Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 143/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 13 korrikut 2021

Nr. të lëndës KI222/21

Parashtruesit: Veton Berisha

Shkarko:

Prishtinë, më 29 shtator 2022

Nr. Ref.:RK 2052/22

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI222/21

 

Parashtrues

 

Veton Berisha

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 143/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 13 korrikut 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Veton Berisha nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin sipas autorizimit e përfaqëson avokati Ramiz Suka.

 

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Rev. nr. 143/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 13 korrikut 2021 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [Ac. nr. 5734/2020] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 13 korrikut 2021 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [C. nr. 2936/07] të Gjykatës Themelore në Prishtinë të 20 nëntorit 2017 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev. nr. 143/2021] më 16 shtator 2021.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatë

 

  1. Më 6 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata). Gjykata pranoi kërkesën e parashtruesit më 8 dhjetor 2021.

 

  1. Më 14 dhjetor 2021, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë Gjykata njoftoi edhe Gjykatën Supreme.

 

  1. Më 15 dhjetor 2021, Kryetarja e Gjykatës, me vendimin [GJR. KI222/21] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.

 

  1. Më 22 dhjetor 2021, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo ta dërgojë fletëkthesën në lidhje me atë se kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar aktvendimi i kontestuar.

 

  1. Më 30 dhjetor 2021, Gjykata pranoi fletëkthesën nga Gjykata Themelore me të cilën vërtetohej se parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktvendimin e kontestuar më 16 shtator 2021.

 

  1. Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Gjykata që në fillim të përmbledhjes së gjendjes faktike duhet të theksojë se parashtruesi i kërkesës, si pronar i ndërmarrjes “NN Exterier”, kishte parashtruar kërkesëpadi së bashku me ndërmarrjen NP “Metal” dhe me personin privat N.S., kundër të paditurës Agjencisë Turistike “MSM” nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: Agjencia MSM). Gjatë zhvillimit të procedurës para gjykatave të rregullta, palët në procedurë ishin, si paditës “NN Exterier” (përfaqësuar nga parashtruesi i kërkesës), ndërmarrja NP “Metal”, si dhe personi N.S., ndërsa e paditura ishte Agjencia MSM. Në procedurën para kësaj Gjykate, si parashtrues i kërkesës paraqitet ekskluzivisht parashtruesi i kërkesës si person fizik.

 

  1. Duke iu kthyer gjendjes faktike të procedurës konkrete, Gjykata në bazë të shkresave të lëndës vëren se objekti i kontestit para gjykatave të rregullta ishte prona të cilën e kishte blerë Agjencia MSM nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (në tekstin e mëtejmë: AKM). Mirëpo, ndërmarrja “NN Exterier” të cilën e përfaqësonte parashtruesi i kërkesës, ndërmarrja NP “Metal”, të cilën e përfaqësonte Y.Q., si dhe personi N.S., duke konsideruar se të drejtat pronësore mbi atë pronë u takojnë atyre, paraqitën në Gjykatën Komunale kërkesëpadi për vërtetimin e pronësisë mbi pronën në fjalë.

 

  1. Agjencia MSM ka dorëzuar përgjigje në padi në Gjykatën Themelore, duke theksuar se paditësit nuk kanë paraqitur prova, se padia është e parregullt, se nuk i plotëson kushtet e nenit 253 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK).

 

  1. Gjykata Themelore u dërgoi ftesë palëve ndërgjyqëse, në të cilën theksoi se seanca përgatitore do të mbahet më 10 shtator 2012. Krahas ftesës për mbajtjen e seancës, Gjykata Themelore i dërgoi parashtruesve të kërkesës edhe përgjigje në padinë e parashtruar nga Agjencia MSM.

 

  1. Në bazë të shkresave të lëndës, rezulton se ftesa e Gjykatës Themelore për mbajtjen e seancës përgatitore të caktuar më 10 shtator 2012, si dhe përgjigja në padinë e parashtruar nga Agjencia MSM, nuk kanë mundur t’u dorezohet paditësve për shkak se ata ndryshuan adresën e tyre. Rrjedhimisht, Gjykata Themelore në seancën përgatitore më 10 shtator 2012, vendosi që ftesa për mbajtjen e seancës përgatitore dhe i gjithë komunikimi në të ardhmen me paditësit të bëhet përmes tabelës së shpalljeve të gjykatës.

 

  1. Më 11 shtator 2012, ftesa për mbajtjen e seancës publike është vendosur në tabelën e shpalljeve të gjykatës.

 

  1. Më 27 shtator 2012, Gjykata Komunale nxori aktvendimin [C. nr. 2936/07] në të cilin, ndër të tjera, thuhet: „KONSIDEROHET se është tërhequr padia e paditësve […….]kundër të paditurit Travel Agency MSM Prishtinë.

 

  1. Në arsyetimin e Aktvendimit [C. nr. 2936/07], Gjykata Themelore inter alia thekson:

 

Gjykata ka caktuar seancën përgatitore për dt. 10.09.2012, ashtu që në fletkthesa është konstatuar se paditësit e kan ndrruar adresën, ndërsa në adresën sipas padisë është vendosur subjekti “Koha ditore”, kështu që gjykata në seancë ka vendosur që paditësve ftesat t’ju publikohen, në tabel të shpalljeve të gjykatës.

 

Gjykata, paditësit i ka ftuar për seancën përgatitore dt. 27.09.2012, përmes publikimit të ftesave në tabelë të shpalljes së gjykatës, të cilat janë publikuar, me dt. 11.09.2012. Meqenëse paditësit nuk kan prezentuar në seancën përgatitore edhe pse ftesat ju janë publikuar në tabel, gjykata në kuptim të nenit 409.1 te LPK-së e konsideroi padinë e paditësve të tërhequr.“

 

  1. Më 11 dhjetor 2012, aktvendimi [C. nr. 2936/07] i Gjykatës Komunale është publikuar në tabelën e shpalljeve të gjykatës. Aktvendimi përmbante këshillën juridike duke theksuar se “kundër aktvendimit lejohet ankesa, ne afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit ne dorëzim Gjykatës se Qarkut ne Prishtine përmes kësaj gjykate .”

 

Kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme

 

  1. Më 17 maj 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore për kthim në gjendje të mëparshme me arsyetimin se nuk e kanë ndërruar asnjëherë adresën dhe se adresa e paditësve është e njëjtë me atë në kohën kur ka filluar procedura dhe në kohën e dërgimit të ftesës për seancë përgatitore.

 

  1. Më 20 nëntor 2017, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [C. nr. 2936/07], me të cilin e refuzoi si të pasafatshëm propozimin për kthim në gjendje të mëparshme të paraqitur nga paditësit (parashtruesi i kërkesës).

 

  1. Në arsyetimin e Aktvendimit [C. nr. 2936/07], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi:

 

„[…] duke marrë për bazë faktin se aktvendimit, C. nr. 2936/07, dt. 27.09.2012 është publikuar dt. 11.12.2012, sikundër që paditësit e kane lëshuar veprimin procedurës për të marrë pjesë në seancë, propozimi për kthimin e gjendjes së mëparshëm nuk është ushtruar brenda afatit ligjor në kuptim të nenit 130 të LPK-së. Sipas nenit 130, par 2 afati subjektiv është shtat ditor nga dita kur ka pushuar shkaku i pengimit të mos veprimit, ndërsa sipas paragrafit 3, pas kalimit të afatit prej 60 ditëve nga dita e mos veprimit nuk mund të kërkohet kthimi i gjendjes se mëparshme.

 

Meqenëse paditësi propozimin nuk e ka ushtruar brenda afatit subjektiv, por edhe atë objektiv, nga momenti i lëshimit të afatit, të pjesëmarrjes në seancë, për dt. 27.09 2012, e me këtë vërtetohet se propozimi për kthim të gjendjes është ushtruar, me dt. 17.05.2017, gjykata duke zbatuar nenin 130.2 dhe 130.3, lidhur me nenin 131 dhe 133.1 të LPK-së, propozimin e hedhi si të pas afatshëm.“

 

  1. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 2936/07], të Gjykatës Themelore, duke theksuar “[…] se padia përmban të gjitha elementet a kërkuara me nenin 99 të LPK-së. Po sipas parashtruesit të kërkesës, gjykata e shkallës së parë nuk kishte kushtet ligjore për të zbatuar nenin 116 (Ndërrimi i adresës) të LPK-së dhe konsiderohet është bërë praktikë e dorëzuesve, që pa verifikim dhe vetëm me shikim vizual të përcaktojnë psh. “adresa jo e plotë” ose “adresa jo e saktë” dhe pa verifikim të dhënë konstatime tjera si në rastin konkret”, dhe në këtë mënyrë, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, vihet në lajthim gjykata“.

 

  1. Më 8 dhjetor 2020, Gjykata e Apelit nxori Aktvendimin [Ac. nr. 5734/20] me të cilin e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar.

 

  1. Në Aktvendimin [Ac. nr. 5734/20] Gjykata e Apelit deklaroi: […] ajo konsideroi se gjykata e shkallës së parë ka vendosur në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme dhe konsideroi se paraqitja e propozimit për kthim në gjendje të mëparshme është paraqitur pas kalimit të afatit të paraparë me nenin 130 të LPK-së. Gjykata e Apelit iu referua publikimit të Aktvendimit [C. nr. 2936/07] të gjykatës së shkallës së parë të 11.12.2012 dhe faktit se parashtruesi i kërkesës ka paraqitur propozim më 17.05.2017. Më tej, Gjykata e Apelit theksoi se afati është prekluziv, që do të thotë se nëse afati lëshohet humbin të gjitha afatet për të kërkuar realizimin e kësaj kërkese. Gjykata e Apelit, lidhur me pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës në lidhje me faktin e mosdorëzimit të dokumentacionit nga ana e gjykatës, ka vlerësuar se nuk mund të lëshohet në vlerësimin e të njëjtave pasi fillimisht duhet të provohet nëse kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme është paraqitur me kohë.

 

  1. Më 25 janar 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje të dispozitave të LPK-së dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Në lidhje me të parin, parashtruesi i kërkesës theksoi se parimi në procedurën kontestimore “Audiatur et altera pars“ nuk mund të realizohet nëse njërës palë nuk i mundësohet që të njoftohet për vendin dhe kohën e ndërmarrjes së veprimeve në procedurë. Parashtruesi i kërkesës konsideroi se në rastin kur kemi të bëjmë me persona juridikë, gjykatat e rregullta duhet të kërkojnë nga zyra e tyre e regjistrimit, pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, çdo ndryshim adrese dhe çdo ndryshim tjetër të statusit dhe gjykata e shkallës së parë nuk i kishte ndërmarrë këto veprime. Parashtruesi i kërkesës thekson se kanë kaluar 10 (dhjetë) vjet nga fillimi i procedurës dhe se ai nuk kishte njohuri për rrjedhën e procedurës, por më 11 maj 2017, ai mori informata se çështja e tij tashmë kishte përfunduar. Parashtruesi i kërkesës konsideron se “kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme është dorëzuar më 17.05.2017 brenda afatit ligjor”.

 

  1. Më 13 korrik 2021, Gjykata Supreme nxori Aktvendimin [Rev. nr. 143/2021], me të cilin e hodhi poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës si të palejueshëm. Gjykata Supreme iu referua paragrafit 1 të nenit 228 (Revizioni kundër aktvendimit) të LKP-së, i cili parashikon se palët mund të ushtrojnë revizion vetëm kundër aktvendimeve të formës së prerë me të cilat përfundon procedura në gjykatën e shkallës së dytë dhe nga kjo dispozitë rrjedh që revizioni mund të parashtrohet vetëm kundër vendimit të formës së prerë, me të cilin përfundon procedura gjyqësore civile. Gjykata Supreme arsyetoi se me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit nuk ka përfunduar procedura në mënyrë meritore me vendim të formës së prerë, kështu që ky revizion nuk lejohet.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Parashtruesi i kërkesës thekson se me vendimin e kontestuar ka ardhur deri te shkelja e të drejtave dhe lirive të tij themelore, të cilat garantohen me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Komunale me Aktvendimin [C. nr. 2936/2007], ka vendosur në dëm të parashtruesit të kërkesës, pasi ajo ka vlerësuar se padia e parashtruesit të kërkesës është tërhequr, me arsyetimin se paditësi nuk ka marrë pjesë në seancën përgatitore të 27 shtatorit 2012. Pas kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon se ka paraqitur edhe kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konsideron se Aktvendimi [C. nr. 2936/2007] është në kundërshtim me nenin 99 të LKP-së, sepse padia përmban të gjitha premisat për t’u konsideruar padi e plotë. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se adresa e tij, si dhe adresa e paditësve, nuk është ndryshuar nga fillimi i procedurës deri në dorëzimin e ftesës për seancën përgatitore të 10 shtatorit 2012 dhe se ndryshimi i vetëm pas vitit 2012 ka qenë kur hyrja e banesës ka marrë një numër të ri dhe lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës ka bashkangjitur edhe një vërtetim nga autoritetet komunale, me të cilin vërtetohet ndryshimi i numrit.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës më tej konsideron se “dorëzuesit e dokumenteve të gjykatës nuk kanë qenë vigjilent ne kryerjen e detyrës se tyre dhe ne mënyre te gabuar nga Gjykata është aplikuar kur ftesa shpallet ne tabelën e saj. Si pasoje është tërheqja e padisë”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konsideron se në revizionin e paraqitur ai arsyeton rrethanat përkatëse dhe thekson se pasi që nuk kishte pasur “njohuri për epilogun e këtij kontesti” dhe se nuk kishte marrë përgjigje për 10 vjet në lidhje me këtë çështje, nga zyra e regjistrit të gjykatës më 11 maj 2017, ai u njoftua “se lënda udhëhiqet si lëndë e përfunduar dhe se padia e tij konsiderohet e tërhequr”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës citon edhe nenin 130 të LKP-së, duke theksuar se kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme e ka paraqitur në afat, pasi që ai e dorëzoi të njëjtën më 11 maj 2017. Duke cituar përmbajtjen, respektivisht afatet e përcaktuara ne nenin 130 parashtruesi thekson se “po qesë pala me vone ka mësuar për mosveprim, atëherë afati llogaritet nga dita kur ka mësuar për mosveprim.”

 

  1. Parashtruesi i kërkesës i drejtohet Gjykatës me kërkesën që të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe të anulojë vendimet e gjykatave të lartcekura si të pabazuara.

 

Dispozitat ligjore

                                                                                                                             

LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

KREU VIII DËRGIMI I SHKRESAVE

 

„[…]

 

Neni 114

 

[…]

 

Në qoftë se dorëzimi i shkresës subjektit të regjistruar në regjistrin publik nuk mund t’i bëhet në adresën e treguar në regjistër, komunikimi bëhet duke u ngjitur shkresa në tabelën e shpalljeve të gjykatës, dorëzimi konsiderohet i kryer pas skadimit të afatit prej shtatë ditësh nga dita e afishimit në tabelën e shpalljeve të gjykatës”.

 

Neni 116

(Ndërrimi i adresës)

 

“116.1 Në qoftë se pala ose përfaqësuesi i saj, gjatë zhvillimit të procedurës apo para se të kalojë afati prej gjashtë muajsh pas përfundimit të procedurës me vendim të formës së prerë, e ndërrojnë adresën në të cilën bëhet dorëzimi i shkresave kanë për detyrë që për këtë gjë ta njoftojnë menjëherë gjykatën.

116.2 Në qoftë se kundër vendimit të formës së prerë brenda afatit nga paragrafi 1 i këtij neni paraqitet revizioni, afati i tillë zgjatet deri sa të kalojnë gjashtë muaj nga dorëzimi i vendimit i dhënë sipas revizionit, me të cilin revizioni hidhet poshtë, refuzohet apo vendimi i goditur me revizion ndryshohet.

116.3 Në qoftë se kundër vendimit të formës së prerë para se të skadojë afati nga paragrafi 1 i këtij neni, paraqitet propozimi për përsëritjen e procedurës, afati i tillë zgjatet deri sa të kalojë afati gjashtë mujor pas marrjes së formës së prerë të vendimit të dhënë në procedurën e përsëritur, kundër të cilit nuk është paraqitur ankesa, përkatësisht nga skadimi i afatit gjashtë mujor nga dita në të cilën palës i është dorëzuar vendimi i shkallës së dytë.

116.4 Po që se në procedurën sipas mjetit te goditjes se jashtëzakonshme prishet vendimi i formës së prerë dhe çështja kthehet në rigjykim, do të konsiderohet se afati nga paragrafi 1 i këtij neni as që ka filluar të ecë.

116.5 Në qoftë se pala apo përfaqësuesi i saj nuk e njoftojnë menjëherë gjykatën për ndryshimin e adresës, gjykata do të urdhërojë që dërgimet e mëtutjeshme të shkresave të bëhen me anë të afishimit të tyre në tabelën e shpalljeve në gjykatë. Kjo mënyrë e komunikimit bëhet deri sa pala apo përfaqësuesi i saj ta njoftojë gjykatën për adresën e re të saj.

116.6 Komunikimi nga paragrafi 5 i këtij neni konsiderohet i kryer pas kalimit të shtatë ditëve nga dita e afishimit të shkresës në tabelën e shpalljeve të gjykatës.

116.7 Në qoftë se përfaqësuesi për pranimin e shkresave e ndërron adresën deri në skadimin e afateve nga paragrafët 1-3 të këtij neni , e për një gjë të tillë nuk e njofton gjykatën, atëherë gjykata, me shpenzimet e palës, ia cakton palës përfaqësuesin për pranimin e shkresave nëpërmjet të cilit do t’i dorëzohen shkresat, derisa mos të njoftohet nga pala se ka caktuar përfaqësues të ri me prokurë.”

 

Neni 130

[pa titull]

 

“130.1 Propozimi për kthimin në gjendje të mëparshme i paraqitet gjykatës në të cilën është dashur të kryhet veprimi procedural i pakrye.

 

130.2 Propozimi duhet të paraqitet brenda afatit shtatë (7) ditor nga dita kur ka pushuar shkaku i mosveprimit, e po që se pala më vonë ka mësuar për mosveprimin, atëherë afati llogaritet nga dita kur ka mësuar për mosveprimin.

 

130.3 Pas kalimit të gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e mosveprimit nuk mund të kërkohet kthimi në gjendjen e mëparshme.

 

130.4 Po që se kthimi në gjendje të mëparshme kërkohet për shkak të mos ruajtjes së afatit për kryerjen e veprimit procedural, propozuesi ka për detyrë që propozimit t’ia bashkëngjisë veprimin e shkruar procedural të pakryer me kohë.”

 

Neni 131

[pa titull]

 

“Nuk lejohet kthimi në gjendje të mëparshme nëse nuk është ruajtur afati për paraqitjen e propozimit për kthimin në gjendje të mëparshme apo nëse pala nuk ka ardhur në seancën e caktuar për shqyrtimin e propozimit për kthimin në gjendjen e mëparshme.”

 

Neni 133.

[pa titull]

 

“133.1 Propozimin e paraqitur pas afatit, apo propozimin e palejueshëm për kthimin në gjendjen e mëparshme gjykata e hedhë poshtë me anë të aktvendimit.”

 

Neni 228

(Revizioni kundër aktvendimit)

 

 

“228.1 Palët mund të paraqesin revizionin vetëm kundër aktvendimeve të formës së prerë me të cilat përfundon procedura e gjykatës së shkallës së dytë.

 

228.2 Nuk lejohet revizioni kundër aktvendimeve nga paragrafi 1 i këtij neni në kontestet në të cilat nuk do të ishte i lejuar revizioni kundër aktgjykimit.”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[…]

 

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  1. Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.

 

  1. Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.

 

  1. Megjithatë, Gjykata duhet të marrë parasysh edhe nenin 49 [Afatet] të Ligjit, i cili përcakton:

 

Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor […].”

 

  1. Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, i cili përcakton:

 

(1) “Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

 

[…]

 

(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit,

 

  1. Duke iu kthyer kërkesës konkrete të parashtruesit dhe duke sjellë pretendimet në lidhje me shkresat e lëndës, Gjykata konstaton se në to ekzistojnë dy procedura gjyqësore të cilat parashtruesi i kërkesës i ka iniciuar në gjykatat kompetente. Procedura e parë kishte të bënte me kërkesën për vërtetimit të së drejtës pronësore, ndërsa procedura e dytë kishte të bënte me kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme.

 

  1. Pikërisht duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës i sjell shkeljet e pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, me të dy procedurat gjyqësore. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata në vijim të aktvendimit do të shqyrtojë të dy procedurat gjyqësore në kontekst të shkeljeve të neneve të përmendura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së.

 

  1. Duke marrë parasysh procedurën e parë gjyqësore të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës në kontekstin e një shkeljeje të mundshme të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se ajo përfundoi me Aktvendimin [C. nr. 2936/07] të Gjykatës Komunale të 27 shtatorit 2012, i cili për këtë arsye ka marrë formë të prerë. Gjykata ka ardhur deri te një përfundim i tillë duke shqyrtuar vendimin e kontestuar, ndërsa ka konstatuar se ai ka marrë formën e prerë pas kalimit të afatit prej 15 ditëve, nga dita e publikimit në tabelën e shpalljeve të Gjykatës Themelore.

 

  1. Më konkretisht, nga data e publikimit të Aktvendimit [C.nr.2936/07] të Gjykatës Komunale në tabelën e shpalljeve, parashtruesi i kërkesës kishte një afat prej 15 ditësh, pra deri më 12 tetor 2012, për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe nuk e bëri.

 

  1. Sa i përket procedurës së dytë gjyqësore të iniciuar nga parashtruesi me kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme, Gjykata vlerëson se ajo ka përfunduar më 13 korrik 2021, kur Gjykata Supreme nxori Aktvendimin [Rev. nr. 143/2021], të cilën ai e konteston në këtë kërkesë.

 

  1. Megjithatë, duke marrë parasysh Vendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 143/2021] , Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka vendosur për thelbin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës në lidhje me kthimin në gjendjen e mëparshme, por vetëm për ligjshmërinë e revizionit të paraqitur, duke konstatuar se “revizioni i paraqitur nuk lejohet, duke pasur parasysh se mund të parashtrohet ekskluzivisht kundër vendimit meritor të gjykatës së shkallës së dytë”. Kjo në thelb do të thotë se nuk lejohet revizioni si mjet juridik ndaj vendimeve të tilla të shkallës së dytë për të cilat nuk ka vendim meritor.

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata, duke pasur parasysh se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për revizion kundër vendimit meritor të gjykatës së shkallës së dytë, por kundër vendimit të shkallës së dytë në të cilin është vendosur për përmbushjen e afatit për paraqitjen e kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme, konstaton se vendimi përfundimtar kundër të cilit parashtruesi i kërkesës mund të paraqiste kërkesë në gjykatë, është në fakt Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 5734/20] i datës 8 dhjetor 2020, gjë që sigurisht nuk e ka bërë.

 

  1. Andaj, Gjykata konsideron se “vendimi i fundit” në procedurën e parë gjyqësore në kuptimin e rregullit 39 (1) (c) dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, në të vërtetë është Aktvendimi i Gjykatës Komunale [C. nr. 2936/07] i 27 shtatorit 2012 nga forma e prerë e të cilit, e deri te parashtrimi i kërkesës në Gjykatë, kanë kaluar më tepër se katër (4) muaj. Ndërsa sa i përket procedurës së dytë gjyqësore, Gjykata konsideron se “vendimi i fundit” është Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 5734/20] i 8 dhjetorit 2020, nga forma e prerë e të cilit, e deri te parashtrimi i kërkesës në Gjykatë, kanë kaluar më tepër se katër (4) muaj (Shih: Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, aplikacioni nr. 46477/99, GJEDNJ, Vendim i 14 marsit 2002; shih, gjithashtu: rasti i Gjykatës Kushtetuese, KI120/17, parashtrues: Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 36; shih gjithashtu Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KI18/17 parashtrues: Isuf Bajrami, i 19 prillit 2018, paragrafi 33, dhe në fund rasti KI41/18 parashtrues Gordana Dončić, Aktvendim për papranueshmëri i 26 shtatorit 2018, paragrafi 40, dhe së fundmi rasti KI93/18 parashtrues: DPZ “ELEKTRON”, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2018, paragrafi 33).

 

  1. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vlerëson se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e mundshme të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, që ai i sjell në lidhje me procedurën e parë dhe atë të dytë gjyqësore, janë jashtë afatit kohor prej 4 muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 39.1 (c) të Rregullores së punës.

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 8 shtator 2022, njëzëri

 

VENDOS

 

  1. TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë. 

Gjyqtarja raportuese                                 Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Remzije Istrefi-Peci                                                   Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Veton Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile