gjykatës,​​ KI91/17, parashtrues​​ Enver Islami,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 22 nëntorit 2018, paragrafi 31;​​ KI206/19, parashtrues​​ Mladen Nikolić, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 shkurtit 2019, paragrafi 33; si dhe shih rastin​​ KI97/20, parashtrues​​ Nehat Salihu,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafi 54,​​ KI73/21, parashtruese​​ Minire Krasniqi Zhitia, Aktvendim për papranueshmëri, i​​ 29​​ korrikut 2021, paragrafi 39).

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk pajtohet në një mënyrë me vendimet e gjykatave të rregullta, marrë parasysh faktin që të njëjtit i është refuzuar​​ padia e tij për kthim në​​ vendin e punës dhe kompensim të​​ pagave​​ me arsyetimin se​​ padinë​​ e kishte paraqitur jashtë​​ afatit ligjor.​​ Megjithatë, parashtruesi nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri, të garantuara me Kushtetutë, pretendon se i janë cenuar dhe ai ngritë pretendime të përgjithësuara pa saktësuar të drejtat kushtetuese të cilat ai pretendon se i janë cenuar dhe pa qartësuar faktet që arsyetojnë pretendimet konkrete.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës. Përfundimisht, Gjykata konstaton që kërkesa është e papranueshme në baza kushtetuese​​ në kategorinë e pretendimeve​​ “të​​ pambështetura dhe të​​ paarsyetuara”.

 

 

 

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të​​ paragrafit 7 të​​ nenit​​ 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit,​​ rregullit​​ 34 (1) (d) dhe (2), si dhe rregullit 48 (1) (b)​​ të Rregullores së punës,​​ më​​ 26 qershor​​ 2024,

 

VENDOS

 

 

  • TA DEKLAROJË,​​ njëzëri,​​ kërkesën të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

 

  • Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;

 

 

 

 

 

Gjyqtari​​ raportuesKryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Bajram Ljatifi      Gresa Caka-Nimani

 

 

1

Parashtruesit:

Bujar Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër